Truri i njeriut dhe dallimet gjinore


 Një studim i ri tregon se truri i njeriut nuk mund të kategorizohet në mënyrë tradicionale në bazë të gjinisë: tru mashkulli apo femre. Studiuesit në Universitetin e Tel Avivit kanë identifikuar disa dallime strukturore mes trurit të burrave dhe atyre të grave, por nuk ishin në gjendje të dallonin nëse një tru i përkiste një mashkulli apo një femre gjykuar thjesht nga pamja e jashtme.

Shkencëtarët prej kohësh i janë përmbajtur bindjes se ka dallime mes trurit të mashkullit dhe atij të femrës. Ekipi shkencor izraelit donte të zbulonte nëse këto dallime janë aq të rëndësishme sa që të krijojnë dy lloje të ndryshme truri, që të dallonin nga njëri tjetri si organet riprodhuese të të dyja gjinive.

Daphna Joel e Universitetit të​Tel Avivit shpjegon:

“Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, kemi analizuar 1400 ekzemplarë nga individë të ndryshëm. Në çdo rast kemi diktuar pjesë të trurit ku shfaqen dallimet më të dukshme. Pastaj bëmë pyetjen nëse këto dallime tregojnë nëse individi ka qenë burrë apo grua. Ajo që zbuluam është se ky dallim është shumë i rrallë”.

Studiuesit arritën në përfundimin se disa pjesë të trurit shfaqin dallime gjinore, por truri në përgjithësi nuk ka karakter “mashkullor” apo femëror”. Studimi ngre pyetjen se çfarë ndikimi social kanë këto përfundime. Daphna Joel, e cila kryesoi studimin, është e mendimit se njerëzimi duhet të largohet nga terminologjia që kategorizon veçori apo aftësi të caktuara të individit në bazë gjinore.

“Kjo nënkupton se bindjet tona si shoqëri se përkatësia gjinore, pra fakti që dikush është mashkull apo femër ndikon tek preferencat e individit, tek tiparet që do të shfaqë ky individ, që njerëzit u përkasin dy natyrave: asaj femërore apo mashkullore, nuk ka bazë shkencore. Thjesht njerëzit dallojnë nga njëri-tjetri,” shpjegon Dr. Joel.

Pjesa më e madhe e shkencëtarëve besojnë se truri përmban një ndërthurje karakteristikash mashkullore dhe femërore. Shumë prej tyre besojnë se studimet tregojnë që përkatësia gjinore ka ndikim të rëndësishëm tek funksionimi i trurit. Ekspertë të shëndetit mendor argumentojnë se studimi i dallimeve gjinore mes trurit të meshkujve dhe femrave mund të ndihmojë për të zbuluar arsyet përse meshkujt kanë ritme më të larta autizmi, ndërkohë që femrat janë më të rrezikuara nga depresioni. Ata thonë se duhen studime të mëtejshme për të kuptuar ndikimin që ka përkatësia gjinore tek truri.
Previous Post Next Post