Ministria e Kulturës ia djeg dosjen, por Skëndërbeun e vendosin në Në Hartën Publike të Londrës

Invincible Albanian National Hera Defender of Western Civilization
Është një lajm shumë u bukur ai që këto ditë pas rinovimit të hartës së vet publike në Google Map, në mes të objekteve të reja të shtuara në qytetin e Londrës  është vënë edhe një emër i ri:


George Kastrioti – Skanderbeg.Inverness Terrace – Porchester Gardens – Bayswater – London

Kushdo që interesohet këtë mund ta gjejë po të klikojë në këtë adresë që nga telefoni android, laptopi, kompjuteri personal apo iPodi i tij. Ai gjendet në një nga zonat më të bukura të qytetit londinez në Bayswater fare pranë me Noting Hill, ky i fundit i njohur tashmë për ne shqiptarët për filmin me të njëjtin titull të luajtur nga Julia Roberts dhe Hugh Grant.
Ky bust është vepër e skulptorit shqiptar, Kreshnik Xhiku, autor i veprave skulpturore të Faikës Konicës dhe Skënderbeut në ShBA dhe Ahmet Zogu në Tiranë

Gdhendja, derdhja në bronx, dhe vendosja në atë vend të bukur i atij busti është frut i pasionit të këtij artisti dhe i përpjekjeve të jashtëzakonshme të Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar z Mal Berisha. Këto përpjekje u materializuan në kuadër të 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë me datën 28 Nëntor 2012. Por ai nuk do të vendosej dot pa kontributin e çmuar të disa miqve të Shqipërisë të kryesuar nga z David Lloyd, nga drejtuesit e Bashkisë Uestminstër në Londër me kryetaren zonjën Susi Burbridge dhe këshilltarin Robert Davis, drejtues të asaj kohe, si dhe pa kontributin e shqiptarëve të Londrës. Në kohën kur u vu busti, qeveria shqiptare i pagoi anglezëve fondin për vendosjen, mirëmbajtjen, pastrimin dhe gjelbërimin e tij për një afat 30 vjeçar. Por nuk pagoi për vetë bustin, duke e lënë atë për një afat të mëvonshëm.

Ai bust është sot simboli i vetëm artistik i pranisë shqiptare për publikun e Britanisë së Madhe i cili e nderon kombin tonë. Po ashtu ai është bërë një vend peligrinazhi për shqiptarët e këtushëm, një vend ku britanikët që nderojnë shqiptarët dhe Shqipërinë shkojnë shpesh, vend që vizitohet nga turistë dhe që shihet me kërshëri nga kalimtarët.

Të vetmit që nuk e vizitojnë atë janë ministrat shqiptar të cilët venë e vinë në Londër qoftë për bizneset e veta qoftë më paratë e taksapaguesve shqiptar. Ata janë gati të vizitojnë bustin e Gjeneralit Nelson por jo të Gjeneralit të tyre,  Skënderbeun. I vetmi që e ka vizituar  nderuar dhe vendosur një tufë me lule në atë bust është Sali Berisha.

Por si në çdo gjë të bukur që bëjnë shqiptarët ka gjithmonë edhe një pamje të errët, një dorë të fshehtë tinzare, cinike e cila mundohet ta përdhosë, ta zvogëlojë, ta fshehë, ta minimizojë dhe ta bëjë mrekullinë aq sa ç’është vetë ajo dorë. Vepra mjeranësh të njohura midis nesh, për fatin tonë të keq.

Këtij busti qeveria shqiptare dhe më konkretisht Ministria e Kulturës ende nuk i ka paguar paratë për punën artistike të bërë nga skulptori, nuk ka paguar fondin për derdhjen nga fonderia as fondin për transportin në Londër. Ajo nuk është ndonjë vlerë e madhe në raport me rëndësinë e këtij busti dhe nderin që ai i bën Shqipërisë edhe atje në Beyswater të Londrës. Por janë 8000 Euro të cilat i kanë  marrë borxh vetë skulptori dhe ambasadori nga një mik i tyre. Pa këtë pagesë, bazuar edhe në atë që ndodhi më pas, ky bust nuk do të ishte venë ndoshta kurrë. Dhe këtë e kanë bërë me besimin se qeveria shqiptare do të vlerësonte këtë si një vepër patriotike për kombin dhe jo si një gjobë ndaj atyre që e arritën këtë gjë me aq mundim. Mjafton të mendosh që skulptori nuk ka fituar asnjë qindarkë nga kjo vepër kaq monumentale. Përkundrazi është në borxh.!? A mund të ndodh kjo diku tjetër në botë?

Që prej dy vjetësh bëhen përpjekje në Ministrinë e Kulturës për ta disbursuar këtë fond. Për të është marrë edhe një Vendim i Këshillit të Ministrave në vitin 2013. Por mund të marrin vendime sa të duan tërë ministrat dhe kryeministrat e Shqipërisë, të të gjitha qeverive e partive,  për të vendosur bustin e heroit tonë në Londër apo edhe në majë të Kullës Ejfel, veçse nëse nuk bie dakord një zonjë e Ministrisë së Kulturës, e quajtur Mimoza Sofroni, kjo shumë kurrë nuk disbursohet. Ajo jo vetëm që guxon të pengojë, të sabotojë, të vërtitë në majë të gishtit tërë ministrat e kulturës, demokratë e socialistë, tërë artistët e çdo zhanri, t’i zhvasë e poshtërojë ata, por ajo guxon edhe të zhdukë tërë  dosjen e Skëndërbut, tërë letrat, çdo shenjë  të këtij monumenti me prezencë tashmë ndërkombëtare. Ddhe ku? Brenda vetë Ministrisë Shqiptare të Kulturës e cila i paguan rrogën!?. Por mesa duket ajo është pasuar dhe mbështetur nga njerëz tjerë të sojit të vet, me të njëjtat prirje, siç është drejtoresha aktuale e arteve Jonida Gashi dhe natyrisht me bekimin e Ministres Mirela Kumbaro.

E pra ndërsa googelografët, hartografët, gjeografët, historianët, arkitektët, urbanistët  anglezë vendosin në Hartën Google Map të Botës, Bustin e Skënderbeut tonë të Madh në Londër, frut i përpjekjeve titanike të një skulptori patriot të quajtur Kreshnik Xhiku dhe të një ambasadori që beson tek historia e vendit të tij dhe forca e artit shqiptar, të dy të mbështetur nga të huajt, në Tiranë gjenden burokratuce të trashë, të veckël në shpirt, sa një mizë, që jo vetëm që nuk i bie ndërmend për Skënderbeun por zhdukin edhe fletën e fundit të dosjes së këtij monumenti. Vendi ku duhet të ruhet trashëgimia kulturore shqiptare i quajtur “Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë” është edhe krematoriumi që i djeg letrat dhe zhduk emrin e tij. Në atë Ministri vështirë se gjendet ndonjë njeri që di ta kërkojë në google Skënderbeun tonë në Londër, por gjenden shumë që kanë ditur ta zhdukin dosjen e tij, më shumë së një here, në harkun kohor dy vjeçar edhe pse aty kanë drejtuar ministra të të dy partive. E vetmja gjë që ditkërkan të bëjnë ata njerëz të asaj ministrie dhe zyre është – meqë busti nuk iu ka dhënë mundësinë që të përfitojnë diçka prej tij, le të zhdukim çdo gjurmë të tij nga kjo ndërtesë!

 E pra kësaj gjëje të vyer shqiptare, Ministria e Kulturës ia ka zhdukur letrat. Nuk është hera  e parë. Mos të gëzohemi se na e sollën Mesharin nga Vatikani se shqiptarët vetë e kanë zhdukur; Mos të mburremi me pavarësinë e Shqipërisë se vetë shqiptarët e kanë vrarë mbartësin e Deklaratës së Pavarësisë Lef Nosin ndërsa deklaratën e kanë  manipuluar, korrigjuar, fshehur dhe mos o zot zhdukur përgjithmonë! Ç’pret prej mizantropëve të sotëm të Ministrisë së Kulturës!? Asgjë më shumë.

Por prapëseprapë ka patriotë Shqipëria ka edhe të huaj që e duan atë vend më shumë se ata që kërmillen nëpër zyrat e Ministrisë së Kulturës për të zhvatur ndonjë kacidhe në dëm të vetë kombit shqiptar. E megjithë këtë, busti  qëndron kryelartë në Londër duke bërë krenar ata shqiptarë që e vizitojnë thuajse për ditë, kur kanë festa, ditëlindje, martesa, festa fetare, përvjetorë,  kur kujtojnë atdheun e tyre të dashur.

Mbase shqiptarët presin që, meqenëse qeveria shqiptare e drejtuar nga një artist i artit figurativ në përpjekjet e tij për të luftuar korrupsionin dhe për ta bërë Shqipërinë të duket e bukur mund të zhbllokojë këtë Ministri Kulture të bunkerizuar nga njerëz që guxojnë të zhdukin nga raftet e saj Skënderbeun, të rrjepin fondet dhe ti bëjnë sfidë asaj që sot është mrekullia e botës e quajtur Google Map ku figuron edhe Skënderbeu ynë si një piramidë nderi e Kombit Shqiptar në mes të Londrës./The Albanian/
Previous Post Next Post