Kushtet ekonomike, vështirësitë në gjetjen e një pune, cilësia e arsimit apo sistemi shëndetësor janë disa nga faktorët pse njerëzit largohen nga vendlindja e tyre. Megjithatë, së fundmi, familjet e reja po zgjedhin të zhvendosen në shtete që konsiderohen idele për rritjen e fëmijëve. Sipas analizave të kryera nga ekspertë të organizatës Unicef, këto janë pesë shtetet më të mira për fëmijët, raporton A2 CCN.
Japonia
Japonia renditet në vendin e parë sa i takon shëndetin fizik, duke pasur vdekshmërinë më të ulët në botë të fëmijëve, si dhe numrin më të vogël të atyre që vuajnë nga obeziteti. Në raportin e fundit të Unicef-it, Japonia renditet e dyta për “botën rreth fëmijës” – një kategori që përfshin aspekte si hapësirat e gjelbra, siguria në trafik dhe nivelet jashtëzakonisht të ulëta të ndotjes së ajrit ose ujit.
Japonia është gjithashtu një nga vendet më të sigurta për familjet. Shkalla e përgjithshme e vrasjeve është 0.2 për 100.000 banorë. “Fëmijët shkojnë vetë në shkollë që nga mosha gjashtëvjeçare. Ata marrin autobusin, trenin ose ecin në këmbë në mes të Tokios”, thotë një banore vendase. Përveç shëndetit dhe sigurisë, Japonia ka gjithashtu një nga sistemet arsimore më të mira në botë, duke u renditur në vendin e 12-të midis 76 vendeve dhe rajoneve.
Estonia
Ndonëse nuk është në krye të renditjes së përgjithshme të Unicef-it, Estonia vlerësohet për një numër të madh faktorësh. Fëmijët janë të ekspozuar shumë pak ndaj ndotjes së ajrit, ndotjes akustike apo pesticideve. Ka hapësira të shumta të gjelbra dhe fëmijët argëtohen në parqe e kënde lojërash që gjenden pothuajse në çdo lagje.
Një nga pikat më të forta të vendit baltik është sistemi arsimor. Shkollat punojnë shumë me fëmijët për t’i mësuar në shkenca ekzakte, arte, por dhe në aftësitë teknologjike. “Tashmë që në kopshte, ka robotë, tableta inteligjentë, të gjitha të përdorura si pjesë e të mësuarit bazuar në lojë”, tha Anne-Mai Meesak, punonjëse në Ministrinë e Arsimit. Estonia, gjithashtu, ka disa nga politikat më bujare për prindërit e rinj sa i takon pushimeve vjetore dhe paketave ekonomike.
Spanja
Sipas Unicef-it, Spanja ka nivelin më të ulët të fëmijëve që sëmuren për shkak të ndotjes së ajrit ose ujit. Pavarësisht se ka politika të dobëta për sa i përket shërbimeve sociale, arsimore dhe shëndetësore, gjithsesi, fëmijët në Spanjë kanë mirëqenie të lartë. Ata dallojnë për aftësitë sociale, artistike dhe akademike. Vendi renditet i treti për mirëqenien mendore të fëmijëve dhe i katërti për aftësitë akademike dhe sociale, ndërsa shkalla e vetëvrasjes së adoleshentëve është thuajse inekzistente.
Finlanda
Finlanda, e cila renditet e pesta në raportin më të fundit të Unicef-it, konsiderohet vendi ideal sa i takon hapësirave të gjelbra dhe cilësisë së ajrit. Është gjithashtu një nga vendet me performancën më të mirë në botë për sa i përket arsimimit dhe aftësive matematikore të fëmijëve. Shkalla e vdekshmërisë së fëmijëve të grupmoshës nga 5 deri në 14 vjeç është një nga më të ulëtat në botë, më pak se gjysma e asaj në SHBA. Përgjithësisht, fëmijët mësohen që në moshë të vogël të jetojnë në një marrëdhënie të ngushtë me natyrën, duke luftuar kështu ankthin dhe depresionin. Megjithatë, shpesh prindërit i tremben në Finlandë dimrit të errët dhe të ftohtë. Por me kalimin e kohës, mësohen me të, duke shijuar bukuritë natyrore që fal ky vend nordik.
Holanda