Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë njoftoi se një avion i llojit SU-34 të Forcave Ajrore të Fedaratës Ruse dje e ka shkelur hapësirën ajrore turke.
Në deklaratën me shkrim të ministrisë thuhet se para shkeljes së hapësirës turke avioni rus shumë herë është paralajmëruar në rusisht dhe anglisht nga ana e njësiteve të radarit ajror turk.
Në deklaratën thuhet se shkelja është tregues i ri i veprimeve të Rusisë për përshkallëzimin e problemeve.
"Dje (29 janar 2016) me kohën e Turqisë në ora 11:46 një avion i Forcave Ajrore Ruse të llojit SU-34 e ka shkelur hapësirën ajrore turke. Para shkeljes, avioni rus është paralajmëruar nga njësitë e radarit ajror turk në gjuhën ruse dhe angleze. Pavarësisht paralajmërimeve të bëra nga ana e shtetit tonë dhe NATO-s, kjo shkelje është tregues i ri dhe konkret i veprimeve të Rusisë për përshkallëzimin e problemeve", thuhet në reagimin e MPJ të Turqisë.
MPJ e Turqisë i bën thirrje të hapur dhe të qartë Federatës Ruse që të veprojë me përgjegjësi që të mos shkilet hapësira ajrore turke, por gjithashtu edhe hapësira ajrore e NATO-s.
"Edhe një herë theksojmë se përgjegjësia e zhvillimeve serioze të padëshiruara të cilat mund të dalin si pasojë e veprimeve të papërgjegjshme, tërësisht i përkasin Rusisë. Këto çështje mbrëmë iu bënë me dije ambasadorit rus në Ankara i cili u thirr në ministri. Shkelja në fjalë është dënuar ashpër dhe fuqishëm", thuhet ndër të tjera në reagimin e MPJ të Turqisë.
Tags
bota