Lura, me bukuritë e pakrahasueshme natyrore dhe traditat e pasura historike dhe kulturore, vazhdon edhe sot e kësaj dite të befasojë me banorët e saj të cilët, qofshin në emigracion apo të shpërngulur në zona të tjera të vendit, rikthehen herëpashere në vendlindje. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Pëllumb Sulo, në përurimin e kishës së Shën Mërisë, banorët e Lurës u mblodhën pa dallim besimi, në një ngjarje që, sipas tyre, pritet të ndikojë edhe në zhvillimin e zonës dhe të turizmit.
Kisha e Shën Mërisë është ndërtuar nga një prej banorëve të Lurës, biznesmeni i niohur i Kompanisë “Lura Grup”, Dod Llesh Doçi, si një dhuratë për komunitetin e zonës.
Kisha e Shën Mërisë u bekua nga ipeshkvi i Rrëshenit, imzot Cristoforo Palmiere, i cili gjatë meshës vlerësoi traditat e banorëve të zonës, harmoninë e tyre ndërfetare, të cilën, siç u shpreh ai, e vlerësoi edhe Papa Françesku gjatë vizitës historike në Shqipëri.
"Kurdoherë ju do të vini e me respekt, me nder, do të mendoni për Zotin e ai do t’ju dëgjojë. Mund të jeni katolikë, mund të jeni muslimanë. Zoti është i njëjtë për të gjithë. Ne jemi tryeza e tij. Shikoni rrotull nesh. E themeluar mbi Marinë, nënë e Krishtit, që vazhdon të jetë kishë e gjallë nëpërmjet Nënës Tereze, Klementit të tetë, nëpërmjet Papa Françeskut, nëpërmjet nesh."
Duke i dhuruar simbolikisht ipeshkvit çelësin e kishës, biznesmeni Doçi solli në kujtesë shprehjen e Papa Françeskut si një mesazh per t’u rikthyer prap në shtëpi.
"Ishte një thirrje e të parëve tanë, që i kemi këtu në këto varre, që të rindërtojmë këtë kishë. Ndoshta për këtë u bë nxitje edhe Papa Françesku, me mesazhin e tij që fluturoni, fluturoni po kthehuni në vendlindje. Këtë e kanë bërë shumë përsonalitete të kombit tone. E ka bërë Skenderbeu, e ka bërë Papa Klementi, i cili bëri Kuvendin e Arbërit, e ka bërë Nënë Tereza, e cila kur morri çmimin Nobel tha aty se ishte shqiptare. Ne kemi detyrimin që të kthehemi në vendin tonë, ta ndërtojmë vendin tonë."
Ndërkohë, zoti Doçi i apeloi edhe banorëve të tjerë të Lurës, që janë larguar drejt emigracionit apo qyteteve të tjera të vendit, që t’i rikthehen vendlindjes duke ndihmuar, jo vetëm për ruatjen dhe pasurimin e traditave, por edhe zhvillimin e zonës.
Për ndërtimin e kishës së Shën Mërisë në Lurë punoi ekipi i arkitektëve dhe ndërtuesve të Kompanisë “Lura”, të cilët sollën një vepër në harmoni me traditën dhe mjedisin e zonës, duke evidentuar edhe themelet e kishës së vjetër, qe i përket shekullit të 15-të.
Përveç banorëve të zonës, pa dallime besimi, në përurimin e kishës ishin të pranishëm edhe përsonalitete të ardhura nga Tirana, mes të cilëve edhe deputetja Monika Kryemadhi.
Përurimi i Kishës në Lurë është edhe një sinjal për të tërhequr më shumë vemendjen drejt kësaj zone dhe problemeve të saj, një vemendje kjo, jo vetëm nga strukturat shtetërore, por edhe vetë biznesi privat./voa/
Tags
Kulture