Me meshat që filluan sonte në mesnatë, në të gjitha katedralet dhe kishat katolike në Kosovë dhe Shqipëri u festua Nata e Kërshëndellave. Në Shqipëri mesha kryesore u mbajtë në Katedralen e “Shën Palit” në Tiranë, ndërsa në Kosovë mesha kryesore sipas traditës u mbajtë në Katedralen “Nënë Tereze” në Prishtinë.
Në Tiranë mesha është drejtuar nga George Frendo, Ipeshkëv ndihmës në Kishën Katolike, ndërsa ai ka përcjellë mesazhet e paqes dhe dashurisë për këtë festë.
Ndërsa për besimtarët ortodoksë mesha mbahet në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme Katedralen Ortodokse në Tiranë. Ndërkohë në orët e paradites të ditës së sotme Kisha Katolike në Tiranë do të mirëpresë personalitetet e ndryshme, që do përcjellin urimet e tyre me rastin e festës së Krishtlindjeve.
Me rastin e festës së Krishtlindjeve, kanë përcjellë mesazhe urimi edhe drejtuesit e shtetit shqiptar, si Presidenti Bujar Nishani dhe Kryeministri Edi Rama.
Në Prishtinë mesha është drejtuar nga Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, i cili në fillim iu kërkoi të pranishmëve të luten për faljen e mëkateve dhe më pas, u vazhdua me lutjet dhe leximet e pjesëve të Biblës ku flitet për lindjen e Krishtit.
Duke i përshëndetur mysafirët, Ipeshkvi i Kosovës Dodë Gjergji porositi se viti që po e lëmë pas ka qenë një vit i vështirë për tërë botën dhe Kosovën, në veçanti.
Sipas imzot Gjergjit, viti i kaluar ishte një vit të mundimshëm dhe ai dëshiroj që viti i ardhshëm të kalojë në paqe dhe që njerëzit në Kosovë të kenë guxim ta shikojnë njëri-tjetrin në sy pa inat dhe me zemër të hapur, duke aluduar në udhëheqësit politik të vendit të cilët edhe i ka kritikuar për veprimet e sivjetme dhe tensionimet që munduan vendin gjatë vitit 2015. Viti 2015, sipas tij, ishte vit i luftërave, vrasjeve dhe refugjateve, kurse lumturia është gjë e thjeshtë dhe e kapshme nëse ne në jetën tonë mendojmë mirë flasim mirë dhe veprojmë mirë atëherë do të jemi të mirë dhe do të jemi të dobishëm dhe do të përkrahim njëri tjetrin.
Sipas traditës, meshën e Kërshëndellave nga Katedralja “Nënë Tereza” po e transmetojnë të gjitha kanalet televizive nacionale të Kosovës.
Tags
Kulture