Greqia në prag të falimentimit?

Ministri grek i Financave tha të enjten se do të dëshironte që vendi i tij të mos kishte hyrë asnjëherë në eurozonë – dhe paralajmëroi kreditorët ndërkombëtarë se ai do të refuzonte të nënshkruante një plan shpëtimi që do ta çonte Greqinë në një “spirale vdekjeprurëse”. Me një marrëveshje shpëtimi ende larg në horizont, ka rreziqe se Athina mund të mbetet pa fonde në ditët në vazhdim.

Ish punonjësit e stacionit publit grek ERT hynë me forcë në vendet e tyre të punës kohët e fundit.

Qeveria e mëparshme e mbylli stacionin televiziv në vitin 2013 dhe pushoi nga puna 2,600 njerëz për të plotësuar kërkesat për shkurtimin e shpenzimeve të kërkuara nga kreditorët e Greqisë.

Qeveria Syriza, që është kundër masave shtrënguese, po vazhdon me premtimet për të rihapur stacionin duke ripunësuar 1,500 njerëz.

“Pas 23 muajsh ne hymë në godinën e ERT-së përsëri aty ku ndodhën përleshjet me policinë. Dua të them se ndjehem si fitues, por kjo fitore ka një shije tjetër.”

Kriza në Greqi është larg përfundimit. Ekonomia është përsëri në recesion. Analisti Raoul Ruparel me grupin e politikave Open Europe fajëson zgjatjen pafund të negociatave mes Athinës dhe BE-së lidhur me borxhin e vendit.

“Besimi po gërryen ekonominë ndërsa vazhdojnë këto negociata.”

Greqia bëri pagesën e një huaje prej 858-milionë dollarësh tek Fondi Monetar Ndërkombëtar – por vetëm duke prekur rezervat e emergjencës të kërkuara nga vet FMN-ja.

Ministri i Financave Yanis Varoufakis ka paralajmëruar se pas dy javësh Greqia mund të mos ketë më fonde për të paguar faturat.  Ai shpjegoi përse Greqia ka kundërshtuar kërkesat e BE-së për reforma më të thella.

“Po të vë firmën time do të jem thjesht një ministër tjetër financash që nënshkruan një program afatmesëm të regullimit fiskal ndërsa e di që kjo nuk është e arritshme. Matematika e provon këtë shumë mirë."

Greqia duhet të gjejë 2.2 miliardë dollarë deri në fund të majit për të paguar pagat dhe pensionet. Në korrik dhe gusht, Greqia duhet t’i paguajë Bankës Qëndrore Evropiane 7.7 miliardë dollarë për interesat e  bonove të thesarit. Pasojat e mospagimit do të ishin të rënda, thotë Raoul Ruparel.

“Në se nuk paguan një tjetër këst për FMN-në, do të ketë ndoshta pak liri veprimi.  Në se vonon pagat dhe pensionet për qytetarët, do të ketë dështim politik, por ndoshta më pak dështim ekonomik. Por në se nuk arrin të paguash Bankën Qëndrore Evropiane në korrik apo gusht, ose interesat e bonove, atëherë ndikimi në treg do të ishte shumë më i madh.”

Grekët po përballojnë lajmet të këqija, thotë profesori Ioannis Kokkoris në universitetin Queen Mary të Londrës.

“Njerëzit tërheqin vazhdimisht paratë. Ka patur shumë nisma për të rikapitalizuar bankat nga humbja e depozitave. Kjo nuk ka funksionuar mirë për shkak të pasigurive, pasi nuk e dimë çdo të ndodh të hënën tjetër dhe tjetrën pas asaj.”

Pasiguri të tilla kanë pllakosur Greqinë që nga kriza e borxheve në vitin 2008. Vetëm nëse Greqia dhe BE-ja arrin një marrëveshje të minutës së fundit, kjo krizë do të arrijë majën në ditët në vazhdim ndërsa buxhetit grek po i shterojnë paratë.
.
Previous Post Next Post