Historia është se si ne e shohim veten në të kaluarën. Në periudhën post-komuniste në tranzicion në Shqipëri dhe gjetiu në Ballkan, ajo ka qenë një temë e diskutueshme dhe e rëndësishme jo më pak se sa ajo ishte nën komunizëm, apo në sistemet e mëparshme politike. Institucionet ndërkombëtare perëndimore, si Bashkimi Europian, kanë bërë financime dhe janë angazhuar për atë që ka qenë konsideruar si ‘modernizim’ i historisë komuniste të ‘rreme’ ose të ‘shtrembëruar’. Arsyeja pse unë i hyra këtij studimi ishte se në realitet është shënuar një ndryshim shumë i kufizuar në drejtim të shkrimit ndërnacional të historisë që nga viti 1990, dhe se shumë shkrime historike post-komuniste shqiptare qëndrojnë në kornizat intelektuale në lidhje me identitetin kombëtar, kryesisht në gjuhësi dhe arkeologji, që u zhvilluan në periudhën komuniste. Për më tepër, disa aspekte të të shkruarit pas viteve1990 kanë mishëruar në të vërtetë fuqishëm konceptimet mbarëshqiptare, për shkak të ‘ndreqjes’ së historive të Ballit Kombëtar në Kosovë dhe ish-Maqedoninë jugosllave Perëndimore / Republika e Maqedonisë, të ndrydhura nga sistemet arsimore titiste dhe enveriste. Rëndësia e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në arritjen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 ka të ngjarë të përforcojë analizën e traditave partizane dhe jozyrtare ushtarake në historiografinë shqiptare të Kosovës.
Është e rëndësishme që të sjellim ndër mend se historia shqiptare politike, ekonomike dhe ushtarake gjithmonë ka qenë pak e njohur jashtë vendit, në të vërtetë mund të thuhet se për periudha të gjata vështirë se mund të thuhet se kanë ekzistuar këto njohuri. Studimet e huaja janë përqendruar gjithmonë në historinë kulturore, gjuhën dhe letërsinë, nga përkthimet dhe tekstet letrare të botës veneciane të Buzaut dhe pasardhësve të tij ndaj hulumtimeve shkencore të helenizmit austriak nga Johannes von Hahn në shekullin XIX. Lexuesit anglezë në gjysmën e dytë të shekullit XIX mund të kenë mësuar për Skënderbeun nga poezia e Henri Uadsuorth Longfellout (Henry Wadsworth Longfellow), ashtu si pesëdhjetë vjet më parë Bajroni kish përcaktuar një imazh të Shqipërisë në veprën e tij. Nuk do të kishte qenë e mundur për ta që, në të njëjtën kohë, të shkonin në ndonjë librari në Londër apo Nju Jork dhe të blinin një histori të Shqipërisë, të çdo lloji, qoftë ky një libër i mirë apo i keq.
Në shumicën e kësaj tradite kulturore, figura e Skënderbeut, ikona kombëtare e shekullit të pesëmbëdhjetë ka qenë gjithmonë qendrore, duke mishëruar imazhin heroik të rezistencës më të spikatur popullore shqiptare kundër pushtimit osman. Para tij në gojëdhëna kishte vetëm shtypje, disfata, mister dhe pasiguri. Këta faktorë negativë u rishfaqën pas vdekjes së tij, me vendosjen e qindra vjetëve të sundimit osman. Pas Skënderbeut, shqiptarët u ‘zhdukën’ në Perandorinë Osmane, për t’u rishfaqur në traditën letrare angleze në periudhën romantike nëpërmjet Bajronit dhe përshkrimeve në poezitë e tij në oborrin e Ali Pashë Tepelenës. Në Francë, një autor si Pukëvili (Pouqueville) kreu të njëjtin rol. Pas rënies së Ali Pashës ndodhi një tjetër eklips i shkurtër, dhe pastaj historia shqiptare ‘filloi përsëri’ të flasë, në këtë perceptim, në periudhën e Rilindjes të mesit të shekullit të nëntëmbëdhjetë që përkon me ripërtëritjen e ndjenjave kombëtare me formimin e Lidhjeve të Prizrenit dhe të Pejës, pas vitit 1878. Kongresi i Berlinit pa mbërritjen e çështjes shqiptare në stadin diplomatik europian. Një brez pas saj erdhi shfaqja e ngadaltë dhe e pasigurt e shtetit të ri kombëtar shqiptar pas rënies së sistemit otomaniii.
Pas pavarësisë në vitin 1912 dhe dështimit të aspiratëse për bashkimin kombëtar të shqiptarëve në konferencat e mbajtura para Luftës së Parë Botërore, historia shqiptare u përfshi në krizën rajonale që gllabëroi Ballkanin gjatë dhe pas konfliktit botëror. Mbijetesa e kombit ishte problematike dhe pa angazhimin e Shteteve të Bashkuara për një shtet të pavarur shqiptar në periudhën e negociatave të Traktatit të Versajës, kishte të ngjarë që ky territor të ishte ndarë midis Greqisë dhe Serbisë. Historia e periudhës midis luftrave është e njohur mirë, me monarkinë e brishtë zogiste që po gëlltitej nga Italia fashiste e Musolinit në vitet 1930.iv Çfarëdo interpretimesh që janë bërë për atë periudhë, në kuptimin e atmosferës së përgjithshme të historiografisë, duhet thënë se imazhet heroike ishin të pakta. Vetëm në historinë e Kosovës kanë zenë vend episode të tilla dhe këtu flitet për martirizimin, me figura të tilla si Bajram Curri dhe Hasan Prishtina, të cilët luftuan për nacionalizmin shqiptar parimor, duke humbur jetën e tyre në rrethana poshtëruese dhe të vështira.
Por me Luftën e Dytë Botërore, pushtimi nga forcat e Boshtit i Shqipërisë dhe Kosovës siguruan një terren ku diskutimi tradicional i rezistencës heroike ndaj pushtimit kombëtar mund të rifillonte. Ushtria komuniste partizane u përshtat me sukses ndaj instinkteve natyrore të pjesës më të madhe të shqiptarëve kundër forcave të Boshtit, duke zhdukur forcat e tjera të rezistencës, dhe bëri një rezistencë të shquar ushtarake në vitet 1943-1944 për çlirimin e kombit. Duke vepruar kështu, natyrshëm kryen edhe një luftë civile kundër nacionalistëve jo komunistë të bazuar kryesisht në veri të vendit, disa nga të cilët, si familja Kryeziu kishin qenë patriotë dhe që nuk kishin bashkëpunuar me forcat e Boshtit.
Ushtari partizan si individ u bë hero universal, ndërsa nga ana tjetër vetë Partia Komuniste përvetësoi heroiken, pasqyrimin e një kombi të vogël dhe të shtypur që gjeti sërish forcën, për të luftuar kundër pengesave të mëdha të forcave të huaja, dhe për t’i kapërcyer ato. Por ndërsa partizanët padyshim që dominuan forcat e rezistencës në Shqipëri, dhe triumfuan, në Kosovë dhe Çamëri dhe në trevat me shumicë shqiptare në atë që u bë Republika Socialiste e Maqedonisë në kuadër të Jugosllavisë së dytë, historitë në këto vende të ndryshme ishin shumë të ndryshme. Në Çamëri / Threspoti në Greqinë veri-perëndimore popullsia e mbetur shqipfolëse u dëbua ose u vra në vitin 1944 mbi bazën e bashkëpunimit të pretenduar me forcat e Boshtit nga milicia e djathtë e Napoleon Zervës, ndërsa në Kosovë dhe në Maqedoninë Perëndimore vetëm shumë pak shqiptarë etnikë kishin qenë aktivë me partizanët titistë. Shumica kishin qenë të lidhur me lëvizjen nacionaliste të pavarur të Ballit Kombëtar e cila u mund dhe u arratis. Kishet partizanë çamë, siç thekson Enver Hoxha në librin e tij mbi marrëdhëniet shqiptaro-greke “Dy popuj miq”, por ata ishin të paktë në numër dhe në situatën kaotike ushtarake në Epir ndërsa fuqia e Boshtit mori fund, çamë të tjerë luftuan në ushtrinë e rezistencës komuniste ELAS dhe disa me Ushtrinë Komuniste Demokratike në fazat e mëvonshme të Luftës Civile greke. Numri i vogël i luftëtarëve partizanë shqiptarë të Kosovës, më i shquari ndër të cilët, Fadil Hoxha u bë më vonë udhëheqës i Lidhjes së Komunistëve në Kosovë, kishte për të kapërcyer trashëgiminë e vështirë të pjesëmarrjes shqiptare në Kosovë në Divizionin SS nazist ‘Skënderbeg’, i cili ishte përdorur kundër partizanëve malazezë në fazën e fundit të Luftës së Dytë Botërore. Në Kosovë lideri më i aftë ushtarak i partizanëve shqiptarë etnikë, Kolonel Qemal Brovina u radhit në vitin 1948 me ata që ishin në favor të linjës ruse dhe ai u arrestua nga policia sekrete e Titos dhe u burgos në kampin e punës Goli Otok në Adriatik.v
Në vitin 1945, komunistët shqiptarë trashëguan këtë histori të vështirë.vi Kjo ishte një histori e pranisë kulturore dhe letrare në Perëndim, si dhe një prani antropologjike e hulumtimeve të udhëtarëve të hershëm si Mary Edith Durham, ashtu si historia mbizotëruese e Serbisë në botën anglisht-folëse ishte (dhe mbetet) ushtarake, ‘roje te porta’ siç tregon titulli i librit të midis luftërave të R.G. Laffan.vii Ajo kishte qenë paraprirë nga vepra të shumta, pak a shumë libra propagandistikë mbi marrëdhëniet britaniko-serbe në periudhën e Luftës së Parë Botërore. Një titull domethënës është ai “Serbia – Parajsa e të varfërit” i Herbert Vivian.viii Vështirësitë e periudhës së Zogut dhe rënia e kombit nën shtypjen e Italisë fashiste të Musolinit i shtuan vështirësitë për historianët. Kishte pak histori të ‘mirë’ për t’u rrëfyer në shekullin e njëzetë pas Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë në vitin 1912. Në kuptimin e ndarjes me periudha, kemi një shekull të nëntëmbëdhjetë të shtrirë dhe shumë ‘të gjatë’ në historinë shqiptare, duke filluar nga rreth 1810-a dhe përhapja e njohjes së Ali Pashës, deri në shpalljen e pavarësisë në Vlorë, e cila u fitua vetëm në shekullin e njëzetë më 1912. Për studiuesit britanikë të fokusuar mbi origjinën dhe zhvillimin e idealit kombëtar jugosllav, periudha e ringjalljes kombëtare shqiptare, Rilindja dhe Pavarësia, nuk dha një figurë të vetme heroike të ‘babait themelues’ për t’u krahasuar me Vuk Karaxhiçin në historinë kulturore serbe. Heronjtë shqiptarë të Kosovës ishin luftëtarë, aktivistë, si Isa Boletini dhe Hasan Prishtina, sikurse kishte qenë në të vërtetë edhe Skënderbeu. Shkrimet e historianit të madh prusian Leopold von Ranke krijoi një model të ngjashëm të perceptimeve në botën gjermanike, ku studimi i tij për shfaqejn serbe dhe malazeze nga botët otomane dhe veneciane në gjysmën e dytë të shekullit të 18-të, krijuan kredencialet ‘heroike’ të këtyre kombësive si faktorë kryesorë në Ballkanin pas Napoleonit.ix
Në vitet e pas Traktatit të Versajës dhe marrjes së pushtetit nga Ahmet Zogu (i cili më vonë u bë Mbret), pak shkrime të konsiderueshme historike u prodhuan në Shqipëri. Tradita historike ishte ende kryesisht gojore, kjo ndodhte më së shumti edhe ne Jugosllavinë e sapo-krijuar. Ishte koha e veprës me krijime të zgjedhura të folklorit epik të Lordit Albert, Milman Parry-i e të tjerëve, ndërkohë që veprat epike i tejkalonin kufijtë kufijtë bashkëkohorë të kombit, sikurse tregon përzgjedhja e Parry-t për kufijtë aktualë shqiptaro-malëzezë dhe serbë. Këto krijime epike ishin në një kuptim real, historia e etnosit në këndvështrimin Rankeian. Shtysë themelore e qeverisë së re komuniste pas vitit 1945 ishte për ta vënë historinë, ashtu si dhe pjesët e tjera të shoqërisë, në baza “shkencore”. Kjo bëhej për të kombinuar me fushatat kundër analfabetizmit masiv – para vitit 1939 vetëm një pjesë e vogël e popullsisë mund të lexonin dhe shkruanin, ndërsa arsimi i mesëm dhe i lartë nuk mund të imagjinoheshin jashtë disa qyteteve më të zhvilluara si Korça dhe Shkodra, madje në një farë mase edhe në kryeqytetin Tiranë. Në zonat rurale dhe malore, analfabetizmi ishte thuajse masiv. Kjo fushatë kundër analfabetizmit bëri që të dukeshin disa përparime të ndjeshme drejt modernitetit në disa fusha. Në zhvillimin e arsimit të lartë, pas vitit 1955, në disiplinën kryesore të historisë së lashtë të arkeologjisë ishin shënuar përparime. Ata u ngritën mbi përpjekjet e paraluftës të arkeologëve të huaj si Ugolini në Butrint dhe Leon Rey në Apolloni, të cilat u morën përsipër nga një brez i ri i studiuesish vendas, si Hasan Ceka. Ky hulumtim u përqendrua në objektivin e përforcimit të origjinës ilire të popullit shqiptar, si dhe të fillesës së tyre.x Pra, në shumë mënyra, kjo shënoi sjelljen e çështjeve bashkëkohore kombëtare në traditën intelektuale shqiptare. Puna ndoshta mund të krahasohet me vendosjen e gurëve të themelit për një ndërtesë të madhe, që kishte të bënte me ndërtimin e një historie në vazhdimësi të aktivitetit dhe arritjeve shqiptare. Ilirët ishin kooptuar në ‘idealin heroik’ të komunizmit në të tashmen shqiptare, me gjithë implikimet e zakonshme të një etnosi që luftonte kolonizimin e jashtëm nga Greqia dhe Roma. Por sigurisht, dihet pak për shumë aspekte të shoqërisë ilire, pasi ata fare pak gjëra të shkruara kanë lënë pas. Kështu ata kanë kontribuar ndjeshëm në bërjen heroike, por pjesërisht mitike – të imazhit të së kaluarës shqiptare, ndërsa disa figura të shquara të botës klasike dhe atë para-klasike, si mbreti Pirro i Epirit, ishin quajtur proto-shqiptarë. Pirro është simbolikisht i rëndësishëm, pasi e kaluara e tij ishte e lidhur me rezistencën ndaj pushtimit të huaj dhe mbrojtjen e territorit të vendit, një temë kryesore politike kjo për komunistët shqiptarë gjatë gjithë periudhës së sundimit të tyre nga viti 1945 deri në 1990. Regjimi komunist mund të thuhet se ka pasur disa suksese të vërteta në këtë drejtim, ndërsa arsimi shqiptar deri në ditët e sotme i ka pranuar këto ‘zbulime’, si pjesë e urtësisë së pranuar kombëtare dhe që është tërësisht e pakundërshtueshme. Rrëfimi i komunistëve ka vazhduar të mbetet një rrëfim kombëtar edhe gjatë viteve të gjata të qeverisë së djathtë të Dr. Sali Berishës në periudhën post-komuniste. Është ndoshta domethënëse se statuja e madhe e Partizanit heroik që simbolizon çlirimin e qytetit ka mbijetuar në qendër të Tiranës gjatë periudhës së Berishës, pa shqetësim, ndërkohë që pothuajse të gjitha monumentet e krijuara gjithandej në kohën e Partisë së Punës janë shkatërruar, duke përfshirë edhe të gjitha statujat e vetë Enver Hoxhës. Partizanët me imazhin e tyre heroik vendor kanë mbetur të ngulitur në një mënyrë të ndershme në shkrimet historike si dhe në artin publik historik dhe praktikën ikonografike. Polemikat e forta mbi përpjekjet e qeverisë së parë Berisha ndërmjet viteve 1992 dhe 1996 për të modernizuar mozaikun në pjesën ballore të Muzeut Kombëtar në Tiranë kushtuar Luftës së Dytë Botërore e ilustrojnë më së miri këtë situatë. Kjo sigurisht nuk është e vërtetë për periudha të tjera të historisë kombëtare, siç demonstrohet me një pamje nënçmuese nga autori i shquar Ismail Kadare për të gjithë periudhën osmane të historisë shqiptare. Kur në vitin 1996 qeveria turke pagoi për ngritjen e një statuje në qendër të Tiranës, për një Pasha të shquar që kishte kontribuar në themelimin e qytetit osman, këshilli i qytetit u kritikua gjerësisht pse e lejoi atë.
Në Kosovë dhe në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë situata me shkrimet historike ka qenë mjaft e ndryshme. Në këto hapësira që nga viti 1990, historia e periudhës së Luftës së Dytë Botërore ka ndryshuar tërësisht, kështu që në një qytet të rëndësishëm si Tetova, ekziston vetëm ai rrëfim që mund të quhet ‘ballist’ dhe në mësimdhënie nëpër shkolla dhe në tekstet e reja, si dhe në studimet vendore të bëra kohët e fundit nga historianët shqiptarë të Maqedonisë, pothuajse pa përjashtim mishërojnë tregimin ballist. Në Gostivar dhe në treva të tjera perëndimore të FYROM-it/Republikës së Maqedonisë statujat partizane janë dhunuar dhe shkatërruar shpesh gjerësisht. Tradita partizane këtu, ashtu si në pjesën më të madhe të Kosovës, është parë nga shqiptarët si ‘sllavokomuniste’, ku raca, etnia dhe një opinion marksist janë shkrirë në një. Në përdorimin e këtij termi, nacionalistët shqiptarë mbi të Djathtën politike duken të pavetëdijshëm pasi ata janë duke përdorur një term që është shpikur në Greqinë nacional-shoviniste të Metaxasë; transferimi i kuptimit nga zbulimet arkeologjike rreth Ilirisë së lashtë te shkrimet historike ka qenë i vështirë.
Në qendër të praktikës komuniste ishte kërkimi për histori të ‘mirë’ kombëtare, siç tregohet më lart. ‘Mirë’ domethënë ‘heroike’. Historia e lashtë ishin transformuar nga arkeologët nga ‘keq’ – imperializmi i lashtë grek dhe pushtimi romak – në ‘mirë’ ku kishte tani një shfaqje të botës indigjene ‘ilire’ – edhe pse lidhja e saktë me shqiptarët moderne është e mezidukshme për disa. Por antikiteti i vonë dhe periudha mesjetare ishin shpesh të panjohura, me vetëm përcaktimin e një populli shqiptar në njëfarë mënyre. Periudha e Skënderbeut u pasua nga e ashtuquajtura ‘zgjedha osmane’. Arkeologjia shkencore ishte ndoshta trashëgimia më e qëndrueshme e periudhës së hershme komuniste. Ajo ndryshoi ekuilibrin e gjithë rrëfimit, siç është provuar bota klasike në Shqipëri, ku lavdia greke dhe romake në një qendër si Butrinti është ndërtuar në fakt fizikisht mbi muret e lashta ilire. Kjo i kujtonte Enver Hoxhës dhe bashkëpunëtorëve të tij se Shqipëria ishte e rrethuar nga fqinjë armiqësorë, sidomos Greqia, e cila shpesh kërkon të denigrojë trashëgiminë e lashtë ilire dhe kjo ishte dhe ende është e lidhur me disa mendje ekstremiste greke për ambiciet irredentiste për të aneksuar pjesë të Shqipërisë jugore. Nëse e kaluara e lashtë ishte edhe ilire, si edhe greke dhe romake, Shqipëria ishte më e sigurt si një shtet. Kështu, kur historia nacionaliste e kombeve të tjera të Ballkanit si Kroacia ishte ngritur gjithashtu mbi ‘Ilirianizmin’, diku tjetër ai ishte pjesë e një narrative të shekullit të nëntëmbëdhjetë, që më vonë u modifikua ndjeshëm dhe aspektet ilire ose u zbehën, ose u braktisën krejtësisht nga periudha e Traktatit të Versajës, në Shqipëri nuk ishte ndërtuar ashtu siç duhej mbi baza racionale deri pas vitit 1945. Ndërsa arkeologjia, ndryshe nga gjuhësia, është gjithashtu një temë gjerësisht popullore studimi nga akademitë dhe universitetet e huaja, ndërsa lidhjet me diskutimet popullore mbi ndërtimin e identitetit kombëtar në rrugë gjuhësore nuk janë bërë. Ka me qindra programe në televizionet europiane dhe amerikane çdo vit të frymëzuara nga zbulimet arkeologjike, por pak ose asnjë nuk ka që të lidhet me shkencat gjuhësore.
Si u kapërcyen këto boshllëqe dhe pengesa? Historia që jepej në shkolla dhe tekstet mësimore ishin një problem parësor. Në mungesë të një universiteti funksional në Tiranë për disa vjet pas 1945-s, çështjet e mësimdhënies së historisë në arsimin e lartë ishte urgjente. Pas shkëputjes me Titon në vitin 1948, imazhet pozitive të jugosllavizmit, në kuptimin më të gjerë, u hoqën nga programet mësimore. Gjithsesi, një dimension ‘grek’, ishte ruajtur. Zbulimet arkeologjike tregonin se ishte e pamundur të lije pas dore rolin e kolonizimit klasik grek në sjelljen e urbanizmit dhe ‘qytetërimit’ në trevat jugore shqiptare. Por ndoshta më i rëndësishëm ishte roli i shqiptarëve në Luftën greke të Pavarësisë. Kjo prodhoi imazhe heroike për të rinjtë e pjesëmarrjes shqiptare (udhëheqja shqiptare në disa vende, si në ishujt Hidra dhe Spetses, ose pjesë të Epirit jugor) në luftën për pavarësinë greke si edhe në luftën e gjatë anti-osmane. Imazhet ishin gjithashtu tradicionalisht të përshtatshme si, fjala vjen, për luftën e burrave (apo grave, siç ishte rasti i Bubulinës, heroinë detare arvanitase në ishullin e Spetses në Gjirin e Saronikut) që me armë në dorë luftuan kundër një okupatori të huaj. Për Hoxhën dhe komunistët kjo ishte një histori shumë e dobishme. Heroikja kishte hyrë në tregimin modern nacionalist. Megjithatë, edhe në këtë periudhë ka pasur vështirësi. Figura e tmerrshme e Ali Pashës paraqet probleme për historiografinë shqiptare. Ai ishte padyshim ‘shqiptar’ në kulturën e tij të përgjithshme, por ai ishte gjithashtu një epirot që fliste mirë greqisht dhe ishte një tiran autoritar dhe shtypës i popullit. Edhe në vitet 1990 ishte e mundur të shihje vendbanimet e braktisura në Shqipërinë jugore që kurrë nuk qenë rindërtuar pas luftërave midis bejlerëve në periudhën e sundimit të tij dhe zhvillimet e mëvonshme kaotike.
Në pedagogjinë hoxhiste u përshtat një metodë shumë autoritare, nga ‘lart poshtë’ e ‘ndriçmit’ kombëtar. Një format me ‘pyetje dhe përgjigje’ ishte miratuar në mësimdhënien e historisë në shkolla, të cilat nxënësit i mësonin përmendsh. Kishte përgjigje ‘e drejtë’ dhe ‘gabim’ në të gjitha problemet historike, ndërsa nuk ishte inkurajuar debati i bazuar në dëshmi. Debati në arsimin e lartë ishte gjithashtu i rrallë, edhe në Universitetin e Tiranës, pasi ai u krijua, ndërsa hulumtimet objektive historike, përveçse në arkeologji, nuk ekzistonin. Përgjigjet ishin shpesh të kufizuara sa dhe pyetjet, ndërsa disa aspekte të teksteve shkollore të historisë në fillim të periudhës komuniste kanë një cilësi fetare që mund të shihet më shumë si një kundërmim i mësimit fetar se sa mësimdhënie normale e historisë. Kjo, sigurisht, mund të vërehet se nuk ishte e re në kulturën shqiptare, apo një produkt i prioriteteve marksiste-leniniste apo politikës enveriste. Thënia e famshme e nacionalistëve të shekullit të nëntëmbëdhjetë se ‘Feja e shqiptarit është Shqiptaria’ e përmbledh këtë mjeshtërisht. Të kuptuarit e studimit historik është kështu në njëfarë kuptimi hegelian, me shpalosjen e një shpirti kombëtar shqiptar, i cili ka ngjyrime të ndryshme fetare. Arkeologjia u bë teologjia praktike e historisë kombëtare. Me gjuhësinë, ishte vendimtar krijimi shkencërisht i themeleve ilire të tablosë kombëtare.
Ajo është gjithashtu një perspektivë thellësisht elitiste, sepse fryma kombëtare mund të jetë në zemrën e të gjithëve, por jo edhe në aftësitë e tyre intelektuale. Ndërmjetësit e arsimuar ishin të domosdoshëm. Para vitit 1945 ata thuajse nuk ekzistonin. Në periudhën zogiste, edukimi shkollor kishte qenë i kufizuar për elitën vogël urbane, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Korçë dhe Elbasan. Nën regjimin e Hoxhës, u ndërmor një fushatë masive arsimimi e përhapur në të gjithë vendin, duke ndjekur në shumë mënyra atë që kish ndodhur në Rusi pas revolucionit bolshevik, apo në Kinë pas vitit 1949. Në aspektin e të kuptuarit popullor të historisë, tradita gojore mbeti shumë e rëndësishme, si kudo në Ballkan, kështu që fëmijët e vegjël në shkollë mësonin se si të shkruanin fjalët e këngëve që kishin mësuar tashmë në prehërin e gjysheve të tyre. Një rrëfim i unifikuar dhe i zhvilluar i historisë kulturore dhe gjuhësore ishte një thirrje më shumë për të përforcuar ndërgjegjen kombëtare dhe për të mbuluar problemet e të kaluarës politike dhe ushtarake. Por sigurisht kjo traditë gojore ishte ajo e ‘shqiptarëve’, jo e ‘Shqipërisë’ së pas vitit 1912 . Partia e Punës e Shqipërisë u bë ndërmjetësja që interpretoi frymën historike kombëtare pas vitit 1945, dhe që nuk do të duronte dot kundërshtime për interpretimet që bënte, por mbijetesa e traditës së madhe historike gojore do të zbuste kuptimin e rolit të tyre, për, fjala vjen, figura të tilla si Skënderbeu dhe Isa Boletini që ishin heronj të gjithë shqiptarëve, sikurse tregon statuja madhështore e këtij të fundit, që u ngrit në periudhën komuniste në qytetin përgjithësisht anti-komunist verior të Shkodrës.
Kështu mendimi i intelektualëve komunistë pas vitit 1945 në shumë çështje historike dhe kulturore ishte i padallueshëm nga ai i shumicës së njerëzve, ndonëse shumë njerëz nuk e pëlqyen instalimin e komunizmit. Kjo mund të ndihmojë për të shpjeguar se atë që kanë shprehur shumë vëzhgues të huaj për mbijetesën e diktaturës Hoxha më shumë se sa pritej, në periudhën e krizës së përgjithshme të regjimeve komuniste të Europës Lindore në vitet 1980, që kulmoi me rënien dramatike të viteve 1989-1990. Ajo gjithashtu ndihmon për të shpjeguar vështirësitë që ekzistojnë ende në historiografinë kombëtare. Komunistët nuk kishin asnjë problem me historinë kulturore; në fakt ata e kanë përdorur atë me zgjuarësi për qëllimet e tyre. Ajo u plotësua shpejt nga historia ushtarake e cila pas viteve 1950 shpejt u bë shumë e rëndësishme. Kjo gjithashu reflektoi një ngushtim të pikëpamjeve, një refuzim të mbarëshqiptarizmit në përkufizimin e çështjes kombëtare. Për Partinë e Punës, historia ushtarake, thuajse ekskluzivisht ajo e partizanëve në Luftën e Dytë Botërore ngushtoi fokusin mbi Shqipërinë dhe përjashtoi përfundimisht Kosovën dhe shqiptarët e tjerë fqinjë në një masë të jashtëzakonshme, kështu që në botimet e mëvonshme të historisë zyrtare të Partisë së Punës së Shqipërisë nuk përmendej Kosova. Historia e shqiptarëve në Ballkan në përgjithësi u ngushtua dhe u zhvendos në historinë e vetëm Shqipërisë. Rrëfimi ishte dominuar gjithmonë nga luftërat vendore dhe rezistenca ndaj sundimit të huaj, sidomos atij osman, natyrisht. Rezistenca komuniste partizane ndaj pushtimit të Boshtit në Luftën e Dytë Botërore ishte parë si trashëgimtarja e vetme legjitime e kësaj tradite. Megjithatë, ajo nuk mund të jetë një zëvendësim për një histori koherente kombëtare që mbulon periudhat shumë më të hershme dhe, mbi të gjitha, përvojën historike të shqiptarëve gjatë shekullit të njëzetë, të cilët deri në Luftërat Ballkanike (1912-1913) kishin jetuar së bashku në sistemin osman pa ndarje nga kufijtë e rinj shtetërorë. Në tekstet komuniste, ka pasur shumë, shumë mangësi.
Çfarë ishte lënë jashtë qëllimisht, si periudha me disa nga aspektet jo ‘heroike’? Kjo ishte një periudhë madhore. Kjo është periudha e antikitetit të vonë dhe Bizantit. Hoxha dhe bashkëpunëtorët e tij ndiheshin komodë me botën arkaike dhe antikitetin klasik, siç u tregua më lart, ndërsa origjina ‘ilire’ e disa perandorëve të vonë romakë ishte gjithashtu e dobishme. Por pastaj dolën vështirësitë. Bizanti ishte një entitet i pakëndshëm për nacionalistët shqiptarë dhe intelektualët marksistë. Kjo ishte një perandori transnacionale me greqishten si gjuhë e saj kryesore, kristianizmi ortodoks jo vetëm ishte fe kryesore, por edhe që mishëronte në thelbin e vet strukturat shtetërore si dhe aparatin ideologjik të shtetit. Në Bizant, pasardhësit e ilirëve në antikitetin e vonë dhe në periudhën e hershme mesjetare, proto-shqiptarët, janë praktikisht të padukshëm. Njohuritë moderne bizantine që shpesh theksojnë kontradiktat dhe diversitetin brenda Bizantit dhe më pak përqendrohen në rolin e gjuhës greke nuk janë ende evidente. Edhe pse fjala “shqiptar” shfaqet për herë të parë në një kronikë bizantine, ne dimë pak për këta njerëz të cilët me të vërtetë ishin. Vepra prej dijetari e Alain Ducellier në Francë dhe historianë të shumtë në Shqipëri e kanë ndryshuar tani këtë, por zbulimet e tij nuk ishin në dispozicion të historianëve shqiptarë deri pas viteve 1960. Është gjithashtu e vërtetë se Ducellier ishte një nga themeluesit e historisë së Adriatikut, po aq sa dhe historisë së Shqipërisë. Shqipëria e tij dhe shqiptarët janë një popull bregdetar, më shumë se një popull malësor, dhe kjo është e rëndësishme në diskutimin e disa çështjeve që përfshijnë formimin dhe ndërtimin e identitetit kombëtar modern. Çështja qendrore me Bizantin pas vitit 1945 për intelektualët shqiptarë ishte ajo “greke” në një kuptim shumë të veçantë, kur roli i trashëgimisë ortodokse të besimtarëve kryesisht jugorë ishte e vështirë për t’u trajtuar për Hoxhën dhe Partinë e Punës. Shumë besimtarë ortodoksë kishin luftuar si shqiptarë patriotë kundër pushtuesve të Boshtit dhe disa kishin qenë heronj dhe heroina partizane. Shumë familje jugore përfshinin si anëtarë të familjes që ishin praktikues të besimit ortodoks dhe gjithashtu anëtarë të Partisë së Punës. Ata erdhën nga pjesa e vetme e Shqipërisë, në jug, ku kishte mbështetje aktive dhe të rëndësishme popullore për komunizmin, ndryshe sidomos nga katolikët të përqendruar në qytetin e Shkodrës dhe në veri-perëndim të vendit. Disa anëtarë të minoritetit grek ishin bërë edhe komunistë aktivë, si në nivel lokal në zonën e minoritetit në jug-perëndim, ndërsa disa edhe në organet më të larta të Partisë së Punës. Por vetë Greqia nën qeverinë e saj monarkiste pas përfundimit të Luftës Civile në vitin 1949 ishte një armik kryesor i Shqipërisë, ndërsa teknikisht ekzistonte një gjendje lufte midis dy vendeve (dhe vazhdon ende në kohën e këtij shkrimi). Shqipëria kishte strehuar refugjatët grekë pas disfatës së Ushtrisë Demokratike në vitin 1949, si dhe kishte dhënë në forma të ndryshme ndihmash praktike, ndërkohë që konflikti i Luftës Civile ishte në zhvillim e sipër. Refugjatët çamë kishin vërshuar në jug të Shqipërisë pas vitit 1944 dhe në popullatën e përgjithshme ata kanë mbetur në kujtesë si një nga aktet më të këqija të nacionalizmit dhe irredentizmit grek.xi
Periudhat e tjera prodhuan pak histori të dobishme, nga pikëpamja e enveristëve, por kjo nuk ndali prodhimin e koncepteve historike, vlera e të cilave është e dyshimtë. Mbretëritë feudale (në qoftë se kjo nuk është një fjalë e dalë mode) të Arbërit sigurisht kanë ekzistuar, por në atë kuptim që ata ishin shqiptarë (ose ‘Mbretëri’, ose ‘Feudale’) shpesh është e paqartë. Koncepti rrjedh nga statusi kanonik i shkrimeve të George Ostrogorskit (dhe shumë të tjera europiano-lindore) në historinë shqiptare të kësaj periudhe.xii Historianët zyrtarë të periudhës së Hoxhës, Arben Puto dhe Stefanaq Pollo i bazojnë pikëpamjet e tyre të periudhës në ato të Ostrogorskit dhe në një mënyrë të veçantë jokritike. Në periudhën osmane historia e elitës shqiptare nën Perandori, me asimilimin e tyre efektiv dhe përdorimin e gjuhës turke, do të thotë se historia e tyre është pjesë e asaj bote osmane, ndërkohë që në trojet shqiptare pjesa më e madhe e prodhimit letrar mbështetet jashtëzakonisht në traditën gojore dhe praktike.
Kështu historiografia shqiptare në periudhën aktuale është përballur me shumë çështje të pazgjidhura, ndoshta më e rëndësishmja qëndron në paqartësinë rreth asaj se sa larg historia e shqiptarëve brenda kufijve të shtetit aktual me të vërtetë është e pavarur nga ajo e shqiptarëve farefisnorë në shtetet fqinje dhe me historinë më të gjerë të shteteve fqinje në përgjithësi.xiii Vendet ballkanike janë marrë shumë më gjatë se qeveritë komuniste për të zgjidhur këto çështje komplekse nga sa mund të pritej, ashtu siç është harxhuar më shumë se sa mund të pritej në vitet 1990 për rajonin në ecjen drejt demokracive të qëndrueshme e të pavarura./VOAL/
Tags
Histori