"Udhë-heqës", thonë...

"Udhë-heqës", thonë...
 
Nga Marion Mardodaj

Sa e bukur duket fjala në letër: një njeri që të merr për dore dhe të çon përpara. Por në tokën tonë të bekuar e të mallkuar, “udhëheqësi” nuk të çon kurrëkund – ai ta heq udhën. Dhe këtë mjeshtëri ne e kemi perfeksionuar që nga koha e Enver Hoxhës e deri sot.

Enveri? Ai ishte artisti i parë i kësaj shpikjeje. Jo vetëm që s’na çoi gjëkundi, por na i hoqi edhe udhët që kishim. Udha për të jetuar të lirë, për të mësuar jashtë, për të parë botën, për të besuar në Zot, për të ndjekur ëndrrat – të gjitha të mbyllura me dry. Dhe kur dikush guxonte të kërkonte një dritare, plumbi ishte përgjigjja. Na i hoqi edhe udhët e qiellit.

Por ironia më e hidhur është se pas rënies së komunizmit, udhëheqësit ndërruan emra, jo zakone.
Në vitin 1997, një tjetër “udhëheqës”, i pajisur me firmat piramidale dhe popullin e armatosur, arriti të vrasë më shumë shqiptarë brenda disa javësh se Lufta e Dytë Botërore për vite me radhë.

Udhët sërish u prenë. Të tjerat u shndërruan në rrugë të gjakosura, e më vonë në rrugë eksodi.

Sot, më 2025, "udhëheqësit" tanë i kemi në shumëllojshmëri: disa me kollare, disa me kallashë, të tjerë me buzëqeshje plastike në ekran. Të gjithë me një gjë të përbashkët: e kanë kthyer artin e “heqjes së udhës” në profesion të përhershëm.

Të rinjtë ikin çdo ditë, mjekët ikin, mësuesit ikin, shpresat ikin... sepse këtu nuk ka më udhë. Ka vetëm largime.

Pra, "udhëheqës" në Shqipëri nuk do të thotë ai që të udhëheq. Do të thotë ai që ta heq udhën.
Jo drejt zhvillimit, por drejt zbrazëtisë. Jo drejt së ardhmes, por drejt valixhes.

Dhe historia vazhdon të përsëritet me përpikmëri, se udhëheqësi shqiptar s’ta jep udhën – ta fshin.
Previous Post Next Post