Botuar më parë në gazetën Metropol, 9 korrik 2012
Nga Marion Mardodaj
Pas dyndjeve barbare të frankëve, ostrogotëve, hunëve etj., në fushat e begata të Evropës, në shekujt III dhe IV pas Krishtit, dhe të sllavëve në shekujt VIII dhe IX, këto fusha përjetuan luftëra të pafundme dhe u plehëruan me kufoma për shekuj me radhë. U ngritën dhe u shuan perandori, principata, provinca e dukate. U hyjnizuan, u masakruan apo u dogjën princër, mbretër, dijetarë dhe shkencëtarë që lanë gjurmë në historinë e njerëzimit. U zhdukën kombe, u shfaqën fe të reja, u ndërtuan tempuj dhe objekte kulti, një pjesë e të cilave ekzistojnë ende sot. Të gjitha këto ndodhën për territore, pushtet, prestigj apo për shkak të sundimtarëve kapriçiozë ose të çmendur.
Pika kulmore e mizorisë ndaj qenies njerëzore u arrit gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Hitler shfarosi miliona jetë të pafajshme, ndërsa Stalini zhduku një numër të ngjashëm njerëzish të pafajshëm, shumica e të cilëve u tretën në pllajën e acartë të Siberisë. Pas kësaj reje të zezë që mbuloi Evropën për shekuj, ajo përjetoi një epokë të artë lulëzimi: projekti evropian i solli kontinentit për 50 vjet rresht paqe, harmoni, drejtësi dhe demokraci.
Por Evropa sot përballet me sfida të reja në zhvillimet social-ekonomike, përpjekur të ruajë prestigjin e saj. Dhe ndër shtetet që vazhdimisht i krijon probleme Evropës, mbetet Serbia, mendësia mesjetare e së cilës është e nxitur nga Rusia e Putinit.
Plaga e parë që Serbia i shkaktoi Evropës ishte më 28 qershor 1914 – pikërisht në ditën e “Vidovanit” – kur Gavrilo Princip shkrep armën që nisi Luftën e Parë Botërore, me rreth 9 milionë viktima. Serbia, edhe pse fituese në letër, doli e përlyer në gjak, dhe sot sërish ushqen iluzione për fitore territoriale, ndërkohë që e dëmton vetëm popullin e vet.
Populli serb duhet të kuptojë se “Kushtetuta e Vidovanit” e mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, proklamuar po më 28 qershor 1921 nga mbreti Aleksandër, është pjesë e një historie të dhimbshme të mbushur me krime nacionalshoviniste. Sot, kroatët dhe sllovenët janë pjesë e Bashkimit Evropian, ndërsa Serbia mbetet e lidhur pas narrativave të vjetra.
“Vidovani” përkujton Betejën e Kosovës të vitit 1389, mes serbëve dhe Perandorisë Osmane, afër Prishtinës. Kjo ditë shfrytëzohet si simbol shpirtëror dhe patriotik nga serbët etnikë. Por që nga viti 1914 është përkujtuar gjithnjë më zhurmshëm, duke u shndërruar në mjet për promovimin e nacionalshovinizmit.
Kosova, ndonëse zinte vetëm 4.2% të territorit të ish-Jugosllavisë, kishte rreth 10% të pasurive të saj natyrore, përfshirë shumicën dërrmuese të mineraleve të vlefshme – veçanërisht në veri (Gjeografia e Kosovës, 2006, fq. 113, Sabri Laçi). Kjo e bën të kuptueshme obsesionin serb për këtë territor.
Në këtë kontekst, deklarata të tilla si ajo e patriarkut Irinei (“Kosova është Jeruzalemi ynë”) gjatë liturgjisë në Graçanicë, janë të rrezikshme. Po ashtu, nuk është rastësi që në atë ceremoni ishte i pranishëm vetëm ambasadori rus – Aleksandër Konuzin.
Pas një sërë konfliktesh të fundit në veriun e Kosovës, shfaqja e një betimi të ri në xhandarmërinë serbe pas “Vidovanit” – ku Kosova quhet “nënë”, “origjinë” dhe “histori” – është e frikshme. Ky betim ngjason me atë të dhënë nga Gavrilo Princip më 1912 kur iu bashkua shoqatës “Bashkim ose Vdekje”.
Mendoj se kjo është shprehje e agonis së fundit të nacionalshovinizmit serb. Dhe Rusia, si mentori i saj, po përdor të njëjtën qasje në Antarktik.
Edhe pse Antarktika është kontinent i akullt dhe jopopulluar, përveç stacioneve kërkimore, ajo është jashtëzakonisht e pasur me minerale të çmuara. Ligjërisht, territori është neutral dhe administrohet përmes “Sistemit të Traktatit të Antarktikës”, me qëllim që të shfrytëzohet vetëm për qëllime paqësore. Por sipas CIA World Factbook, SHBA dhe Rusia ruajnë të drejtën e pretendimeve territoriale, megjithëse kjo has në pengesën e Konventës së vitit 1988 që ndalon shfrytëzimin minerar.
Në këtë kuadër, ngritja në vitin 2004 e një kishe ortodokse ruse në stacionin “Belinghausen” në Antarktik, me rotacion priftërinjsh çdo vit, ngjall dyshime. Në mesjetë, pushtimet parapriheshin nga priftërinj dhe misionarë – një logjikë që, me sa duket, Kremlini nuk e ka braktisur.
Në këtë frymë, politika ruse i ushqen nacionalshovinistët serbë, siç tregojnë deklaratat e herëpashershme të klerikëve serbë. Kjo taktikë – fillimisht ngrihen simbole, më pas vijnë pretendimet territoriale – është e njohur. Kujtojmë rastin e varrezave në Korçë dhe pretendimet që pasuan.
Pra, “Vidovani” nuk është thjesht një përvjetor historik, por pjesë e një strategjie të qëllimshme për të ndarë Kosovën. Por problemi më i madh që mund të lindë në të ardhmen lidhet me Antarktikën: çfarë do të ndodhë nëse vdes papritur ndonjë shkencëtar rus në stacionin e tyre atje?
A do të shërbejë kjo si pretekst për tensione apo ndërhyrje?
A do të ndodhë një “Vidovan” rus në Antarktik?