Sulmi i gazetës në Paris, vriten 12 vetë

Policia franceze njofton se të paktën 12 persona u vranë gjatë një sulmi kundër gazetës së përjavshme satirike Charlie Hebdo në Paris. Sipas njoftimeve të shtypit të paktën dy persona të armatosur hapën zjarr me automatikë dhe një raketalëshues brenda ndërtesës, ku gjenden zyrat e gazetës. Autorët e sulmit u larguan me dy makina dhe ende nuk janë kapur.


Sipas njoftimeve, redaksia ishte në mbledhje kur ndodhi incidenti.


Drejtori i gazetës Stéphane Charbonnier dhe të paktën 3 karikaturistë u vranë. Sipas njoftimeve, mes të vrarëve ishin edhe dy policë.

Presidenti francez Francois Hollande e quajti ngjarjen një akt terrorist. Ai tha se asnjë sulm terrorist nuk do ta shuajë lirinë e shtypit.

"Franca është e tronditur nga ky sulm terrorist, sepse nuk ka dyshim që i tillë është, kundër një gazete e cila ka qenë kërcënuar disa herë dhe me të drejtë ka qenë nën mbrojtje," tha Presidenti francez.

Christophe Deloire, kreu i organizatës Reporterët pa Kufij tha se kjo është një ditë e zezë për shtypin francez.

"Vështirë se mund të përfytyrojmë një sulm më të rëndë. Ekipi i gazetës Charlie Hebdo, ka qenë kërcënuar edhe në të kaluarën. Ata kishin bërë kërcënime serioze por jo në këto përmasa. Sulmi i sotëm është çmenduri," tha zoti Deloire.

Franca ka rritur gatishmërinë kundër terrorizmit në shkallën më të lartë. Ky është sulmi më vdekjeprurës në Francë në të paktën dy dekada.

E njohur për stilin e saj mjaft të hapur, kjo gazetë e majtë komenton shpesh për fenë dhe kulturën.

Pak minuta përpara sulmit, gazeta kishte shpërndarë me Tweeter një karikaturë të udhëheqësit të grupit Shteti Islamik, Abu Bakr al-Baghdadi, ku ai paraqitet duke uruar vitin e ri.

Në vitin 2011 zyrat e gazetës u sulmuan me bombë me benzinë pas botimit prej saj të një karikature të profetit Muhamed. Rreth një vit më vonë, gazeta botoi përsëri karikatura të tilla duke u bërë objekt dënimi nga e gjithë bota myslimane.

Shtëpia e Bardhë e dënoi sulmin e sotëm. Në një deklaratë me shkrim, presidenti BarackObama shprehu ngushëllime për viktimat. Ai tha se Franca është aleati më i vjetër i Amerikës, dhe ka qendruar krah për krah me Shtetet e Bashkuara në luftën kundër terroristëve të cilët kërcënojnë sigurinë tonë të përbashkët dhe botën.
Në deklaratë thuhet se Shtetet e Bashkuara do të japin çdo ndihmë të nevojshme për t'i sjellë terroristët para drejtësisë.
Previous Post Next Post