Gjyqtarët miliarderë të Tiranës


Disa gjyqtarë me të drejtë mund të quhen si miliarderë, pasi zotërojnë miliona euro prona dhe llogari bankare. Më të “kamurit” janë dy gjyqtarët e Apelit të Tiranës, kryetari Alaudin Malaj dhe Gjin Gjoni. Ky i fundit ka mbyllur me procedurë problemet me drejtësinë për pasurinë, ku prokuroria është “dorëzuar” pas disa vendimesh gjykatash, ndërsa fshehja e qindra mijë eurove e Gjonit apo e bashkëshortes së tij do të arkivohet, pavarësisht se nuk pati një proces gjyqësor. Gazeta Shqip ka bërë një përzgjedhje pasurish të gjyqtarëve, duke filluar nga Gjykata e Lartë, ajo e Apelit apo e Gjykatës së Rrethit për të përfunduar te Krimet e Rënda.


Zaganjori dhe Broci

Mes emrave më pikantë në Gjykatën e Lartë janë ata të kreut Xhezair Zaganjori dhe Artan Brocit, i cili është njëherësh edhe anëtar i KLD-së. Kryegjyqtari i vendit ka deklaruar të ardhura nga paga e tij që është rreth 2 milionë lekë (të reja), apo edhe nga mësimdhënia në Fakultetin e Drejtësisë. Ai ka rreth 17 mijë euro të ardhura në vit në një universitet privat, ndërsa ka edhe rreth 2 mijë euro nga bashkëpunimi me fondacione të huaja. Më tej, Zaganjori ka deklaruar se ka të ardhura disa interesa nga disa llogari miliona lekë. Ndërkohë, bashkëshortja e tij notere ka deklaruar edhe ajo rreth 1 milion lekë të ardhura. Mësohet se Zaganjori ka paguar mijëra paund për shkollimin e djalit në Londër, Angli.

Gjyqtari Artan Broci ka deklaruar një apartament 65 metër katrorë në Tiranë, dhe disa llogari në disa banka, që mund të shkojnë në total rreth 2 milionë lekë. Ai ka deklaruar se ka disa llogari bankare në emër të bashkëshortes së tij notere që janë rreth 170 mijë euro, apo 3.7 milionë lekë. Ka dhënë me qira një lokal dhe ka përfituar rreth 10 mijë euro.

Malaj dhe Gjoni

Kreu i Gjykatës së Apelit të Tiranës, për vitin 2014 ka deklaruar një llogari prej rreth 1 milion lekësh, si dhe të ardhura dhe shpërblime prej 1.7 milionë lekësh në Apelin e Tiranës. Ka të ardhura nga qiraja për një shtëpi, ku për çdo muaj ka përfituar nga 700 euro dhe për vitin 2014 ka shtuar pasurinë me 8.4 mijë euro. Ka marrë një kredi 100 mijë euro në vitin 2011. Por, pasuritë e tij kanë qenë shitja e shtëpisë së banimit me sipërfaqe 122 metra katrorë për 120 mijë euro. Ai ka shitur edhe një vilë banimi me sipërfaqe trualli 382 metra katrorë, ku 65 metra katrorë ka qenë ndërtesë, në një fshat në bregdetin e Kavajës. Shitja ka qenë për 150 mijë euro. Ka deklaruar disa llogari bankare, ku më e madhja ka qenë 9.7 mijë euro.

Ka të ardhura nga aktiviteti privat noterial me rreth 8.3 milionë lekë, të ardhura të tjera nga qiraja me 5.4 mijë euro, ka të ardhura nga qiraja në shoqërinë “Antea…” për 7.5 mijë euro, si dhe 194 mijë lekë nga dhënia me qira e një apartamenti në Vlorë. Ai ka rreth 36 mijë euro detyrime ndaj tre personave, duke u marrë hua, ndërsa i ka dhënë borxh 250 mijë euro shoqërisë “Medbrand” në Kosovë.

Gjin Gjoni, gjyqtari i Apelit të Tiranës dhe njëkohësisht anëtar i KLD-së, ka deklaruar për vitin 2014 një kontratë sipërmarrjeje prej 80 mijë eurosh. Nga paga si gjyqtar ka përfituar 1.3 milionë euro, ka pasur shpërblime nga KLD-ja dhe Shkolla e Magjistraturës. Ka dhënë me qira një lokal prej 117 metrash katrorë në rrugën “Bogdani” në Tiranë me pagesë mujore 2 mijë euro në muaj që në 12 muaj kanë prodhuar 24 mijë euro. Ka paguar kredi në vitin 2014, e marrë në vitin 2008, në shumën prej 8.4 mijë euro. Ka marrë overdraft 350 mijë lekë, ka kartë krediti 10 mijë euro dhe ka marrë kredi për blerje makine prej 12 mijë eurosh.

Nga ana tjetër, bashkëshortja e tij, Elona Çaushi, edhe ajo me disa probleme me drejtësinë për pasurinë që i mbylli me procedurë, ka deklaruar se është pronare e gjashtë shoqërive. Disa prej këtyre shoqërive, Çaushi nuk i deklaroi më parë, por tashmë ka mësuar nga “gabimet”. Ajo ka një depozitë bankare në shumën prej 266 mijë euro, ka një depozitë 1.5 milionë lekë, një tjetër me 50 mijë euro si dhe ka gjendje kesh 10 mijë euro. Ka një kontratë huaje me një shtetas prej 160 mijë eurosh, ku për vitin 2014 ka paguar 19.6 mijë euro. Ka pasur si pagë dhe shpërblime si konsulente ekonomike pranë një shoqërie 8.7 milionë lekë (63 mijë euro). I ka dhënë borxh 1.5 mijë euro një kompanie të saj.

Simoni dhe Islamaj

Kryetari i Gjykatës së Krimeve të Rënda, Sandër Simoni, ka deklaruar për vitin 2014 një pagë prej 1.7 milionë lekësh. Ka pasur të ardhura nga leksionet si pedagog i jashtëm te Magjistratura 101 mijë lekë, ka marrë rreth 151 mijë lekë nga honoraret në një universitet privat. Ka deklaruar të ardhura nga paga e bashkëshortes 13 mijë euro, ndërsa aktiviteti privat i bashkëshortes i ka shtuar pasurinë me 629 mijë lekë. Vazhdon të shlyejë kredinë bankare të marrë në vitin 2005 për strehim, me një pagesë kësti prej 23 mijë lekësh në muaj. Ka shitur automjetin për 500 mijë lekë dhe ka shlyer një kredi 10 mijë eurosh në muajin dhjetor të vitit 2014.

Ndërkohë, kryetari i Gjykatës së Tiranës, Fatri Islamaj, ka pasur kursime prej 3.4 mijë eurosh nga mësimdhënia në një universitet privat. Në vitin 2014 ka deklaruar pagën prej 1.3 milionë lekësh, ka përfituar 72 mijë lekë si pedagog apo ka marrë honorare te  Magjistratura 124 mijë lekë. Ka pasur kursime nga paga e bashkëshortes në vitin e kaluar 200 mijë lekë, apo paga e saj, prej 682 mijë lekësh si mjeke okuliste në QSUT.

Disa anëtarë të KLD-së

Për vitin 2014, gjyqtari Dritan Hallunaj, që me vendimin e pafajësisë për Arben Frrokun ishte disa ditë në qendër të vëmendjes, ka deklaruar një depozitë bankare 40 mijë euro (shuma ka qenë në shtëpi dhe sipas detyrimeve ligjore është depozituar në bankë). Ai ka përfituar pagën prej 1.4 milionë lekësh si gjyqtar i Krimeve të Rënda, apo edhe me 112 mijë lekë si anëtar i KLD-së. Ka pasur të ardhura si anëtar i komisionit disiplinor në Dhomën e Avokatisë 360 mijë lekë. Paga e bashkëshortes ka qenë 541 mijë lekë, ndërsa vazhdon të shlyejë kredinë e marrë prej 5 milionë lekësh, me këst 23 mijë lekë në muaj.

Ndërkohë, anëtari Sokol Çomo është bërë pronar i një pylli në Lushnjë, si pasojë e kthimit të pronës së familjarëve të tij. Ai ka pasur disa depozitë bankare me dhjetëra milionë lekë.

Vazhdon të shlyejë kredinë në shumën 5 milionë lekë, ndërsa ka edhe një kredi me bashkëshorten në shumën prej 1 milion lekësh.

Ndërkohë, anëtari i KLD-së, Hysen Saliko, ka blerë në emër të djalit një banesë 86 metër katrorë, ka shitur një magazinë në fshatin Qinam-Kolonjë. Ka pasur të ardhura nga toka bujqësore, pemëtaria dhe bletaria e familjes e ndodhur në fshatin Qinam prej 1.1 milionë lekë.

Gjyqtari Tritan Hamitaj ka deklaruar se ka blerë një apartament në Durrës për 48 mijë euro, ka blerë një apartament në Tiranë për 134 mijë euro./Shqip/
Previous Post Next Post