Nga Marion Mardodaj |
“Shqipëria është vendi më i mrekullueshëm në botë, ju keni
Diellin, Malin dhe Detin fare pranë. Klima juaj është më e mira në glob. Kam bredhur
në 55 shtete të botës, kam parë shumë, por si mrekullia shqiptare nuk kam parë
kurrë. Për mua Shqipëria është një Parajsë e vërtetë, kam 5 vjet që jetoj këtu
dhe s’kam ndërmend të largohem. Shqiptarët janë njerëz të mirë, por problemi
juaj është këtu,” - më tha një amerikane 70 vjeçare nga Teksasi para disa ditësh, që
mund të krahasohej me një 60 vjeçare shqiptare për nga forma fizike, teksa me
njërën dorë godiste kapakun e kokës me gishtin tregues, për të treguar trurin,
dhe me dorën tjetër gëlltise një gotë me fërnet “Made in Albania”, në një bar
në qendër të Tiranës.
Për një moment nuk i kushtova rëndësi fjalëve të saj, e cila
mbante mbi tryezë tre libra voluminoz. Thjeshtë mendova në mënyrë sipërfqësore, që joshej për shkak se
klima e Teksasit është e ngjashme me atë të Shqipërisë.
Por kurioziteti më shtyu të hetoj më thellë mbi motivet e
vërteta, se përse Shqipëria është një Parajsë e vërtetë për një amerikane të
moshuar. Dhe në fakt, dola shumë shpejt
në një konkluzion, që besoj se është racional: Amerikanja ndjehej si në Teksas
edhe në aspektin e përbërjes së popullsisë, edhe të të ardhurave, veç klimës.
Ndërsa Amerika karakterizohet nga diversiteti kulturorë i popullsisë, Shqipëria
karakterizohet nga diversiteti i mënyrës së të menduarit dhe perceptuarit të
botës, kryesisht në tru. Në kontekstin e jetës së përditshme, e të jetuarit në
përditshmëri, e mënyrës së skajshme të sjelljes së njerëzve, në thelb, këto dy
gjëra janë të njëjta. Paragjykimet ndaj krahinizmit dhe komuniteteve është i
njëjtë. Relievi i larmishëm e i thyer i
Shqipërisë, ku sapo kalon një mal e një
luginë, nga Përmeti shkon në Gjirokastër e pas malit e luginës së radhës ndeshesh me delvinjotë, nga Tropoja
shkon në Kukës dhe pas malit e luginës së radhës, takon veç dibranë. Malet,
luginat dhe fushat modelojnë mënyrën e të menduarit të njerëzve. Fenomene të ngjashme edhe në Amerikë, ispanikët
e Teksasit ndryshojnë në mendësi nga njerëzit me ngjyrë e të bardhët. Një njurorkez mendon ndryshe nga dikush që ka
lindur në Kolorado. Amerika karakterizohet nga një sërë feshë të reja e të
vjetëra, nga organizata të shumta sekrete dhe publike, ku secila kërkon e
predikon të vërtetën e saj.
Edhe po të hyjmë në fushën e fesë, Shqipëria dhe Amerika
kanë të përbashkëta, duke qenë se karakterizohen nga një shumësi feshë, por
kanë një ndryshim serioz kur vjen puna për zhvillimin e vendeve respektive: Ndërsa
ëndërrën amerikane nuk mund ta cënojë asnjë lloj feje, ëndërra për një Shqipëri
të begatë është në rrezik permanent: myslimani i verbuar e i shpërlarë trushë
nga turku e arabi, po u betua, kërkon histori turke dhe orientalizëm në hapësirën
shqiptare; ortodoksi shqiptarë i verbuar nga qarqe të caktuara greke dhe serbe,
po u betua, kërkon Det e Tokë në hapësirat shqiptare; katoliku i verbuar nga
Papa, po u betua, nuk i dëshiron të bashkuar shqiptarët deri tani, duke mos
pranuar të pavarur Kosovën.
Këto janë shkaqet kryesore, të verbuarit dhe të djallëzuarit,
mendoj, që Shqipëria Parajsë, nuk u duket edhe aq parajsë në tru, shqiptarëve
që jetojnë në këtë Parajsë, sipas amerikanes.
Pse, Shqipëria nuk është në lartësinë e duhur, po të kemi
parasyshë pasuritë e shumta përrallore në nëntokë e mbitokë? Sepse këtë gjë sigurisht nuk e ka
mundësuar politika e shqiptarëve të verbuar deri tani, të joshur nga pushteti
personal, perversiteti dhe korrupsioni.
Zgjedhjet e 21 Qershorit për Bashkinë e Tiranës që po
afrojnë, janë një mundësi e mirë për qytetarët që të reflektojnë e t’i bëjnë vetes
pyetjen: Përse nuk jemi në lartësinë e duhur ekonomike e të nivelit të jetesës,
kur jemi kaq pranë Europës e kemi gjithë të mirat e botës në vend?
Beteja për Bashkinë e Tiranës, bashki e cila do të jetë edhe
më e madhe dhe e begatë, për shkak të “Reformës Territorial”, kryesisht mes dy forcave kryesore politike,
PD-së e PS-së, duket se i ka ndezur më herët dhe fuqishëm motorët e fushatës
elektorale, megjithëse për pushtetin vendorë: Pozita i priti pak muaj më parë
protestuesit e dëshpëruar të Opozitës me pedantizmin dhe elegancën e policeve femra.
Opozita kandidon një gjinekolog të preferuar nga femrat për të shpresuar
fitimin e mendjeve të tyre, të cilat, mendohet se kanë pushtetin në Shqipëri.
Kryetari Pozitës i bën presion Europës
dhe trondit rivalen e saj, Rusinë, duke deklaruar se “Shqipëria me Kosovën mund
të bashkohen në mënyrën klasike”, Opozita kandidon gjinekologun me mbiemrin “Kosova”,
për të shpresuar ndonjë rikuperim sado të vogël të kredibilitetit të humbur me
shpejtësi të PD-së në viset shqiptare, vakumin e të cilit po e mbush po me
shpejtësi PS.
Një mjek i spikatur dhe i suksesshëm për nga profesioni i të djathtës,
një politikan i ri 61 vjeçarë, që ka bërë më parë “Betimin e Hipokratit,” për t’u
munduar të shpëtojë çdo jetë njerëzore, të bardhë, të kuq apo të zi, mysliman
apo kaur. Konkuron me një 36 vjeçarë ambicioz, që ka një eksperiencë 10 vjeçare
në politikë dhe shoqëri civile, i cili është diplomuar për Shkenca Politike në
Amerikë dhe specializuar në Integrimin Europian, në Britani. Të dy konkurojnë për të menaxhuar një popullsi
prej afërsisht 1.2 milionësh tashmë, një
popullsi ku krahinizmi ekziston vetëm në
mendësi dhe njerëzit e të gjitha feve kanë detyrimin të jetojnë së bashku në
komunitet. Një popullsi që nuk ndahet nga malet, fushat, luginat dhe vijat e
ujtit.
Kjo është shkurtimisht panorama e garës së 21 Qershorit, nga
ku do varet fati i qendrës kryesore ekonomike, kulturore dhe administrative të
Shqipërisë.
Me gjithë respektin që kam për Kosovën si mjek, mendoj se është
tepër e vështirë që një vizion politik të krijohet e kultivohet nga dikush që ka
bërë më parë “Betimin e Hipokratit,” vizioni i të cilit është më i përshtatshëm
në kohë luftërash e ndryshimesh të mëdha, për të shpëtuar sa më shumë jetë
njerëzish, ndërgjegjja e të cilit kufizohet mes jetës dhe vdekjes. Ngjashëm me
vizionin e kardjologut Berisha për kohën që drejtoi - i cili nuk erdhi
rastësisht si mjek në politikë, besoj - duart e të cilit nuk preknin mish
njeriu dhe bisturi, por letra, kalema e lapsa, për të shpresuar shpëtimin e sa
më shumë jetëve njerëzore, megjithëse praktika, në ndrëgjegjjen e tij aplikohej
në tjetër mënyrë.
Një kardiolog, për të mbajtur në jetë Shqipërinë në prag të ndryshimeve të mëdha. Një gjinekolog me objektivin
kryesorë, jo për të bërë diçka më të mirë për Tiranën, mendoj, por për të
rilindur të djathtën e çuditshme shqiptare tashmë, të përçarë e të rrënuar moralisht, gjë që e dëshmon
edhe fakti që u përzgjodh për deputet në kohë kur organi i PD-së hyri në fazën kritike të infektimit.
Nga ana tjetër kemi një të ri ambicioz dhe me eksperiencë në politikë, i cili kërkon të bëjë ndryshimin. Ministria e tij - e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë - u vlerësua për punë të mirë nga Kryeministri. Është përfolur shumë nga Opozita për mënyrën e hyrjes së tij në politikë dhe aktivitetet e tij me organizatat. Kjo është diçka normale në politikën shqiptare. Por duke pasur parasyshë që ka personazhe politike të përfolur për bema të paimagjinueshme për nga dëmi publik e kombëtarë, Veliaj mbetet një alternativë premtuese për ta bërë më të jetueshme Tiranën, duke qenë se vizioni i tij bie në kundërshtim me vizionin e të verbuarve mysliman, ortodoks apo katolik, si dhe me vizionin e një mjeku.
Tags
Opinion