“Slovenian Traveller” artikull mbresëlënës Shqipërisë


 Revista sllovene “Slovenian Traveller” i ka kushtuar në numrin e saj të vitit 2015 një artikull të gjatë për Shqipërinë, shoqëruar me pamje nga zona të ndryshme të vendit.

Autori Ivan Botteri me titullin “Shqipëria përmes fotografive” ofron informacion për Shqipërinë, qytetet, jetën, sigurinë, turizmin, kulinarinë, etj. Disa nga nëntitujt janë “Vendi i shqiponjave”, “Kudo, familje, të rinj e studentë e njohin europarlamentaren sllovene Tanja Fajon”, etj.

Më poshtë artikulli i plotë i revistës sllovene i shoqëruar me 19 fotografi:

Kur viziton Shqipërinë, e di se viziton një vend që për 50 vite ka qenë i izoluar dhe pret të përballesh me stereotipe të izolimit. Por, që kur hyn në vend përmes kufirit, menjëherë kupton se nuk është më ajo situatë. Zyrtarët e pikave të kalimit kufitar punojnë me shpejtësi dhe dashamirësi. Në rrugët e Shqipërisë nuk shikon policë, atje sheh shumë më pak se në Malin e Zi. Rrugët e vendit janë me cilësi të ndryshme dhe prandaj duhet kujdes.

Është shumë e këndshme të udhëtosh në rrugët e Shqipërisë, por jo me shpejtësi të madhe. Vendasit janë të sjellshëm dhe shumë miqësorë kur të japin përgjigje. Çdo vit rrugët përmirësohen. Shqipëria dhe Kosova janë të lidhura me autostradë. Mjediset e hyrje-daljeve në kufi janë të rregulluara, por që kërkojnë përmirësim të mëtejshëm.Nëse kërkoni bunkerë, mund t’i shihni të mbjellë gjithandej.

Kjo është e vërtetë, por e kohës së kaluar. Edhe tani mund të shihni shumë, por të mbuluar, madje me funksione të ndryshme si bare, frigorifer natyral, ose të përshtatura si apartamente turistike.

 Në veri, qyteti i parë është Shkodra, si dhe liqeni i Shkodrës i ndarë me Malin e Zi. Qyteti i Shkodrës me rreth 160 mijë banorë, është qytet i lashtë me kalanë e Rozafës, kështjellë e cila sipas legjendës është rrëzuar e ngritur disa herë. Me plotë kuptim në këtë aspekt është legjenda e murimit. Shkodra dikur ka qenë qendra më e madhe shqiptare dhe qendra më e madhe tregtare.

Ndërsa sot qyteti më i madh është Tirana, metropoli i vendit. Po ashtu, Durrësi është qytet i rëndësishëm dhe porti detar më i madh në vend. Durrësi është qytet mesdhetar, turistik, me plazhe disa kilometrash me rërë, plazhe të cilët vazhdojnë deri në lumin Buna në veri në kufi me Malin e Zi. Qyteti ka trashëgimi romako-bizantine, si dhe ka amfiteatër. Duke shkuar më në veri, është mirë të vizitohet Kruja, dikur kryeqytet i shqiptarëve. Atje heroi kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbeu në shekullin XIV për 25 vite e mbajti të lirë Shqipërinë nga turqit.

Në këtë qytet gjendet muzeu historik “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, me pamje nga deti dhe nga ku sheh edhe Tiranën edhe Durrësin. Tirana, ndodhet rreth 30 kilometër nga Durrësi. Qyteti ka një popullsi prej rreth 1 milion banorë dhe ka një qendër të rregulluar. Ndërtesat e qytetit me punën e ish kryebashkiakut Edi Rama paraqesin pamje tjetër, janë lyer në mënyrë artistike me ngjyra nga më të ndryshmet. Në Tiranë i gjen të gjitha në dhe rreth sheshit qendror. Në shesh është monumenti i Skënderbeut, opera, muzeu, hoteli Sheraton, ndërtesat e istitucioneve ministrore dhe presidencës. Ende janë të pranishme kontrastet e të shkuarës dhe të sotmes.

Diçka e veçantë përfaqësohet me “Bar Fajon” në respekt e mirënjohje ndaj europarlamentares sllovene Tanja Fajon, e cila punoi për liberalizimin e regjimit të vizave për lëvizjen e shqiptarëve në vendet e BE-së. Bari është më shumë se i tillë. Në mjediset e tij ka fotografi të Tanja Fajon. Fotografi ka edhe në bluzat e personelit të barit. Gjitkund jemi ndjerë të sigurt. Kjo është gjë shumë e mirë për këdo që vjen nga Sllovenia për të vizituar Shqipërinë. Duke përdorur dy-tre fjalë shqip, i gjen dyert e hapura. Mikpritje e veçantë na u rezervua në jug të vendit, si p.sh në Berat. Kuptimi i fjalës Berat është qytet i bardhë. Qyteti ka pamje të bukur, shtrihet në breg të lumit Osum dhe është nën mbrojtjen e UNESCO-s.

Natyra është e bukur. Vendi është mesdhetar me pamje të bukura, me laguna, liqene e lumenj që derdhen në det. Bregdeti shqiptar është qindra kilometërsh. Turizmi është në zhvillim të madh.

Në jug, përballë ishullit të Korfuzit ndodhet qyteti i Sarandës, në të cilin ka me dhjetra hotele të kategorive të ndryshme, përfshi edhe me pesë yje.

Kudo ku kemi udhëtuar nëpër Shqipëri, nuk kemi hasur probleme. Lidhur me komunikimin, të rinjtë shqiptarë më tepër flasin anglisht. Brezi më i madh flet më tepër italisht. Shqiptarët e nderojnë shumë gjuhën e tyre. Siç ndodh edhe me ne në Slloveni, edhe në Shqipëri, në pjesët në kufi me vendet kufitare njihen respektivisht edhe gjuhët serbe, maqedone, malazeze, greke dhe italiane. Shqiptarët kënaqen kur ju drejtohesh me ndonjë fjalë në gjuhën shqipe, ose thjesht “Mirëdita”, “lamtumirë”.

Në bregdet mund të gjeni ushqim të freskët detar, drekë të mirë për dy persona me kosto 10 euro, dhoma me dy shtretër 30-70 euro me mëngjesin të përfshirë. Në Tiranë këto kushte i gjen me kosto 40-100 euro. Vendet e parkimit janë të garantuara.Mund të gjesh suvenire të punuara në mënyrë artizanale, konjak shumë të mirë dhe në veçanti atë “Skënderbeg”, verë, vaj ulliri, etj.

Në Shqipëri do mund të gjeni shumë automjete me targa italiane. Shumica janë të emigrantëve shqiptarë që punojnë në Itali. Ka shumë mercedeza, për shkak të cilësisë së rrugëve, por edhe për krenari.

Për sllovenët, është e mira që pushimet verore t’i kalohen në jug të Shqipërisë. Moti është i nxehtë dhe rekomandohet që pushime mund të kryen edhe në shtator.

Ka edhe ngjajshmëri ndërmjet dy vendeve përsa i përket klimës. Nëse dëshirohet vetëm të udhëtohet, atëherë muajt më të rekomandueshëm për udhëtim në Shqipëri do të ishin muajt maj dhe tetor. Kulinaria shqiptare nuk është tipike orjentale. Kjo kulinari ka të pranishme edhe kuzhinën italiane, greke dhe mesdhetare, me shumë vaj ulliri, djath shtëpie, etj./atsh/
Previous Post Next Post