Ministri kosovar i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, ka marrë pjesë sot në mbledhjen konstituive të Këshillit për themelimin e Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj. Ai ka vlerësuar se themelimi i këtij universiteti është shumë i rëndësishëm dhe do të ndihmojë edhe zhvillimin ekonomik të Ferizajt.
“Ky nuk është një universitet më tepër në Kosovë, sepse është një universitet i veçantë, i profilizuar, e që do të jetë i lidhur me tregun e punës”, theksoi Bajrami.
Ai shprehu bindjen se anëtarët e Këshillit do të angazhohen maksimalisht për ta cuar përpara këtë universitet dhe i porositi ata që të angazhohen për të siguruar lidhje me ekonominë dhe partneritet me bizneset.
Ministri Bajrami është takuar edhe me kryetarin e komunës së Ferizajt, Muharrem Sfarqa, ku i ka uruar të gjithë qytetarët e kësaj komune për fillimin e punës së Universitetit, ndërsa ka biseduar edhe për gjendjen në arsimin parauniversitar në këtë komunë.
Ministri vizitoi edhe shkollën e mesme në Ferizaj, respektivisht punët finale që janë duke u kryer në këtë objekt të ri që është investim i MAShT, si dhe shkollën fillore në Zaskok për të parë nga afër kushtet në të cilat mësojnë nxënësit dhe mundësitë për investime në të ardhmen.
Tags
Kosova