Kosova është pjesë e hartimit të dokumenteve ndërkombëtare që synojnë dokumentimin dhe nxjerrjen përpara drejtësisë të kryesve të veprave kriminale të dhunës seksuale gjatë luftës, tha sot Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga.
“Ne tashmë jemi pjesë e një ndër nismave globale më eminente që synojnë eliminimin e dhunës seksuale në konflikte, e udhëhequr nga Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, z. William Hague, ku ne japim kontributin e drejtpërdrejtë në hartimin e Protokollit Ndërkombëtar”, tha ajo në takimin e dytë të Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale Gjatë Luftës.
Brenda pak javësh, vijoi ajo, në Samitin Global të kësaj nisme që mbahet në Londër, do të mblidhen pjesëmarrës nga të gjitha vendet e botës, dhe ne do të ndajmë përvojën tonë, përpjekjet e shoqërisë sonë për të ndihmuar këtë kategori dhe sfidat me të cilat ende vazhdojmë të përballemi për t’ju ofruar atyre trajtimin e merituar.
“Ky Samit padyshim që do të shërbejë për të njohur ndërkombëtarisht viktimat e dhunës seksuale që la pas lufta në Kosovë, për të thyer heshtjen që ka mbizotëruar brenda dhe jashtë vendit, por padyshim për të mësuar edhe nga përvoja e të tjerëve, duke u rreshtuar përkrah vendeve demokratike të botës së lirë, që bëjnë thirrje për eliminimin e këtij mjeti mizor të luftës, dhunës seksuale ndaj civilëve të pafajshëm në konflikte”, u shpreh Jahjaga.
Ajo u shpreh e bidur që Protokolli Ndërkombëtar, si pjesa përfundimtare zyrtare e këtij Samiti, do t’i shërbejë Kosovës, duke asistuar në punën e institucioneve dhe mekanizmave tashmë të krijuar që synojnë dokumentimin dhe nxjerrjen përpara drejtësisë së kryesve të kësaj kategorie të krimit.
“Shpresoj se Kosova, si anëtare e kësaj nisme globale, do të arrijë të ofrojë një angazhim dhe përgjigje gjithëpërfshirëse ndaj nevojave të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës”, theksoi Jahjaga.
Presidentja e Republikës tha se, vetëdijesimi institucional për obligimin ligjor ndaj kësaj kategorie të viktimave civile të luftës erdhi me miratimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK-së, viktimave civile të luftës dhe familjeve të tyre, nga Kuvendi i Kosovës në 20 mars të këtij viti.
“Miratimi i këtij ligji shënoi hapin e parë drejt njohjes së statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, përmes të cilit këto viktima do të gëzojnë tashmë përkrahjen institucionale si të gjitha kategoritë e tjera, viktima civile të luftës”, tha Jahjaga duke shtuar se e vlerëson këtë si hapin e parë, ndër shumë të tjerë që mbetën për t’u bërë për të garantuar zbatimin e plotë të këtij ligji.
Javën e kaluar është themeluar Bordi Drejtues, me përbërje gjithëpërfshirëse politike dhe nga shoqëria civile, për organizimin e peticionit “Kërkojmë Drejtësi Ndërkombëtare për Gratë e Dhunuara gjatë Luftës së fundit në Kosovë”.
“Qëllimi i këtij peticioni është arritja e drejtësisë ndërkombëtare për gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë”, ka thënë zv/kryeministrja Edita Tahiri. Ajo ka theksuar se krimi gjenocidal që ka prekur mbi 20, 000 gra në Kosovë, ka mbetur ende i pandëshkuar 15 vjet nga përfundimi i luftës./atsh/
Tags
Kosova