Gazifikimi i Shqipërisë - Masterplani gati në tetor 2016


Studimi për masterplanin e gazifikimit të vendit, i cili tashmë është në proces, pritet të përfundojë rreth muajit tetor 2016. Krahas fillimit të punimeve me infrastrukturën e nevojshme në gjurmën ku do të kalojë gazsjellësi TAP, vendi ynë pritet të jetë jo vetëm pjesë e rrjetit ndërkombëtar të gazit, por do të ketë dhe shtrimin e rrjeteve për gazifikimin e vendit me një rrjet të posaçëm të ri.

Masterplani dhe studimet e fizibilitetit kanë për qëllim futjen e elementit të konsumit të gazit nga bizneset dhe deri tek familjarët. Me përfundimin e masterplanit, janë siguruar mbështetjet financiare për të vazhduar me planifikimin e detajuar, ku përfshihen studimi i zonave potencialisht më të mundshme për ndërtimin e rrjeteve të shpërndarjes së gazit. Sipas ekspertëve në Ministrinë e Energjetikës, Shqipëria mund të ketë një konsum prej gati 1 miliard metër kub gaz/vit.

Gazifikimi i vendit kërkon investime të mëdha dhe kohëzgjatje ndër vite, por me përfundimin e masterplanit për gazifikimin, po shfaqet dhe interesimi nga kompani të huaja për këtë qëllim.

Sipas burimeve në Ministrinë e Energjetikës, kompania “Socar” nga Azerbajxhani ka shprehur interes për të realizuar infrastrukturën e gazifikimit në Shqipëri. Kjo kompani është edhe një nga aksionarët kryesore të vendburimit dhe transmetimit të gazit nga TAP.

Hapësirat më të mira për bashkëpunim, sipas ekspertëve në MEI, garantohen nga ligji “Për partneritetin publik-privat”, i cili ka hapësirat për gjetjen e investitorëve strategjikë për procesin e gazifikimit. Sipas tyre, po rritet interesi dhe nga kompani të tjera të huaja, që e shikojnë një treg potencial, gazifikimin e Shqipërisë./ATSH/
Previous Post Next Post