Nga Marion Mardodaj |
1. Çfar do të thotë punë? Pse njerëzit
shkojnë në punë? ,‘’Zgjidh
punën që dëshiron, dhe nuk do të duhet të punosh asnjë ditë në jetën tënde’’
thoshte Konfuci . Niveli i
perceptimit përsa i përket kuptimit të punës është modest. Dikur, punë do të
thoshte të mbaje frymën gjallë, t’u vishje me rrobat e pakta që ekzistonin në
tregun e atëhershëm, kush ishte me fat të mobilonte shtëpinë, por edhe frika
se, po mos të punoje do ishe i dyshuar për veprimtari antipopullore. Ndërsa sot dimensioni i
kuptimit ka marrë përmasa krej të ndryshme. Sot punë do të thotë, të përmbushësh
nevojat sociale, të jesh i pavarur, të rrespektohesh nga të tjerët, të kesh
siguri, të paguash taksat etj. Remineshenca e së kaluarës dhe vështirësitë në
përshtatje me kushtet e tregut mendoj se
kanë ndikim të konsiderueshëm në këtë aspekt.
2.Niveli
i ulët i njohjes së parasë, dhe abuzimi në kreditim. Në një sondazh të bërë para
disa muajsh rezultonte se shqipëtarët, rreth 40% të të ardhurave i konsumonin
për vese (kafe, duhan, alkool etj. Rastet kur njerëzit mund të shesin shtëpinë
e tyre për të blerë një makinë janë të shumta. Ndërsa kreditimi abuzues e
thellon më shumë këtë problem. Kjo qasje bën që paraja të orjentohet në kanale
shterpë. Si rezultat njerëzit nuk kanë kohën dhe paratë e nevojshme për të
menduar se si mund të arsimohen drejt, të rriten profesionalisht apo të ngrenë
biznese fitimprurëse. Në fakt ky është një fenoment global, mjafton të
përmendim reformën financiare të ndërmarë nga presidenti i SHBA Obama, e cila rriti kontrollin
financiar mbi bankat, duke mos lejuar kështu që konsumatoret të binin pre e
abuzivizmave të kreditimit. Duke pasur parasyshë se tek ne hapësirat për abuzim
nga ana e bankave janë të mëdha, dhe kultura monetare është e ulët, mendoj se
sensibilizimi i qytetarëve në këtë aspekt duhet të jetë permanent.
3.Korrupsioni, niveli i ulët në universitetete (mjafton të përmendim se nga një sondazh i bërë para disa javësh
rezultonte se 75% e studentëve pohonin se kanë paguar të paktën një herë për të
kaluar ose për ngritje note) dhe
kryesisht mungesa e bransheve specifike të cilat u përshtaten kushteve reale ekonomike të vendit. Për
shembull, kemi një dyndje të studentëve në degët financë, menaxhim biznes dhe marketing.
Dyndja në këto degë praktikisht mund të
jetë e dobishme në kushtet e një
ekonomie tejet të shëndoshë. Në një treg prej pothuajse 1 milion banorësh si Tirana
ky orientim është i pa dobishme dhe madje i dëmshëm. Mungojnë degët që kërkojnë
bashkëpunim midis universiteteve, si gjeografia e biznesit nga e cila derivon
edhe analiza e lokacionit të biznesit çka mendoj se është një komponet tejet i
domosdoshëm në ngritjen e një biznesi, konsulenca e biznesit është tepër e
vobektë etj. Gjithsesi, premtimi elektoral i zotit Basha për hapjen e zyrave të cilat orientojnë studentët
në tregun e punës para se të mbarojnë studimet, mendoj se do ndikonte
ndjeshëm në uljen e papunësisë. Pasi një student duke qenë i mirë orientuar, e
ka më të lehtë të zgjedhë në kushte dhe rrethana të caktuara.
4. Mungesa e theksuar e njohurive bazike të të
bërit biznes dhe taksat e larta të bashkisë. Siç u theksua më lart, konsulenca e biznesit pothuajse nuk ekziston,
nuk ekziston ndonjë zyrë informazioni se ku, sa dhe si një produkt, kulturë apo
mineral mund të mbillet, shitet, blihet apo nxirret (potencialet floristike e
minerare të Shqipërisë janë marramendëse. Analizat e lokacionit të biznesit dhe
sjelljes së konsumatorit janë jashtë
orbitës së komunikimit me biznesin aktual. Kompanitë e mëdha që operojnë
aktualisht mbijetojnë vetëm në sajë të shfrytëzimit të konsumatorit shqipëtar (duke
shfrytëzuar edhe padijen e tij) në
mënyrë neomerkantiliste. Në këto rrethana, gama e përzgjedhjes në hapjen e
një biznesi ngushtohet ndjeshëm, dhe ato
para të destinuara për t’u investuar, investohen shpesh pa llogjikën elementare
të kapitalizmit . Por edhe ato para që investohen në krijimin e bizneseve të
reja janë nën një goditje konstante nga taksat e larta të bashkisë. Ndërsa
ndërtimet dhe kullat e shumta në Tiranë
bashkë me zyrat e biznesit brënda tyre, nuk i pështaten numrit të popullsisë dhe fuqisë blerëse si në
Shqipëri edhe në Tiranë. Këto faktorë bëjnë që biznesmetët të falimentojnë, t’i
shmanget taksave dhe sigurimeve e si rrjedhojë të gjitha këto nxisin papunësi .
5. Mungesa profesionale e punonjësve që kanë
targetin për të pajtuar njerëz në punë(rekrutuesve), dhe njohuritë e cekëta të punëkërkuesve për atë se çfarë
punëdhënësit kërkojnë. Kjo pikë vlen kryesisht për kompanitë e mëdha, dhe
përgjegjësinë kryesore mendoj se e kanë universitetet. Një student që përfundon
fakultetin e shkencave sociale, teorikisht e di se çfarë kërkon një punëdhënës
nga një punëkërkues, si punësim afatgjatë, aftësi për të punuar mirë me të
tjerët, aftësi për t’u rritur etj., pra atij i atribuohet cilësia e
punëdhënësit. Por problemi qëndron në faktin se kompani të ndryshme kanë
aspirata, synimeve dhe objektiva të ndryshme, në këtë sens edhe performanca e
tyre duhet të jetë në sinkroni me këto synime, profilizime këto që njihen
gjerësisht në perëndim. Pra rekrutuesit thjeshtë i mëshojnë disa pikave holistike
por në kontekste të ndryshme. Mënyra e evidentimit të aftësive të një punëkërkuesi nga ana
e tyre më së shumti është standarde, ata
bazohen kryesisht në tekste të përkthyera. Pra, edhe gjuha në të
shumtën e rasteve është e pa kuptueshme për një punëkërkues. Ndërsa qasja e ndryshme
kulturore e shqipëtarëve nga kultura e punës, e induktuar në një rekrutues vetëm
në mënyrë teorike, mendoj se përbën një pengesë thelbësore përsa i përket
kuptimit midis tyre. Si rezultat pajtimi i punonjësve nga ana e tyre bazohet
indirekt mbi baza krahinore (në një vëzhgim personal, më ka rezultuar se në x
sektor të 4 kompanive të ndryshme, mbi 60% e punonjësve i përkisnin të njëjtës
krahinë respektive), njohjesh, por edhe korrupsioni. Kjo do të thotë të
punësosh të pa aftë,të pajtosh e të shkarkosh vazhdimisht, pra krijohet një
amulli e pa kuptimtë .
6. Pozita gjeografike, kushtet urbano-ambjentale dhe ngjeshja e popullsisë. Klima, siç dihet ndikon në shëndetin
e njeriut, Tirana në kushte natyrale karakterizohet nga një klimë mesdhetare
kodrinore jashtëzakonisht e përshtatshme për të jetuar mirë. Njeriu,
rendimentin e tij optimal e jep në temperaturat 17-18 gradë. Vlerat mesatare të
këtyre temperaturave në kushtet natyrale në Tiranë fatkeqësisht hasen në stinët
tranzitore kur edhe proçeset e brendëshme kimike të njeriut ndryshojnë, ndërsa
në stinët e tjera nuk mund të bëhet fjalë për rendiment optimal. Pra rendimenti
njerëzor lidhet direkt me rendimentin në punë (kryesisht për ato që punojnë në
hapësirë), dhe në një kohë kur kërkesat rriten, rendimenti mbetet i njëjtë. Nuk
është krejt rastësi që vendet veriore janë më të zhvilluara se ato jugore, pasi
të paktën në dy muaj të vitit ato japin rendiment optimal, dhe energjinë
termike ato e përdorin vetëm në një drejtim (për ngrohje), kështu edhe proçeset kimike të brendëshme të njeriut
thjeshtëzohen duke u adaptuar më shpejt
me mjedisin. Ndotja atmosferike dhe akustike siç dihet ndikojnë në
shëndetin e njeriut, ndotja akustike shkakton stres, e stresi i tepërt të çon
në një ndjenë të pashpresë, ul rendimentin në punë etj. Ngjeshja e popullsisë
gjithashtu ndikon në mënyrë origjinale në papunësi. Në një mjedis urban, në
rast se psikoza e të qënit i pa shpresë dominon, ngjeshja e popullsisë do të
rrisë nivelin e kësaj psikoze. Në rast se mbizoteron optimizmi, ngjeshja do te
prodhoje efekte te dobishme. Freedman argumenton se, kjo është arsyeja kryesore
që duhet të sigurojmë ekzistencën e mjediseve shoqërore pozitive në zonat me
dëndësi të lartë. Në Tiranë këto elementë negative janë në nivele alarmante, si ndotja akustike,
psikoza e të qënit i pa shpresë në një mjedis me dëndësi të lartë etj. Ndërthurja
e këtyre komponentëve urbano-ambjental ndikon në mënyrë krejt origjinale në
papunësi. Këto mendoj se janë disa nga faktorët kryesore që ndikojnë në
nivelin papunësisë në metropolin
shqiptar, ku secili kërkon vëmendje specifike.
Shënim: ky shkrim është botuar si fillim në datë 5 prill 2011 në gazetën Metropol.
Tags
Opinion