Kallëzohen penalisht 3 punonjës hipoteke që jepnin leje në zona turistike në Sarandë


Albania-Ksamil-AP6_3138666b

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar në Prokurori 3 specialistë të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Sarandë.

Mësohet se 3 specialistët e kallëzuar janë A.N. me detyrë ish-Juriste, R.P. me detyrë ish-Hartograf dhe N.B. me detyrë ish-Hartograf, të cilët akuzohen për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

Sipas njoftimit të KLSH, nga auditimi i kryer përgjatë periudhës Janar 2011 deri më Shtator 2014 në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Sarandë, janë konstatuar një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore, mbi bazën e të cilave është kryer kallëzimi penal në Prokurorinë e Sarandës, për 3 Specialistë të këtij institucioni.

Shkeljet e konstatuara kanë të bëjnë me të meta e mangësi, në zbatimin e procedurave ligjore lidhur me pranimin, përpunimin dhe administrimin e të dhënave për regjistrimin e pasurive të paluajtshme, duke sjellë për pasojë aplikimin dhe regjistrimin e 31 pasurive të përfituara me Leje Legalizimi, në zonën turistike të Ksamil-it, brenda brezit turistik, ku ndalohet zhvillimi i ndërtimit dhe nuk lejohet legalizimi i objekteve apo edhe blerja e truallit. Jo vetëm kaq, por siç thekson KLSH, në 9 raste janë evidentuar shmangie të detyrimeve financiare në vlerën prej 6.2 milion lekësh.

Po ashtu në 150 raste për sipërfaqen prej 23 ha është regjistruar tokë bujqësore më tepër se titulli i pronësisë por dhe shkelje të tjera, veprime në kundërshtim me ligjet./atsh/
Previous Post Next Post