Drejtoria e Policisë së Shtetit ka bërë të ditur se ka vijuar me intensitet aksioni kundër vjedhësve të energjisë elektrike në të gjithë vendin.
Në njoftimin e zëdhënësit të Drejtorisë së Policisë së Shtetit, Gentian Mullai, bëhet e ditur se “Në të gjithë vendin gjatë kësaj jave kanë vepruar 85 grupe të përbashkëta Polici – OSHEE. Janë kryer kontrolle të përbashkëta Polici – OSHEE në 5.324 raste .
Si rezultat i kontrolleve të kryera në terren në abonentët biznes dhe familjarë, janë evidentuar 29 raste të vjedhjes së energjisë elektrike me 29 autorë.
Nga këta janë arrestuar në flagrancë 8 persona të cilët akuzohen për vjedhje të energjisë elektrike . Janë shpallur në kërkim 12 persona, ndiqen në gjendje të lirë 9 persona.
Po gjatë kësaj jave janë ndërprerë 2.616 lidhje të abonentëve debitorë dhe 29 lidhje të paligjshme. Gjithashtu janë kontrolluar 98 kabina elektrike dhe abonentët që furnizohen nga këto kabina.
Policia e Shtetit dhe OSHEE janë të vendosur ta çojnë deri në fund punën e nisur , deri në shkëputjen e fundit të lidhjeve të paligjshme, duke përballur me forcën e ligjit të gjithë ata persona, të cilët abuzojnë me energjinë elektrike, duke e vjedhur atë, qofshin këta përfaqësues biznesesh, individë, apo punonjës të vetë OSHEE-së”.