Kanë parë t’u çnderohen dhe t’u shpohet barku me thikë grave, motrave dhe vajzave të tyre. Vetë janë tredhur, ndërsa për ushqim u është servirur me dhunë mishi i fëmijëve të pjekur në furrë. Të pjekur, teksa përpëliteshin të gjallë mes flakëve!Kjo është Çamëria 1944 dhe çfarë do të lexoni më poshtë është gjithçka që vjen po nga ky vit; dëshmitë e çamëve të mbijetuar pas masakrës që kryen mbi ta bandat kriminale ortodokse të Napolon Zervës. Qindra mijëra myslimanë shqiptarë u përzunë nga tokat e tyre në Çamëri, 2 800 u vranë pabesisht atje, ndërsa rreth 2 700 të tjerë vdiqën rrugës teksa vinin në Shqipëri, nga plagët, etja, uria dhe sëmundjet. Pikërisht në këto rrugë ku u kanë ngelur eshtrat e më të dashurve të tyre, 67 vite më pas, të shtunën, çamët përkujtuan gjenocidin. Me lule, këngë e vallë çame, vaje të recituara mjeshtërisht nga Mirush Kabashi dhe shoqëruar nga tinguj të ëmbël violine të mjeshtres Elda Kamolli, nga Kllogjeri dhe Qafë-Bota i Konispolit ju sjellim dëshmitë më horror që mund të keni dëgjuar….
Gjatë ceremonisë përkujtimore të shtunën te varrezat simbol të çamëve në Kllogjer
Mace në çitjane
Më shumë se sa plumbat, kanë përdorur thikat. Jo për efekt kursimi, por kënaqësie. Sepse, kur bandat e Napoleon Zervës ngulnin thikat nëpër trupin e çamëve myslimanë, nxirrnin që andej copa mishi dhe qeshnin duke lyer këmbët me gjak… Këto janë fjalët e një 96-vjeçari që, teksa numëron të afërmit që i kanë vdekur nga kjo masakër, gishtat e dorës nuk i dalin. Ndërsa jetën ia ka shpëtuar një miku i tij grek, me të cilin kishte bërë ushtrinë. “Nuk përdornin plumbat, vetëm thikat. E kam para syve edhe sot se si i çanë barkun një gruaje me thikë. Kur desha të afrohem, pashë një gropë me të vdekur. Aty e hodhën edhe atë të shkretën”, kujton Mersin Hajrullau, që është vështirë ta pyesësh më tej, për shkak të emocioneve që duket sikur e mbysin. Me moshë pak më të vogël, por me të njëjtën dëshmi, vjen edhe Harun Zeneli. Përveç thikave, ai përmend një detaj të çmendur. “Grave u fusnin mace nëpër çitjane, por pasi ua kishin çarë më parë barkun. Ato i gërvishtnin nëpër plagë, por edhe u lëpinin gjakun apo fillonin t’u hanin mishin e lëshuar prej thike”, rrëfen ai. Pas tij, sapo dëgjon fjalën mace, një grua e veshur me të zeza dhe embledhur grusht hidhet përpjetë. Është njëra prej tyre që e ka provuar… Ashtu si nëna e saj, motrat dhe disa kushërira. Të gjitha të çnderuara nga kriminelët nën komandën e Zervës. E ëma i ka vdekur gjatë përdhunimit, pasi ishte shtatzënë, dy nga motrat minorene i janë vrarë në sy, ndërsa vetë është përmendur kohë më pas dhe nuk e ka të qartë se si. “Më gjetën në Filat, pa ndjenja. Kur më zgjoi familja Sulçe që edhe më mori me vete më pas, kujtoja deri te vrasja e motrave, pasi i përdhunuan të dyja në një dhomë”, thotë Fatimja, ndërsa ul kokën sa herë flet për çnderimin edhe pse tashmë është stërgjyshe.
Hajrie Karameto, e mbijetuar nga masakra dhe uria
E poqën të gjallë
Emine Lluri dhe Mejreme Beqo takohen pas 8 vitesh. Njëra sapo është kthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa tjetra nga Tirana. Të dyja kanë ardhur posaçërisht në Kllogjer për të nderuar dhe respektuar kujtimin e të afërmve të tyre, shumë prej të cilëve u kanë ngelur pikërisht në këto rrugë ku puthin tokën pa fund. Janë nga i njëjti vend, Marglliçi, kanë të njëjtën moshë, ashtu siç kanë edhe të njëjtën dëshmi. Kanë parë të piqet i gjallë në furrë djali i komshinjve të tyre, familjes së Gjinikasve. “Quhej Nail dhe ishte 16 vjeç, i biri i Zuhuries dhe Rizait. Sa djalë i pashëm, i mbarë, punëtor… Po ku-lloste bagëtinë kur Vasil Balluni, gjeneral i Napoleon Zervës, me grada po ashtu si ai, ishte një kriminel gjakpirës, e kapi djalin me forcë dhe e solli në fshat. Atëherë ishin furrat e mëdha se edhe familjet ishin të mëdha. Dhe pasi e rrahën si kafshë, e torturuan me thika si kafshë, e futën në furrë të gjallë dhe e poqën po si kafshë. Sikur të mos mjaftonte kjo, qeshnin me të madhe dhe ofendonin teksa djali ulërinte nga plagët dhe dalëngadalë iu shuajt zëri”, rrëfen Eminia, ndërsa mikesha e saj, Mejremja, ia ledhaton flokët dhe e përqafon pas çdo fjalie që thotë. Teksa Eminia përlotet dhe ngec për pak çaste, Mejremja vijon historinë e familjes Gjinika: “Pas pak ditësh, disa miq të familjes Gjinika arrijnë dhe kapin djalin e Bullunit dhe ia çojnë në shtëpi Rizait. I thonë ja ku e ke, merre dhe piqe të gjallë siç bënë me Nailin. Rizai, burrë i mençur dhe shumë i ndjeshëm, çohet dhe e sheh djalin nga afër. Ia prek djalit mjekrën që sa kishte filluar t’i rritej, e ledhaton pak dhe jep urdhër që ta lajnë, ta rruajnë dhe t’i vishnin rrobat më të mira të Nailit. Më pas, mbledh burrat dhe e ul në tavolinë të hajë me ta, pasi kishte porositur që të therej një dash. Për disa ditë e mban në shtëpinë e tij me gjithë të mirat dhe më pas, me disa njerëz ia kthen babait të tij duke i çuar njëkohësisht dhe mesazhin që nuk është ai”. Të dyja gratë, të humbura nëpër masakrat e atyre viteve, nuk dinë ç’të rrëfejnë më parë. Fillojnë një dëshmi, vijojnë një tjetër dhe përfundojnë me të tjera… “Kujt ia merrte mendja që do të shiheshim sërish. Tani që u takuam, do të shkojmë te tokat tona”, thotë Mejremja. “Kam marrë dhe pasaportë amerikane, tani nuk më ndalojnë dot më”, shton Eminia, teksa nxjerr dokumentin amerikan. Të refuzuara disa herë nga Policia Kufitare greke, me mëkatin e vetëm se janë çame, dy gratë që tashmë kanë kaluar 90 vite nuk kanë shkelur që nga adoleshenca në fshatin e lindjes. Në moment ato vendosin: Këtë javë do të ikim, gjallë a vdekur!
Vargjet e një 90-vjeçareje
Nga Kllogjeri në Qafë-Botë, të shtunën ishte një ditë kujtimi, respekti, por edhe çudie. Një 90-vjeçare recitonte gjithë kohës. Një aktrim i vërtetë, do të thoshin profesionistët. Një dëshmi në vargje themi ne pasi e dëgjojmë. “I kam kaluar 90 vjet, por kam 78 vjet që i mbaj mend përmendësh. M’i ka mësuar nuja (nëna) që fëmijë”, thotë e moshuara. Ndalon për pak dhe hyn në bisedë, duke thënë njëkohësisht edhe emrin. Duket se i pëlqen prezantimi i plotë: Quhem Fahro Luçite Braho, jam nga Lopesi dhe jam e martuar me Brahim Ademin. Më pas, sikur të ishte në skenë, merr qëndrim, bëhet shumë serioze dhe thotë vargjet me dialektin çam, duke bërë gjeste me duar dhe kokë: “Moj Kllogje shqiptare/ u bëre për çamët varre/ është pak një lapidar/ kemi xhixhotë, hem kushërinjtë e parë…”. Si një recituese profesioniste, gruaja 87-vjeçare ulet në gjunjë dhe, duke këputur një lule që rastisi aty pranë, vijon nën lot: “nanë ç’minxirë ke parë/ tregomë ku e kanë varrë/ të marr dyfeqin (pushkë) me gjerdanë…). Kalojnë disa minuta, por Fahroja nuk ndalet. Vargjet e saj nuk janë thjesht elegji, por edhe dëshmi të masakrës së Napoleon Zervës. Flet për vajza të çnderuara në sy të familjes, gra shtatzëna që u është shpuar barku me bajonetë, burra që u janë nxjerrë sytë dhe janë tredhur… Fryma fillon t’i merret, sytë i ka mbyllur krejtësisht dhe bie në tokë. Nxitojmë të gjithë ta ngremë. Vjen shpejt në vete dhe në përgjigjen e parë që të jep, pasi i thërret në emër, thotë: “Tani sikur u çlirova pak. Ndjehem më mirë”. Ndjehem më mirë përsërit, por duket se nuk është edhe aq mirë. Me vetëdije kërkon që të rrijë aty e ulur…
Familja më vdiq nga uria
Vetëdija duket se është ringjallur fuqishëm te shumë moshatarë të saj, pavarësisht se shkenca në këtë rast do të ishte treguar dyshuese. Si Bahro, ulen dhe shumë gra e burra. Është dita e vetme kur bashkohet dhimbja e tyre dhe, duke e rrëfyer, edhe pse e kanë bërë dhe vite të tjera, duket se lehtësohen disi. “Ulemi dhe flasim. Secili nga ne kujton diçka të dhimbshme nga vetja dhe flasim. Sikur lehtësohemi pak”, thotë Hajrie Karameto. Ka qenë fëmijë 7 vjeç kur ia kanë masakruar familjen, por flet sikur të kishte qenë 70 vjeç. Rrugës së arratisjes nga Çamëria drejt Delvinës ka lënë të vdekur babanë, nënën, një vëlla, nusen e xhaxhait dhe dhjetëra të afërm të tjerë. “Unë nuk e di se si jam gjallë. Prindërit më vdiqën nga uria, pasi gjithçka gjenin për të ngrënë, na e jepnin ne fëmijëve. Vëllai më i vogël që ishte shëndetligë që kur lindi dhe ishte me gji, vdiq, pasi nëna nuk pati më qumësht që t’i jepte”, kujton Hajria. Si Hajria janë edhe të afërmit e 2 700 të vdekurve të tjerë nga uria…
Përkujtimore pa opozitë
Duhet të ishte një homazh pa dallime partiake dhe i tillë u bë organizimi, por nuk ishte e tillë pjesëmarrja. Në ceremoninë e 67-vjetorit të masakrës së forcave zerviane ndaj popullsisë çame merrnin pjesë deputetë dhe kryetarë partish, por asnjë prej tyre nuk ishte nga krahu i majtë. Duket se edhe kësaj here bindjet politike kanë qenë krejt të pabindura, edhe pse bëhej fjalë për një datë që tashmë është kthyer në traditë kujtimi e respekti për dhimbjen e çamëve dhe mungonin krejtësisht parullat partiake. Përveç përfaqësuesve më të lartë të PDIU-së, si Shpëtim Idrizi, Tahir Muhedini dhe Dashamir Tahiri, ra në sy edhe Princ Leka, kreu i PLL-së, Ekrem Spahia, Bujar Leskaj, Osman Metalla etj.
Çamë të krishterë
Pavarësisht besimit, çamët e krishterë duket se u janë gjendur pranë atyre myslimanë. Herë me informacion, herë me ushqim e veshje e herë deri në rrugëtim të përbashkët përmes kufirit. Teksa i pyet dëshmitarët që provuan masakrën, thonë se shumë prej tyre kanë shpëtuar pikërisht nga ndihma që u dhanë vëllezërit e krishterë. Për të tilla gjeste përmenden kryefamiljarët e fiseve ortodokse, si Strati Vrisi nga Grikohori, Gaqo Sholiu, Kozma Zoi etj., të cilët kanë strehuar në shtëpitë e tyre dhjetëra çamë myslimanë dhe shumë e shumë të tjerëve u kanë dhënë informacion për vendndodhjen e forcave zerviste.
Riblerja e pronave
Kujtime për çamët, premtime, por edhe mënyra zgjidhjeje kanë ardhur të shtunën nga kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi. Ai i propozoi dje Greqisë edhe riblerjen nga ana e çamëve të pronave të tyre: “Ne shqiptarët e Çamërisë jemi gati t’i blejmë prapë pronat tona dhe t’i ndihmojmë fqinjët tanë, të cilët janë në një katastrofë ekonomike. Ne do t’i thyejmë kufijtë e padrejtësisë kombëtare me lule dhe demokraci, me themelin e të drejtave të njeriut”, tha ai, ndërsa u mbështet nga presidenti i nderit i PDIU-së, Tahir Muhedini, dhe deputeti Dashamir Tahiri. Por, mbi të gjitha nga çamët, që shpërthyen në brohoritje kur dëgjuan këtë fjali…
Incidenti
Deputeti Dashamir Tahiri dhe gazetarët nuk kanë qenë dje të vetmit që u refuzuan në Qafë-Botë, kufiri zyrtar që lidh Shqipërinë me Greqinë. Krejt jashtë vëmendjes mediatike, të ndarë veçmas, dy çamë me lule dhe pasaporta në dorë tentuan të kalojnë kufirin, por që larg nisi refuzimi i tyre me shenja dhe tabela nga policët. Më pas, edhe refuzimi zyrtar me vulë!
Lulzim Osmani kërkon kthimin në Çamëri (Parulla në anglisht: Zot të lutem! Na kthe në Çamëri)
“Gjallë a vdekur, do të kthehemi te pronat tona në Çamëri”
Gjallë a vdekur, ka qenë fjalia më e dëgjuar e natës së shtunë në Qafë-Botë. Nuk janë mjaftuar më vetëm me rrëfime historish, por edhe kanë diskutuar së bashku për t’u kthyer përfundimisht në Çamëri. Shumë prej tyre kanë tentuar, por janë kthyer mbrapsht që në kufi. “Nuk janë të kthyer vetëm ato pak raste që janë publikuar në media, jemi familje të tëra që jemi refuzuar në Ambasadën Greke dhe aktualisht në kufirin grek për të shkuar në vendlindje, edhe pse i kishim të gjitha dokumentacionet në rregull. Nuk do të heq dorë kurrë, sepse e kam amanetin e fundit të nënës që më vdiq në krahë”, thotë Shadie Sulaj, ndërsa përsërit disa herë me zë të lartë: Gjallë a vdekur! Gjallë a vdekur, është edhe një amanet për Lulzim Osmanin. Ashtu si këto dy gra, babai i tij i kishte kërkuar që ta çonte në fshatin e lindjes pranë Igumenicës, por gjallë nuk ia arriti dot. Po edhe i vdekur, akoma… Ai vdiq i refuzuar në mars të këtij viti, ndërsa i ka thënë Lulzmit në shtratin e vdekjes që më 25 qershor të vinte në Kllogjer dhe të merrte pak dhe e t’ia hidhte varrit të tij. “Ishin fjalët e fundit të babait para se të ndërronte jetë. Vdiq i malluar për vendlindjen. Më bëri që t’i premtoja se sot do të vija këtu dhe të merrja një grusht dhe e t’ia hidhja sipër varrit të tij, ndërsa me mundësinë e parë që do të gjej, eshtrat do t’ia çoj në fshatin e tij të lindjes. Atje do të jetojmë edhe ne një ditë”, thotë Lulzimi. Në dorë mban një flamur që e ka stiluar vetë, Kosova dhe Çamëria në një hartë të vetme me Shqipërinë, ndërsa mes përmes dallon shqiponja, por vetëm me një kokë. Dhe ajo, e kthyer nga Çamëria. “Sepse çështja e Kosovës u zgjidh. Tani koka e Shqiponjës ka ngelur vetëm nga Çamëria, duhet të kthehet drejtësia e popullit çam në vend, e të gjithë shqiptarëve në vend. Nuk ka Shqipëri pa Çamëri”, thërret burri 61-vjeçar e në çast ngre lart flamurin. Bashkë me të, edhe disa parulla shqip-anglisht për Çamërinë…