Ndihma urgjente për familjet në rrezik


676CBF7A-9C9B-405D-9102-1F5A3432E368_w268_r1.png

Një numër jo i vogël familjesh në Shqipëri jetojnë në varfëri ekstreme, ndaj shërbimi social ka nisur një formë të re ndihme për njerëzit në rrezik. Brenda pak muajsh kjo ndihmë e veçantë iu dërgua rreth 320 familjeve të varfëra, ndërkohë që edhe pushteti vendor po përfshihet në këtë nismë të re.

Diku pranë shinave të trenit, që ndajnë Laprakën me Kamzën në periferi të kryeqytetit shqiptar, jeton Agim Rrapollari me dy fëmijët e tij. Në atë zonë ka mijëra njerëz që jëtojnë në vështirësi, por Agimi është më ngushtë nga të tjerët. Ai jeton vetëm në një dhomë me së bashku me dy fëmijët shkollarë, djali në klasën e parë, vajza në klasën e pestë.


Agimi është pa punë, pa shtëpi dhe pa as pasurinë më të vogël për të mbrojtur fëmijët e vet.
Qendra Arsis i pagoi qerane e një dhome për disa muaj, ndërsa shërbimi social e ndihmon me nevoja të tjera.“Po kërkoj punë. Jam bërë mjeshtër në lyerjet e ndërtesave. Ndihma ka qenë e madhe nga shërbimi social, sidomos për fëmijët, por më duhet një punë. Ndihmat janë të përkohshme, nuk mund të jetosh gjatë me to” - thotë ai.
Agimi është vetëm njëri nga disa qindra qytetarë të tjerë kushte emergjence që po ndihmon Shërbimi Social Shtetëror. Në pak muaj është ofruar mbrojtje dhe përkujdesje për 320 fëmijë, burra dhe gra në situatë rreziku pikërisht në zonat ku ata jetojnë. Shërbimi social shtetëror po zbaton një model të ri për menaxhim rasti me ndihma urgjente dhe shërbime alternative.
Janë dhënë ndihma emergjente në 20 raste në Gjirokastër dhe 20 të tjera në Durrës dhe Tiranë. Deri tani u dha shërbim alternativ për 155 gra e vajza nëpër komunitete dhe gra që ndodhen me fëmijë ose vetëm në strehëza. Janë punësuar 11 prej grave nga strehëzat kundër dhunës, ndërsa shumica e tyre kanë marrë shërbime alternative në komunitet. Ndërsa, 164 fëmijë në situatë rreziku, kryesisht në Berat, Shkodër dhe Gjirokastër janë marrë në përkujdesje nga Shërbimi Social Shtetëror ku përfshihen edhe fëmijë të komunitetit rom/egjiptian.
Nga 27 institucione përkujdesi në Shqipëri, 17 prej tyre i kanë kaluar pushtetit vendor, por ato nuk ndajnë nga buxheti i tyre asnjë fond për kujdesin shoqëror, duke pritur gjithcka nga kryeqyteti. Drejtoresha e shërbimit scial shtetëror, Etleva Bisha, thotë se krahas ndihmave ekonomike tradicionale dhe aftësitë e kufizuara apo fëmijët e braktisur, sivjet janë futur edhe ndihmat emergjente, si një rrugë e re për t'iu gjendur njerëzve pranë së bashku me pushtetin vendor.
Studimet tregojnë se vetëm 30 për qind e fondeve kundër varfërisë shkojnë vërtet në ndihmë të familjeve ekstremisht të varfëra. Deri tani janë 11 familje që kanë marrë pa të drejtë ndihma ekonomike nga pushteti vendor si gjoja familje të varfëra. Pushteti vendor, pohojnë sociologët, duhet të ulë abuzimet me ndarjen e ndihmës sociale për njerëz me biznese, dhe duhet të shtojnë fondet për qytetarët e varfër. Një sfidë mbetet pastrimi i listave të varfërisë nga spekullantët dhe dërgimi i ndihmave sa më saktë tek të varfërit./voa/

Previous Post Next Post