Sërish përleshje në Lindje të Ukrainës

Përleshjet mes trupave qeveritare dhe forcave separatiste në lindje të Ukrainës sollën viktima të reja sot, një ditë pasi presidenti i vendit njoftoi një nismë për një armëpushim të ri.

Zëdhënësi i ushtrisë ukrainase Andriy Lysenko tha se gjashtë ushtarë u vranë dhe 14 të tjerë u plagosën në luftimet e 24 orëve më parë.


Autoritetet në qytetin e kontrolluar nga rebelët të Donetsk njoftuan se një civil u vra dhe një tjetër u plagos nga bombardimet të premten.

Të enjten, faqja e internetit të presidentit ukrainas Petro Poroshenko e citoi atë të ketë thënë se ushtria do të ndalë zjarrin më 9 dhjetor që është Dita e Heshtjes.

Të dyja palët nënshkruan marrëveshje e armëpushimit në Minsk, të Bjellorusisë më 5 shtator por ai është shkelur vazhdimisht me secilën palë që fajëson tjetër.

Agjencia ruse e lajmeve RIA Novosti citoi sot kreun e rebelëve në Republikën Popullore të Donetskut të ketë thënë se separatistët ishin të përgatitur të respektojnë Ditën e Heshtjes por mund të përgjigjen gjithashtu ndaj çdo zjarri nga ana e qeverisë.

Ndërkohë ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov akuzoi Shtetet e Bashkuara dhe disa vende evropiane se po përpiqen të portretizojnë Rusinë si shkaktare të krizës në Ukrainë. Ai përsëriti gjithashtu thirrjen e Moskës që Kievi të zhvillojë bisedime të drejtpërdrejta me separatistët.
Previous Post Next Post