Me rastin e 25 vjetorit të protestave studentore të 8 dhjetorit 1990, të cilat çuan në fundin e diktaturës në Shqipëri, kancelarja gjermane Angela Merkel ka dërguar një video-mesazh. Shqipëria ka kaluar tashmë me sukses faza të rëndësishme në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian, u shpreh kancelarja. Për të ardhmen vlen arritja e reformave të mëtejshme dhe përmirësimi i perspektivave për të rinjtë në Shqipëri.
Angela Merkel: “Të nderuar qytetare dhe qytetarë të Republikës së Shqipërisë, rreth dy muaj më parë, në Gjermani rikujtuam ribashkimin e vendit tonë para 25 vitesh. Asokohe në vitin 1990 edhe në Shqipëri shpërtheu dëshira për liri. Protestat studentore shënuan fundin e diktaturës në vendin tuaj. Të rinj të panumërt treguan një guxim të jashtëzakonshëm, i cili më në fund u shpërblye. Shqipëria u zhvillua në një demokraci pluraliste. Pas një izolimi dhjetravjeçar, sot Shqipëria përçon impulse për mirëkuptim dhe bashkëpunim në rajon. Në këtë drejtim angazhimi i Shqipërisë për krijimin e një rrjeti të përbashkët rinor ka karakter shembullor. Gjermania me shumë vëmendje ndoqi zhvillimin e Shqipërisë. Ne kemi marrëdhënie të ngushta dhe miqësore. Bashkëpunimi ynë ekonomik është i frytshëm. Gjermania e mbështeti anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Dhe tani ju shoqërojmë me këshilla dhe vepra konkrete në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Sigurisht që kjo nuk është rrugë e lehtë. Por ju tashmë keni kapërcyer etapa të rëndësishme. Do të gëzohesha shumë, nëse ju këtë e shikoni si nxitje për reforma të mëtejshme. Është e rëndësishme, para së gjithash, që të përmirësohen perspektivat e njerëzve të rinj në vendin tuaj, sepse mbi ata bazohet e ardhmja e Shqipërisë. Nga talentet e tyre varet çdo gjë. Mirëpo ata duhet të kenë mundësinë t’i shpalosin talentet e tyre. Shqipëria në 25 vitet e fundit ka bërë hapa të dukshëm përpara, kështu që edhe vendet tona janë afruar më shumë njëri-tjetrit. Gjermania edhe në të ardhmen do të jetë partnerja juaj e mirë”.