Bullgaria e ka rihapur kufirin me Turqinë pas një mbyllje prej pesë-gjashtë orësh, kohë gjatë së cilës janë arrestuar 33 zyrtarë të doganës bullgare. Doganierët janë arrestuar në kuadër të një hetimi për korrupsion, ndërsa sipas zyrtares nga prokuroria, Daniela Popova, ata dyshohen se e kanë ndihmuar një grup të krimit të organizuar.
Kryeprokurori, Sotir Tsatsarov, ka njoftuar ndërkaq se të gjithë të arrestuarit janë të ndërrimit të paraditës, që bëjnë kontrollimet në pikën kufitare Kapitan Andreevo. Më shumë se 50 mijë euro para kesh janë gjetur gjatë bastisjeve të policisë në pesë qytete në afërsi të kufirit.
Oficerët doganorë në këmbim të 5-300 eurove, sipas prokurorisë, dyshohen se e kanë lejuar secilën makinë që ta kaloj kufirin pa iu nënshtruar procedurave të kontrollit Kryeministri, Bokjo Borisov, tha se në kuadër të hetimit priten të merren në pyetje rreth 100 persona. Kapitan Andreevo është pika më e madhe dhe më e ngarkuar në Ballkan.
Sonte pasdite ajo është rihapur pas krijimit të një kolone disa kilometërshe, të krijuar si rezultat i bastisjeve nga ana e policisë. Pozita gjeografike e Bullgarisë, bën që ky vend të jetë një udhëkryq dhe një rrugë e kontrabandistë dhe trafikantëve të qenieve njerëzore. Shumë emigrantë janë kapur në Kapitan Andreevo, teksa kanë tentuar që ta kalojnë kufirin për të hyrë në territorin e Bashkimit Evropian./Rel/