Nga: Vincenzino Ducas Angeli Vaccaro |
Dorëshkrimi origjinal i “Kronikave të Qipros” i gjendur në Oksford të Anglisë, u botua në 1882 nga “L’Ecole des Langues Orientales Vivantes” dhe teksti në gjuhën greke u redaktua nga Emmanuel Miller dhe Kostantinos Sathas. Historiografia tradicionale ka mbështetur gjithmonë idenë se shfaqjet e para të elementit shqiptar, veçanërisht në Thesali, kishin ndodhur rreth shekujve XIII-të dhe XIV-të, deri në momentin kur në vitin 1830, teoria e një historiani tirolez si Fallmerayer shkaktoi diskutime sidomos në mjediset e dijetarëve filo-helenë. Historiani Fallmerayer me zell të tepruar deklaroi se elementi i lashtë grek u shkatërrua plotësisht nga pushtimi i sllavëve dhe se pas zhdukjes territori gjeografik i Greqisë u ripopullua pothuajse nga ana e tyre.
Kultura_e_armeve
Por sipas Sathas ishulli i Qipros asnjëherë nuk u shkel e nuk u pushtua nga sllavët, me përjashtim, vetëm nëse në deklaratën e tij, Fallmerayer, me shkatërrimin e ishullit ka dashur të nënkuptojë edhe shkatërrimin e elementit grek në përgjithsi. Sathas shkencërisht ka provuar se këta pseudo-sllavë nuk ishin gjë tjetër veçse Shqiptarë dhe se bizantinët, nga injoranca, i ngatërruan gabimisht me këtë popull të lashtë. Kundërvënia objektive e Sathas ka treguar pavlefshmërinë e teorive të historianit tirolez, duke i nxjerrë thjesht si një fantazi në të cilat mungojnë dëshmitë kulturore, të gjuhës dhe të zakoneve.
Në librin “Kronikat e Qipros” në vëllimin e parë në faqen 16, Macheras shkruan: “Shqiptarët u vendosën në ishull rreth shek. IV, duke formuar një kastë më vete që ende ekziston”. Sathas vazhdon me kundërshtimin e tij duke u shprehur: “Konsiderohet e pabesueshme dhe e pamundur të mbrohet çfarëdolloj teorie e pushtimit sllav në Greqi, sidomos duke njohur faktin e pranisë së theksuar të shqiptarëve në Greqine moderne si dhe ndikimin që ka ushtruar gjuha shqipe në atë greke. Zgjidhja e kësaj çështje – vazhdon Sathas – do të na mundësojë të kuptojmë deri në çfarë mase gjuha shqipe ka ndikuar në të folurën qipriote dhe në atë greke në përgjithësi”. Fallmerayer, thellësisht i trazuar nga kritika dhe i irrituar nga teoria e tij e pabazë, në vitin 1836 vendosi të udhëtojë personalisht për në Greqi i shoqëruar nga Konti rus Aleksandër Tolstoy. Pas mbërritjes në More i bëri thellësisht përshtypje prania mbizotëruese e gjuhës shqipe aq sa më pas do të shkruaj: “E gjithë Morea është e stërmbushur nga e folura shqipe”. Në të njëjtin vit, 1836, në parathënien e vëllimit të dytë të “Geschichte” do të shprehet: “Revolucioni për pavarësinë e Greqisë ishte një revolucion shqiptar dhe jo grek”. Kështu që, edhe pse i përshkuar nga racizmi anti-helen, sipas të gjitha gjasave ai e hodhi poshtë teorinë e tij.
Tezat e sigurta të Sathas konfirmohen nga një udhëtar anglez, Simon Simeoni, që vizitoi Greqinë në vitin 1322, i cili ka lënë një përshkrim interesant mbi banorët e Greqisë së atëhershme – grekët dhe shqiptarët –, në lidhje me stilin e tyre të jetës që ishte i ndryshëm nga ajo e fqinjëve sllavë. Jo vetëm kostumet por edhe kapelet, pelerinat si dhe forma e kokës së këtyre dy popujve të afërm që i përkisnin të njëjtës fe (të krishterë ortodoksë) ndryshonin nga ajo e sllavëve. Simeoni shkruan: “Sclavi enim sunt Boemis in lingua multum conformes…Albania est provincia inter Sclavoniam (Illyria) et Romaniam (Grecia), per se linguam habens…Ipsi enim Albanenses schismatici sunt, Graecorum utentes ritu, et eisdem habitu et gestu in omnibus conformes.”. Në “Kronikat e Qipros” autori Macheras do të theksojë, ashtu siç është lartpërmendur, faktin se shqiptarët pasi mbërritën në ishull në shekullin e IV-ërt arritën shumë shpejt të krijojnë një kastë të tyren, duke detyruar pjesën me të madhe të popullatës së ishullit të adoptonte traditat dhe zakonet shqiptare. Ndërsa Sathas shkruan në parathënien e Kronikave se ndikimi shqiptar ishte i tille saqë u shtri deri edhe në të folurën e lashtë të Qipros. Ngulimet para-mesjetare të shqiptarëve në Greqi, të njohura si fiset e lashta nga vendasit, janë shqiptarët e Argolis, sot tashmë të helenizuar në masë të madhe e të quajtur ndryshe “ata të ishullit Dano-Danoa- Danaoi”. Një tjetër fis i lashtë u vendosë në malet Trifilia (Eparkia e Trifilisë) e njohur me nofkën Drèdes (luftëtarë trima). Një fis i lashtë shqiptar në Taiageto tashmë është asimiluar e shuar dhe është identifikuar nga Constantine Porphyrogenitus me emrin “Milligoi”.
Një dokument i shekullit të X-të, i gjetur dhe i botuar në vitin 1865 nga studiuesit gjermanë J.Samuel Ersch dhe J.Gottfried Gruber, na informon se Milligoi janë në fakt Mirmidoni. Në ditët tona ende një fshat në Lakoni quhet Meligoi. Sathas beson se Meligoi ose Miligoi vijnë nga malet e Pindit, ku në fakt ekziston një fis që quhet Mirmidones. Është e ditur që Mirmidones e marrin emrin e tyre nga ajo e milingonës (murmiz), dhe popullsia moderne Tzaconi që jeton në Peleponez ashtu si edhe të gjithë arbëreshët dhe shqiptarët e quajnë milingonën pikërisht “meligoi” ose “melingoi”. Pra, pyetja që lind është nëse në Taigeto u vendosën Mirmidones apo Meligoi, megjithatë një gjë është e sigurt: ata ishin një ndër fiset e lashta shqiptare.
Një tjetër temë shumë e dashur për Konstantinos Sathas ishte çështja e “Mardaites”, të cilët nuk ishin asgjë më shumë sesa paraardhësit e Stradiotëve, mercenarë që punonin me pagesë për Venedikun dhe për fuqitë e tjera evropiane gjatë gjithë periudhës së mesjetës. Bizantinët i njihnin bëmat e tyre të cilat i quanin “taktikat e Mardaites”, pasi ata ishin të parët që përdorën taktikat e kurtheve/pritave të organizuara. Shfaqja e parë e Mardaites në shërbim të bizantinëve i përket shekullit të VIII-të dhe njihet gjithashtu edhe ngulimi i tyre në Liban në vitin 677. Mbi origjinën e Mardaitëve janë bërë shumë spekulime dhe gabimi kryesor ka qëne ai i klasifikimit të tyre si një popull kur në fakt ata ishin një organizatë ushtarake (gr. Tàgma tòn Mardaitòn).
Janë dy kronistë të vjetër bizantinë që kanë shkruar rreth tyre: i pari Theophanes i cili i quan ata thjesht Mardaites; ndërsa i dyti, Patriarku Nicefor, i quan “locuntas splitas” që do të thotë “luftëtarë të cilët bëjnë kurthe/prita”. Përgjatë gjithë mesjetës emrin e Mardaitëve e hasim në Peloponez, në Kretë, në Iraklioni, në Tenos, në Keos, në Kefaloni, në Epir etj. Në Iraklioni gjejmë ushtarë me arbaletë që punonin në shërbim të Republikës së Venecias e që quheshin “Murtatos” (rif. Crhonicum Tarvisinum, viti 1372). Bizantinët në shekullin e X-të dhe XI-të i quanin “Murtaitas” dhe “Murtatus”. Në Republikën e Venecias numërohen shumë familje feudale të zonave të Tenos dhe të Kretës të cilët mbanin mbiemrin “Mordati” dhe “Mortati”, e gjithashtu gjejmë edhe versionin “Mardaiti” por tashmë jo si një organizatë ushtarake por si mbiemër familje (rif. Cancelleria Secreta).
Georgio Codino, në “De Officialibus palati Costantinopolitani” dhe në “Officis Magnae Ecclesiae” – të dyja të botuara nga I. Bekker në vitin 1839 –, na liston midis personaliteteve të oborrit perandorak të Konstandinopojës të shekullit të XV-të edhe mbiemrin e familjes Murtaites, me titujt perandorak të Mega Murtaites dhe të Stratopedarchēs Murtaites. [shënim i përkthyesit: stratopedarchēs (gr. στρατοπεδάρχης “komandant i kampit ushtarak”), ishte një term i përdorur në lidhje me rangun më të lartë të komandantëve ushtarakë duke nisur nga shekulli i parë i erës sonë e që më pas do të transformohet në një titull nderi gjatë Perandorisë Bizantine. Ndërsa në Perandorinë Romake termi në latinisht ishte “Praefectus Castrorum” që do të thotë Perfekt i Kampit Ushtarak.]
Pra, edhe në Konstandinopojë ata do të transformohen nga një organizim ushtarak në rangun e një familje feudale të nivelit të lartë. Sigurisht gjendeshin madje edhe në Peloponez si feudalë dhe si burra të aftë ushtarakë, dhe këtë fakt na e konfirmon pikërisht Anna Komneni në vitin 1103. Pikërisht ajo na informon se feudalët e Peloponezit shkëlqenin në luftime dhe sidomos në ato detare.
Në regjistrat e dy ekspeditave ndëshkimore ushtarake kundër arabëve në ishullin e Kretës, Mardaites furnizuan me luftëtarë Flotën Perandorake Bizantine, herën e parë me 5087 luftëtarë dhe herën e dytë me 3000 luftëtarë të armatosur. Këto shifra përfaqësojnë vetëm kontingjentet e ofruara nga Mardaites së Peloponezit, të Epirit dhe të Qefalonise (rif. Historia Miscella).
Por kush ishin në të vërtetë Mardaites dhe a kishin origjinë shqiptare, greke apo lindore? Përfundimisht Mardaites nuk ishin një popull por ishin një trup luftëtarësh, taktika kryesore e të cilëve ishin pritat dhe këto ishin taktika tipike të shqiptarëve si të Shqipërisë ashtu edhe të Greqisë. Në trevën e Çamërisë dhe në një tjetër të Shqipërisë veriore ende ruhet kujtimi i Mardaites: Mirditia. Përveç kësaj, emri Mardaiti rrjedh nga termi shqiptar “marda” me kuptimin “palosje”. Emri gjendet sot i rrallë në Epir e në disa zona gjendet në formën “Mirtidi” e në të tjera në formën “Mortati”, ndërsa në Greqi në Eparkine e Trifilisë gjejmë një fshat antik shqiptar që quhet “Mortatu”. Si konkluzion del se emri “Mardaiti” ka mbërritur në territorin ku shtrihet Greqia e sotme përpara periudhës së mesjetës.
Një aspekt tjetër shumë i rëndësishëm e i përbashkët për të dy popujt – shqiptarët dhe grekët –, është vallja Pirrike (vallja e Pirros).
Sipas disa studiuesve, krijuesi i kësaj valle luftarake mendohet se ishte zoti Pirricos Kouretes ndërsa sipas disa të tjerëve ishte Pirro, i biri i Akilit. Kjo valle – që nga grekët e sotëm njihet si valle e Arvanitasve të cilët e quajne “Bale” (me B dhe jo me V) –, me siguri është me origjinë nga Epiri dhe ka qënë shumë e përdorur gjatë periudhës së perandorit bizantin Constantine Porphyrogenitus që zakonisht e quante në greqisht “balesmos”. Nga ana tjetër venedikasit e quanin “Moresca” për origjinën e disa pantomimave. Studiuesi G. Haecquard shkruante se: “Vallja e shqiptarëve të Kretës është një kompozim hedhjesh … që do të imitojë skenat e jetës … një lloj valle e quajtur “Bale” e cila përdoret nga shqiptarët që nga agimi i kohërave”.
Nxjerrim si përfundim, pra, se këta shqiptarë të lashtë të ardhur para mesjetës në territorin që sot quhet Greqi, kanë lënë një shenjë të thellë në çdo disiplinë e nuk ka dyshim se progresi i historisë do të na informojë me më shumë saktësi, mbi datat, rrethanat dhe ngjarjet.
Referenca Bibliografike:
1) K. Sathas Mnemeia Elleninikes Historias – Documents inèdits relatifs à l’histoire de la Grèce au Moyen Age Vol. IV, Prefazione. Paris Maisonneuve et C Editeurs 1881;
2) Leontioi Makaira, Cronique de Chypre (Testo Greco). Pubblicazione e cura di E. Miller e K. Sathas (Ecole des Langues Orientales Vivantes). Paris, Ernest Leroux Editeur 1882;
3) Itinerarium Simeon Someoni Cambridge 1914 in K. Sathas o.c.;
4) Leonici Calcondylae, Istoriarum Demonstrationes, Budapest 1922 in K. Sathas o.c.;
5) J. Samuel Ersch e J. Gottfried Gruber, Encyclopedie historique Allemande. Paris 1883;
6) Alfred Nicolas Rambaud, L’Empire Grec au X° siécle, Costantin Porphirogènit. Librarie A. Frank, Paris 1870.