Afro 15 mijë emigrantëve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Gjermani do t’u njihen vitet e punës dhe kontributet shoqërore për efekt pensioni.
Kjo gjë bëhet e mundur falë marrëveshjes së nënshkruar sot nga Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi dhe Sekretari i Shtetit Gjerman, Jorg Asmussen, për Mbrojtjen Shoqërore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Federale të Gjermanisë si dhe Protokollin Përfundimtar të saj.
Pas firmosjes së marrëveshjes, ministri Klosi theksoi se tashmë falë parashikimeve të këtij dokumenti do të përfitojnë një numër i madh qytetarësh shqiptarë, që prej vitesh jetojnë dhe punojnë në Gjermani.
“Kjo është një ditë shumë e gëzuar për të gjithë emigrantët shqiptarë në Gjermani, për ata të cilët kanë punuar prej shumë vitesh në Shqipëri e tashmë vazhdojnë të punojnë në Gjermani, apo ata që kanë punuar në Gjermani dhe tani janë kthyer në Shqipëri. Nëpërmjet kësaj marrëveshje ne u japim atyre të drejtën që këto pensione të njihen në të dyja vendet dhe kalkulimi i kontributeve dhe viteve të punës të mos humbasin”, tha Klosi.
Ndërsa sekretari i Shtetit Gjerman, Asmussen theksoi se me këtë marrëveshje është bërë një hap i madh i rëndësishëm përpara në thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve tona në politikat sociale, në bashkëpunimin ekonomik dhe në krijimin e vendeve të reja të punës.
“Kjo marrëveshje në terma më konkret ka të bëj fillimisht me përllogaritjen e të gjitha periudhave të sigurimit social të punëmarrësve, qofshin këta gjermanë apo shqiptarë. E thënë në terma më konkret, nëse një punëmarrës shqiptar apo punëmarrës gjerman punon për një periudhë 5 vjeçare, 2 prej tyre në Gjermani dhe 3 prej tyre në Shqipëri periudhat e sigurimeve shoqërore do të kenë mundësi të llogariten në pretendimet e tij për pension”, tha Asmussen.
Gjatë takimit që zhvilloi ministri Klosi me sekretarin gjerman, Asmussen u diskutua edhe për mundësinë e bashkëpunimit të mëtejshëm në fushën e arsimit profesional, si një nga fushat prioritare të qeverisë. Për mbështetjen që pala gjermane do mund të japë për zbatimin e sistemit dual në vendin tonë, po ashtu për trajnimin dhe kualifikimin e të rinjve tanë në profesione të tilla si shërbimet shëndetësore dhe sociale, të cilat janë të kërkuara në tregun gjerman dhe evropian të punës.
“Ne folëm qartë për binjakëzimin e disa shkollave shqiptare me shkolla të cilësuara gjermane, të cilat do të përgatisin shkollat e arsimit profesional dhe shumë shpejt, në kuadër të akreditimit nga sistemi evropian i arsimit profesional, do të përgatisin një gjeneratë të tërë të qytetarëve shqiptarë për të qenë të gatshëm në radhë të parë për tregun shqiptar të punës. Ata do të jenë gjithashtu edhe konkurent dhe të barabartë, të denjë dhe të mbrojtur nga certifikata evropiane e arsimit profesional për tregun evropian të punës”, tha Klosi.
Ndërkohë që Sekretari Asmussen i pyetur lidhur me mundësinë e përfitimit të azilit politik nga shqiptarët që shkojnë në Gjermani për arsye jopolitike, tha se është vetëm 0.2 për qind. “Për të gjithë këtë kategori njerëzish ka rrugë ligjore për të ndjekur për të siguruar mundësinë e qëndrimit të tyre në Gjermani, sikurse mund të jetë mundësia e përfitimit të kartës blu të BE-së apo mundësia e gjetjes së një vendi pune në listën e 140 profesioneve të munguara, apo në të cilat në Gjermani ka mungesa të theksuara. Pra pikërisht edhe ky grup tjetër njerëzish, të cilët shfrytëzojnë mundësitë ligjore për të siguruar të drejtën e tyre të qëndrimit në Gjermani janë përzemërsisht të mirëseardhur atje”, tha Asmussen./ATSH/