Çekia dhe Shqipëria kanë rënë dakord që të bashkëpunojnë mes tyre në një sërë fushash si arsimi profesional, zhvillimi i turizmit dhe në njohjen e pensioneve. Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi ka pritur sot koleget e tij çeke, ministren e Punës dhe Çështjeve Sociale, Michaela Marksova, me të cilën bisedoi në lidhje me forcimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit të mëtejshëm midis dy vendeve tona. Për këtë qëllim ata nënshkruan edhe një memorandum bashkëpunimi, me anë të të cilit Çekia angazhohet që të ndihmojë vendin tonë në fushën e arsimit dhe formimit profesional. Sipas klauzolave të kësaj marrëveshje pala çeke merr përsipër të ofroje eksperiencën dhe ndihmën e saj në zhvillimin e mëtejshëm të këtij arsimi, si një mundësi e mirë për të ardhme të sigurt për të rinjtë shqiptarë. Po ashtu nëpërmjet këtij memorandumi, palët kanë rënë dakord që të bashkëpunojnë edhe në fushën e turizmit social.
“Sot patëm një diskutim shumë të gjerë me ministren për disa nga prioritetet dhe bashkëpunimin midis dy institucioneve tona, ku natyrisht më të spikatura është bashkëpunimi në reformën e shërbimit të punësimit për të pasur mundësi që të ofrojmë shërbime të kualifikuara për qytetarët shqiptarë që duan të trajnohen për tregun kombëtar të punës, por edhe për tregun evropian të punës. Patëm ide shumë interesante për bashkëpunimin në fushën e turizmit social, për të pasur mundësi që të kemi zhvillim të zonave, ku grupe të caktuar të qytetarëve evropian mund të vijnë në qytetet tona turistike jo vetëm për një periudhë të shkurtër, por për të pasur mundësi që të jetojnë këtu për periudha të zgjatura”, - tha ministri Klosi në fjalën e tij.
Objekt i diskutimit mes dy ministrive ishte edhe marrëveshja e pensioneve e cila pritet të firmoset së shpejti në Prage, mes përfaqësuesve të qeverive respektive. Sipas kësaj marrëveshje që do finalizohet shumë, pritet të njihen kontributet për sigurimet shoqërore mes të dyja vendeve, çka do t’i jap mundësi emigrantëve shqiptar që të mund t’u njihen vitet e punës dhe kontributet që kanë derdhur në Çeki dhe anasjelltas. “Ne kemi rënë tashmë dakord dhe së bashku do të firmosim një marrëveshje për njohjen e pensioneve. Gjë shumë e rëndësishme kjo për gjithë qytetarët shqiptarë por edhe për ata cek të cilët kanë mundësi bashkëpunimi dhe njohje të figuracioneve të periudhës së punës në të dyja vendet tona”, - shtoi Klosi. Gjithashtu sipas kësaj marrëveshje parashikohet që Çekia si vend anëtarë i BE-së të mund të ofrojë kurse të specializuara për të diplomuarit.
Të dy ministrat ishin dhe në Berat ku dhe morën pjesë në përurimin e shkollës së rikonstruktuar “Avdyl Avdia”, që u përmbyt në fillim të këtij viti dhe që i shërben komunitetit rom të kësaj zone.
Tags
Kulture