I Hiqen Medaljet Enver Hoxhës, Hysni Kapos dhe anëtarëve të ish-Byrosë Politike

I Hiqen Medaljet Enver Hoxhës, Hysni Kapos dhe anëtarëve të ish-Byrosë Politike
 Partia Socialiste dhe Partia Demokratike angazhohen për të hequr dekoratat, titujt apo medaljet për ish-zyrtarët e komunizmit. Por ndërsa socialistët kanë depozituar një projektligj për ndërhyrje konkrete në ligjin e vitit 2013, demokratët kanë propozuar një rezolutë, e cila u dorëzua vetëm dje. Kryeministri Edi Rama dhe nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, kanë propozuar ndryshime ligjore ku përcaktohen kategoritë që përjashtohen nga e drejta për të marrë dekorata, tituj nderi apo edhe medalje, por dhe atyre që iu hiqen këto përfitime të marra më herët. Sipas nismës së socialistëve, çdo person që nga 29 nëntori i vitit 1944 deri në 31 mars të vitit 1991 ka qenë anëtar apo kandidat për në Byronë Politike, ka qenë drejtues i Frontit Demokratik apo ka pasur pozicion në strukturat e drejtësisë, degët e punëve të brendshme apo në Sigurimin e Shtetit nuk mund ta gëzojë këtë vlerësim. Disa nga emrat që pritet të preken nga ndryshimet ligjore janë edhe Enver Hoxha, Hysni Kapo, ish-byroistë, apo funksionarë të lartë të regjimit komunist, të cilët do të humbasin titullin “Hero i Popullit”. Hoxha mban aktualisht edhe titujt “Hero i Punës Socialiste”, “Heroi i Popujve të Jugosllavisë”, “Heroi i Popujve të Bashkimit Sovjetik”, Suvorov dhe “Ylli Partizan” nga Jugosllavia. Ndërkohë edhe demokratët nëpërmjet rezolutës së tyre propozojnë heqjen jo vetëm të medaljeve apo titujve, por edhe të pensioneve të posaçme për këto kategori.

Projektligji dhe rezoluta

Projektligji i Ramës dhe Ballës ndryshon ligjin e vitit 2013, duke parashikuar përjashtimin nga e drejta për të marrë dekorata, tituj nderi, medalje dhe tituj vendorë nderi apo edhe heqjen e këtyre titujve të marrë më herët, për personat që janë dënuar ose dënohen me vendim gjykate të formës së prerë, për krime lufte, për krime kundër njerëzimit, për bashkëpunim me pushtuesit e vendit, për veprimtari agjenturore kundër interesave të Shqipërisë, si dhe personat që gjatë periudhës 29.11.1944 deri më 31.03.1991 kanë ushtruar funksione të larta shtetërore. Përkatësisht përjashtohen nga këto përfitime ata individë që kanë pasur funksionin si anëtar ose kandidat i Byrosë Politike të Partisë së Punës së Shqipërisë; drejtues i Frontit Demokratik të Shqipërisë; kryetar i Gjykatës së Lartë; prokuror i Përgjithshëm; kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme; kryetar i degëve të Punëve të Brendshme; punonjësi i organeve të ish-Sigurimit të Shtetit; bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit apo i favorizuar prej tij; anëtar i komisionit Qendror të Dëbim-Internimeve si edhe gjyqtar, prokuror, hetues, në procese politike. Vendimi për heqjen e këtyre titujve, dekoratave apo medaljeve do të bëhet nga një komision i posaçëm i cili do të drejtohet nga zëvendëskryeministri ndërsa në përbërje do të ketë ministrin e Mbrojtjes, të Punëve të Brendshme, të Drejtësisë, të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë por edhe drejtorin e Arkivit Qendror të Forcave të Armatosura, një përfaqësues të organizatave të veteranëve të LANÇ-it dhe një përfaqësues të organizatave të të burgosurve dhe të përndjekurve politikë. Në projektligj thuhet se propozimet për heqjen e dekoratave, titujve të nderit, medaljeve dhe titujve vendor të nderit në këto raste do të bëhen nga sekretariati teknik i shqyrtimit të dekoratave, titujve të nderit, medaljeve dhe titujve vendor, i cili do funksionojë në Ministrinë e Mbrojtjes. Sekretariati Teknik do t’i bëjë Komisionit të Posaçëm propozimet për heqjen e dekoratave, titujve të nderit, medaljeve dhe titujt vendor, kryesisht ose me kërkesë të palëve të treta, vetëm pasi shqyrton dosjet përkatëse dhe verifikon prezencën e një prej kritereve të përcaktuara . Ndërkohë që rezoluta e demokratëve shkon edhe më tej duke propozuar jo vetëm heqjen e medaljeve, titujve dhe dekoratave por edhe pensioneve të posaçme. “Rezolutë për heqjen e titujve, dekoratave, medaljeve, privilegjeve edhe përfitimeve të posaçme për personat që janë përfshirë në krimet e regjimit totalitar komunist në Shqipëri”, – thuhet në nismën e propozuar të demokratëve e cila në 13 pika jep referencat në ligjet kombëtare dhe ndërkombëtare dhe më pas propozon dhe procedurën që duhet të ndiqet për heqjen e këtyre vlerësimeve.

Heqja e medaljeve, nismat shtyhen në sesioni tjetër

Nismat e Partisë Socialiste dhe e Partisë Demokratike për heqjen e vlerësimeve të ndryshme për ish-zyrtarët e komunizmit do të diskutohen sesionin tjetër parlamentar. Vendimi erdhi pas debateve të djeshme në seancën plenare, ku opozita paraqiti rezolutën e saj dhe kërkoi votimin në seancën e fundit për këtë vit. Por kërkesa u kundërshtua nga kryeparlamentari Ilir Meta, i cili, duke informuar edhe mbi diskutimet në Konferencën e Kryetarëve të mbledhur po dje, tha se paraqitja në momentet e fundit e këtyre dy drafteve dhe kërkesës për të kaluar me procedurë të përshpejtuar në Kuvend, bie ndesh me rregulloren e Parlamentit. Kjo pasi në seancën e fundit plenare për 2015-ën ishte futur në rend dite votimi me procedurë të përshpejtuar i ngritjes së komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore. Rregullorja e Kuvendit parashikon që në rendin e ditës të futet me procedurë të përshpejtuar vetëm një akt, ndaj kryeparlamentari Meta, ashtu siç ishte vendosur edhe në Konferencën e Kryetarëve, i qëndroi vendimit për të mos i miratuar draftet në seancën e djeshme plenare pavarësisht replikave e debateve të demokratëve.

Rezoluta e PD-së

PD-ja ka paraqitur në Kuvend një rezolutë, e cila kërkon heqjen dekoratave dhe medaljeve, që janë marrë gjatë rregjimit komunist. “Kuvendi do të hartojë dhe miratojë legjislacionin e nevojshëm për anulimin e çdo dekorate, medaljeje apo akti tjetër vlerësues të individëve që kanë kryer krime kundër njerëzimit në kuadër të regjimit komunist si dhe të përcaktojë procedura të qarta për parandalimin e dekorimit të tyre në të ardhmen.

Kuvendi do të miratojë legjislacion e nevojshëm për shfuqizimin e çdo përfitimi apo privilegji financiar për këta individë përfshirë pensionet shtesë apo të posaçme për shkak të statusit të veteranit apo të çdo natyre tjetër. Pensionet e këtyre personave nuk mund të jenë në asnjë rast më të larta se pensioni që përftojnë viktimat e persekutimit komunist. Legjislacioni i hartuar në kuadër të pikës 10 dhe të kësaj pike, do të përcaktojë organin kompetent dhe procedura efikase për përmbushjen e detyrimeve të vëna nga kjo rezolutë dhe legjislacioni përkatës.

Kuvendi do ta miratojë legjislacionin e parashikuar në pikat 10 dhe 11 të kësaj rezolute, brenda datës 20 shkurt, në kuadër të 25-vjetorit të rrëzimit të simbolit të komunizmit, shtatores së diktatorit Enver Hoxha. Kuvendi do të ngrejë një komision për paraqitjen në seancë për miratim të një raporti të detajuar mbi aktet ndërkombëtare dhe legjislacionin në fuqi si dhe projektligjeve të nevojshme për zbatimin e pikave 10 dhe 11 të kësaj rezolute.

Kuvendi nxit qeverinë që të rrisë fondet dhe përpjekjet për zbulimin e krimeve të komunizmit, autorëve të tyre dhe rehabilitimin e viktimave të tyre”-thuhet në rezolutën e PD-së.

Debatet në seancë plenare mes PS-së e PD-së

 Gramoz Ruçi: Kolegë të opozitës, siç kërkoni zbatimin e procedurave për ligje të rëndësishme, ashtu duhet ta zbatoni edhe për kërkesat tuaja. Kërkesa juaj bëhet nul me nismën e dorëzuar qysh seancën e kaluar. Keni qenë 13 vjet në pushtet, sot doli problemi? Për të dekriminalizuar periudhën e komunizmit, keni pasur 16 vjet presidentët tuaj, sot doli problemi? Unë e kuptoj që jeni pa kauzë dhe bëni çfarë ju del brenda ditës. Mësoni të bëni opozitën, nuk do jua japim nismat gati. Akoma nuk keni marrë vesh se si bëhet opozita. Fatkeqësi është, por ky është realiteti i hidhur, ishalla mësoheni shpejt. Ju vazhdoni në axhendën tuaj, ne nuk jemi këtu si mazhorancë që ta kthejmë parlamentin në axhendë të opozitës, për interesa elektorale që keni ju.

Paloka: Të na akuzojë Gramoz Ruçi se ne qenkemi ata që nuk e paskemi dënuar komunizmin…Unë po ju kujtoj se kanë qenë deputetët e PD-së që me të ardhur në parlament miratuan ligjin anti-genocid, që dënoi nomenklaturën komuniste çoi në burg ata që dekoroni ju sot, por i ndaloi me ligj kriminelëve të atij regjimi të merrnin poste publike. Sa erdhët ju në pushtet i dhatë mundësi për poste dhe kërkoni rehabilitimin e tyre, duke u dhënë dekorata e duke nxjerrë portretin e Enver Hoxhës. Nëse doni lëreni hipokrizinë ekstreme që karakterizon kryetarin tuaj. 25 vjet nuk keni kërkuar ndjesë akoma dhe sot na flisni për faj të Partisë Demokratike. I jepni dekorata dhe thoni fajin e ka Sali Berisha. E kishit mundësinë që pas dekoratës brenda 5 minutave ta hiqnit pasi morët vesh se aty ishte ai që ka torturuar At Zef Pllumin. Por nuk donit, nuk doni as tani, e bëni me detyrim nga halli. Hajde ta kalojmë edhe rezolutën, edhe projektligjin tuaj po deshët. T’i kalojmë të dyja. Në rezolutën tonë ka pika që nuk i keni në projektligj.

Meta: Ju lutem të mos vazhdojmë më me këtë debat, sepse konferenca e diskutoi.

Topalli: Asnjë ligj nuk e pengon që të hyjë me procedurë të përshpejtuar rezoluta e opozitës. Ngjarja ka ndodhur një vit më parë, emrat janë marrë vesh tre javë përpara, opozita ka reaguar në mënyrën më të rrufeshme. Nuk ka nevojë për të hequr dekoratat, mjafton vetëm një VKM, një urdhër i kryeministrit dhe nuk ka nevojë as për ligj as për procedurë të përshpejtuar. Ndaj është hipokrizi.

 Projektligji i PS-së për heqjen e dekoratave, medaljeve e titujve

Neni 5/1

Përjashtohen nga e drejta për të marrë dekorata, tituj nderi, medalje dhe tituj vendorë nderi sipas këtij ligji dhe në rast se e kanë marrë u hiqet, personat të cilët janë dënuar ose dënohen me vendim gjykate të formës së prerë, për krime lufte, për krime kundër njerëzimit, për bashkëpunim me pushtuesit e vendit, për veprimtari agjenturore kundër interesave të Shqipërisë, si dhe personat që gjatë periudhës 29.11.1944 deri më 31.03.1991 kanë ushtruar në strukturat e shtetit shqiptar funksionet si:



anëtar ose kandidat i Byrosë Politike të Partisë së Punës së Shqipërisë;


drejtues i Frontit Demokratik të Shqipërisë;


kryetar i Gjykatës së Lartë;

ç. prokuror i Përgjithshëm;



kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme;


kryetar i degëve të Punëve të Brendshme;


punonjësi i organeve të ish-Sigurimit të Shtetit;

ë. bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit apo i favorizuar prej tij;



anëtar i komisionit Qendror të Dëbim-Internimeve;


gjyqtar, prokuror, hetues, në procese politike.

Ky nen zbatohet edhe për dekoratat, titujt e nderit, medaljet dhe titujt vendorë të nderit, të marra në bazë të akteve nënligjore të dala në zbatim të këtij ligji.

Neni 5/2

Heqja e dekoratave, titujve të nderit, medaljeve dhe titujve vendorë të nderit, për shak të plotësimit të një prej kritereve të përcaktuara në nenin 5/1, të këtij ligji, bëhet me vendim të një komisioni të posaçëm me përbërjen si më poshtë:



Zëvendëskryeministri kryetar


Ministri i Mbrotjes anëtar


Ministri i Punëve të Brendshme anëtar


Ministri i Drejtësisë anëtar


Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë anëtar


Drejtori i Arkivit Qendror të Forcave të ARMATOSURA anëtar


Një përfaqësues i organizatave të veteranëve të LANÇ anëtar


Një përfaqësues i organizatave të të burgosurve dhe të përndjekurve politikë anëtar

Propozimet për heqjen e dekoratave, titujve të nderit, medaljeve dhe titujve vendor të nderit në këto raste do të bëhen nga sekretariati teknik i shqyrtimit të dekoratave, titujve të nderit, medaljeve dhe titujve vendor, i cili do funksionojë në Ministrinë e Mbrojtjes.

Sekretariati Teknik do ti bëj Komisionit të Posaçëm propozimet për heqjen e dekoratave, titujve të nderit, medaljeve dhe titujt vendor, kryesisht ose me kërkesë të palëve të treta, vetëm pasi shqyrton dosjet përkatëse dhe verifikon prezencën e një prej kritereve të përcaktuara në nenin 5/1 të projektligjit.

Detyrat e Sekretariatit Teknik do të kryhen nga stafi teknik i Komisionit Qendror të Statusit “Dëshmor i Atdheut” nëMinistrinë e Mbrojtjes.

Neni 10 i ligjit të ndryshohet si më poshtë:

Medalja që jep Kuvendi

Kuvendi, me propozim të 1/5 së deputetëve, jep medaljen “Medalja e Parlamentit” për personalitete shqiptare ose të huaja, për vepra të spikatura në fushën e parlamentarizmit dhe parimeve demokratike”.
Previous Post Next Post