Prokuroria sekuestron dosjen e Paktit Detar me Greqinë

Prokuroria sekuestron dosjen e Paktit Detar me Greqinë
 Prokuroria e Tiranës sekuestron dokumentacionin e paktit të ndarjes së kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë, i cili mbeti në letër pas shfuqizimit nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2009.

Dy muaj pas kërkesës së bërë nga organi i akuzës, grupi i hetimit mësohet se ka marrë më në fund gjithë dokumentacionin e negociatave mes Shqipërisë dhe Greqisë për ndarjen e kufirit detar mes dy vendeve. Sekuestrimi i dosjes së paktit detar, e cila përmban dokumente të Ministrisë së Jashtme, Ministrisë së Mbrojtjes dhe disa institucioneve të tjera është bërë në kuadër të hetimeve që po kryen Prokuroria.


Organi i akuzës ka nisur hetimet për veprën penale “Marrëveshja për dorëzim territori” të parashikuar nga neni 210 i Kodit Penal, pas kallëzimit të bërë nga Ministria e Jashtme më 28 maj 2014. Mësohet se dokumentacioni i paktit detar me Greqinë ishte kërkuar nga Prokuroria që prej muajit shtator të këtij viti. Institucionet që dispononin dokumentet kanë dashur rreth dy muaj kohë për të gjetur të gjitha shkresat në lidhje me këtë çështje, të cilat këtë javë janë sekuestruar nga ana e Prokurorisë.

Kjo e fundit është duke i vazhduar hetimet në lidhje me marrëveshjen për ndarjen kufitare në det mes Shqipërisë dhe Greqisë, e cila është firmosur në datën 29 prill 2009. Pakti nuk hyri në fuqi pas u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese me vendimin nr.15, datë 15 prill 2010. Dokumentet e sekuestruara nga Prokuroria janë shkresat që kanë të bëjnë me mbledhjet e grupit negociator dhe letërkëmbimi mes institucioneve shqiptare dhe palës greke.
Previous Post Next Post