Procedurat e daljes së 56-vjeçarit Ruzhdi Arishta nga Spitali Psikiatrik i Shkodrës do të jenë objekt i një skaneri të plotë nga disa instanca shtetërore. Nuk dihet koha e plotë e shtrimit apo daljes së tij nga ky spital, por banorët e zonës konfirmojnë se sjellja e tij ishte tepër e ashpër dhe problematike jo vetëm në atë zonë, por edhe në fshatrat përreth.
Mungesa e familjes dhe jetesa prej të vetmuari e bënin Arishtën një person që sillte probleme me çdokënd në Obotin e Ri. Por ai që kishte më tepër probleme me Arishtën ishte fqinji i tij, ku shtyrja e një gardhi dhe deformimi i tij ishte shndërruar në mollën e sherrit prej disa muajsh. Mësohet se duke nisur nga dita e sotme do të nisë një analizë e plotë ndaj strukturave të spitalit psikiatrik, ku pritet të sekuestrohet kartela mjekësore.
Grupi hetimor pritet gjithashtu të analizojë diagnozën e plotë të pacientit dhe periudhën në të cilën ai ka qëndruar në këtë spital. Në analizë do të merret edhe vlerësimi i rrethanave që mundësuan daljen e tij, pra ka pasur ose jo përmirësim gjatë shtrimit në spital dhe a përbënte ai rrezikshmëri të lartë shoqërore, duke shtuar edhe faktin që jetonte i vetëm. Nga policia thuhet se nuk ka pasur sinjalizime serioze për rrezikshmëri të lartë, përpos disa ankesave të banorëve për sherre banale. Mesa duket policia ka pasur informacion se Arishta ndodhej ende i shtruar në Spitalin Psikiatrik.
Gjithsesi, e gjithë kjo pasqyrë e procedurave të lirimit nga spitali pritet të jetë pjesë e analizës që do të zhvillohet këtë javë. Përpos sekuestrimit të kartelës mjekësore dhe dëshmive të mjekëve, në analizë pritet të merren edhe veprimet apo reagimet e policisë në lidhje me këtë rast. Për më tepër, sot pritet të Policia e Shtetit të dalë me një reagim zyrtar, për të sqaruar këtë ngjarje të rëndë.