Banka e Shqipërisë publikoi vrojtimet e besimit të konsumatorit ndaj treguesve ekonomik ku bie ne sy preferenca e tij drejt mallrave të prodhuara në vend.
Pavarësisht përmirësimit në tremujorin e tretë, vrojtimi i besimit të konsumatorit raporton se balanca e “blerjeve të mëdha” ka mbetur poshtë mesatares historike. Preferenca për mallra konsumi të importuara ka vijuar të bjerë gjatë vitit që shkoi referon banka e Shqipërisë në raportin vjetor të 2014.
Konsumi privat u ndikua pozitivisht nga rritja e besimit, nga zhvillimet pozitive në tregun e punës dhe nga normat e ulëta të inflacionit që mbështesin të ardhurën reale.
Rritja e kredisë konsumatore, lehtësimi i standardeve të kreditimit dhe rritja e të ardhurave në formën e remitancave, kanë ndikuar pozitivisht financimin e konsumit.
Banka referon se, rritja ekonomike u mbështet nga kërkesa e brendshme e sektorit privat. Përmirësimi i treguesve të besimit, i bilanceve dhe kushtet monetare stimuluese kanë ndihmuar në rikuperimin e saj gjatë vitit 2014.
Rritja e konsumit privat – komponentit me peshën kryesore në kërkesën agregate – u reflektua në rritjen e shpenzimeve për mallra të përditshme dhe në rritjen e kërkesës për shërbime.
Rritja e konsumit të mallrave të përditshme sugjerohet nga rritja e indeksit të tregtisë me pakicë (me 5.4% gjatë nëntëmujorit të parë të vitit 2014) dhe rritja e treguesit të besimit në tregti në tremujorin e katërt. Nga ana tjetër, konsumi i mallrave të qëndrueshme nuk ka shënuar rritje.
Tags
Ekonomi