Miene Kamf, Das Kapital dhe veza - Marion Mardodaj


Marion Mardodaj
 Dje po bisedoja me një shkrimtare të njohur shqiptare për këta dy libra. Në një moment, ajo më tha: “Mos u merr me këto, dihet muhabeti, e njëjta histori: veza apo pula?! Pse nuk merresh me krijimtari, pasi kam vënë re që nuk të mungon dhuntia?”. 

Dëgjo, - i thashë, - “Në kohën e komunizmit ekzistonte një superbishë që, përveçse mbante lidhur ëndrrat e shqiptarëve, mbante të lidhur edhe një tufë minibishash. Sa herë që superbisha kishte nevojë për gjak, lëshonte ndonjë nga këta minibishat. Minibisha, i liruar përkohësisht nga zinxhirët, bënte kërdinë në masakrimin e njerëzve dhe përdhunimin e ëndrrave të shqiptarëve. E gjitha kjo ndodhte në një fshehtësi mistike. Edhe nëse ndodhte që diçka të dilte në sipërfaqe, superbisha kishte një tufë zogjsh parazitngrënësish mbi trupin e tij, të cilët bënin mirë punën e tyre. Nga njëra anë, këta zogj ushqeheshin me parazitët që ndodheshin mbi trupin e bishës, dhe nga ana tjetër, i cicëronin popullit me tingujt që gjeneronin nga të ushqyerit me këta parazita. Sot, këta minibisha janë të liruar nga zinxhirët dhe populli i di të gjitha. Populli është tepër i lodhur nga këngët dhe historitë. Ndjenjat dhe sentimentalizmat humane janë në nivelin minimal. Personalist, më duket sikur i bie popullit në qafë kur mendoj që dikush do të ndikohet nga librat apo poezitë e mia, kur minibishat janë të liruar, kanë skepet e tyre të zogjve, rrezen e tyre të veprimit dhe në çdo moment janë gati të kafshojnë ëndrrat e shqiptarëve të ndershëm.” 


- Shumë e vërtetë, - thotë ajo. - Këto ditë është diskutuar gjerë e gjatë nëpër media për librin “Mein Kampf” të Hitlerit. Debati nëse duhet lejuar apo jo, më tingëllon qesharak, duke pasur parasysh që sot, me vetëm disa klikime në internet, mund të blesh dhe të shohësh gjithçka të paimagjinueshme të kësaj bote apo gjithçka që mund të imagjinojë një mendje e sëmurë. Në realitetin politik shqiptar, ka mjaft personazhe që vazhdojnë të bëjnë luftën e tyre me mendësinë e marksizëm-stalinizmit. Po të gjendet ndonjë shkrimtar i mirë që të bëjë ndonjë biografi, e them me bindje se “lufta” që disa nga politikanët tanë po bëjnë do të rezultonte mijëra herë më e fëlliqur moralisht se “Mein Kampf” i Hitlerit. 

Përjashto Biblën, “Mein Kampf” dhe “Das Kapital” janë librat që edhe sot e kësaj dite ndikojnë politikat globale. Si pasojë e ndikimit të konsiderueshëm të këtyre dy librave, globi ka aktualisht këtë konfigurim territorialopolitik, këtë rend socioekonomik, madje edhe politikat që zhvillojnë aktualisht të gjitha shtetet apo organizatat ndërkombëtare ndikohen në mënyrë të konsiderueshme nga këto libra. Si rrjedhojë, padyshim që në këto libra ka plot të vërteta. Gjithsesi, përfundimi është i qartë: të dy librat përfundojnë me dilemën e famshme që ka shoqëruar historinë e njerëzimit që nga krijimi, atë të vezës dhe pulës.

Vlen të theksohet këtu edhe ndikimi i Napoleon Buonapartit. Përveç risive që Napoloni i solli politikës moderne, përdorimi i tij për komandimin politik të sjelljes njerëzore përbën një shembull të rëndësishëm. Njerëzit komandohen vetëm nëpërmjet dy elementëve: shkopit dhe karrotës. Këta elementë përbëjnë arsyen e konfigurimit aktual të globit. Gjatë gjithë historisë së njerëzimit, rritja e popullsisë ka qenë një stimul i fuqishëm për shpikjen e teorive të reja. Krizat ekonomike kanë prodhuar gjithnjë luftëra dhe teori të ndryshme politike apo ekonomike. Mesa duket, ka ardhur koha që njerëzimi të përdoret sërish si kavje për të ndërtuar ndonjë teori të re. Pas lindjes së banorit të 7 miliardë, në diskutimet ndërkombëtare dhe politike shpesh po përdoret termi "gjeopolitikë". Term ky që nuk përdorej prej 4 dekadash pasi asociohej me nazizmin dhe konsiderohej helmim intelektual. Gjithsesi, është e sigurt që shumica e atyre që e përdorin këtë term nuk e dinë çfarë do të thotë, por thjeshte janë ato njerëzit me vetëm disa kualifikime që kryejnë ato funksione, të cilat Aristoteli i konsideronte stacionet e fundit të tyre në jetë.

Hitleri u ndikua nga teoria e Ratzelit që thoshte: “Shteti është një forcë gjeopolitike e rrënjosur dhe e formësuar prej mjedisit natyror. Për të arritur prosperitetin në këto rrethana mbijetese, shtetet duhet të zaptojnë vazhdimisht territore dhe resurse”. Ky është thelbi i teorisë që Hitleri përdorte si justifikim për të masakruar dhe për të shpikur lloj-lloj teorish që frymëzonin urrejtjen racore dhe propagandonin superioritetin e racës ariane. “Mein Kampf” ishte një libër propagandistik në shërbim të këtij qëllimi. Ta zëmë se Boshti Qendror do të fitonte luftën dhe Gjermania do të sundonte. Edhe sikur i gjithë globi të popullohej nga një racë e pastër ariane, popullsia do të rritej dhe sërish arianët do të luftonin midis tyre për të mbijetuar. Pra, do të mbërrinim përsëri te teoria e vezës dhe pulës.

Thelbi mbi të cilin gjenerata e marksistëve u bazua për të shtypur dhe masakruar njerëzimin qëndron te “Das Kapital”. Marksi thoshte: “Artikujt e ndryshëm të të mirave materiale janë objekte misterioze, tek të cilat, në pamje të parë, karakteri social i punës së njeriut shfaqet si një tipar objektiv i punës së këtij produkti”. Ai e ilustron këtë me fenë: “Në fe, prodhimi i trurit të njeriut shfaqet si qenie e pavarur. Të mirat materiale dhe marrëdhëniet sociale midis qenieve njerëzore, në totalin e tyre, shfaqen në formën e vlerës së një produkti, sikur kjo vlerë të ishte e pavarur prej marrëdhënieve sociale.” Dhe më tej Marksi i sugjeronte dishepujt e tij: “Ashtu si filozofia gjen armët tek proletariati, edhe proletariati gjen armët intelektuale tek filozofia (marksiste në këtë rast).” Prej këtij paragrafi kanë marrë shkas edhe një sërë librash konspirativ për hegjemoninë globale të hebrenjve. Sido që të jetë, Marksi u bën thirrje dishepujve të tij të komandojnë mendjen e njeriut në mënyrë që ta menaxhojnë dhe ta përdorin atë si në kohën e skllavopronarisë, ku njerëzit i thërrisnin me emrat e mjeteve me të cilat punonin token, kazma, lopata, shati..., etj. Madje kjo qasje është edhe më e rrezikshme, pasi synon t'i thërrasë punëtorët me një emërtim të vetëm: proletariat, ku dinjiteti dhe individi shumezohen me 0. Pra, vijmë sërish te veza: ta zëmë se globi do të komandohej nga një tufë njerëzish. Sërish, këta do të shumoheshin dhe do të krijonin familjet e tyre, do të kishin dëshirat, ëndrrat dhe preferencat e tyre. Përsëri do të krijonin mini-perandori dhe do të konfliktuoheshin midis tyre... dhe përsëri do të revoltohej proletariati... Dhe përsëri...

Fatet e njerëzimit nuk mund të ndikohen nga një mendje apo një tufë diktatorësh

Një mendje apo një grup mendjesh mund të bëjë aq sa bën një qelizë e vetme në trurin e njeriut, në një kohë kur për të formuar një mendim të vetëm, nevojitet kombinimi i qindra miliardë qelizave të trurit. E vetmja gjë që mund të bëjë një qelizë është të infektojë të gjitha të tjerat. Shqiptarët duhet të njihen me gjithçka të njohur në këtë botë dhe të reflektojnë mbi veprimet e tyre në të ardhmen. Sigurisht që çdo shtet apo njeri varet nga ndonjë shtet apo njeri tjetër, ashtu si ekzistenca e species humane varet nga aktiviteti diellor. John Locke ka një përgjigje për këtë: “Posedimi i fuqisë së pakufizuar mundëson që Zoti të jetë një despot dashamirës, ndërsa në rastin më të keq, një tiran.” Shqipëria zë vendin e dytë në Europë për nga niveli i rritjes së popullsisë. Valvulat e emigrimit nuk ka gjasa të japin rezultat në këtë kohë krize evropiane. Ndërsa nga ana tjetër, shumica e njerëzimit po pret me ankth se çfarë do të lindë veza e radhës...
Previous Post Next Post