Avokati mbrojtës i ish-kryeinspektores Golemi ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë, për ndryshim të masës së sigurisë të caktuar nga Gjykata e Apelit, vendim i cili la në burg ish-kryeinspektoren e Bankës Qendrore, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Në seancën gjyqësore në Gjykatën e Apelit, kryeinspektorja Golemi bëri të qartë pozicionin e saj në skandalin e vjedhjes së Thesarit. Golemi theksoi se ka zbatuar ligjin dhe ka përmbushur me korrektësi të gjitha detyrat që i janë ngarkuar. Inspektorja tha se ka kryer audit në Thesar për vitin 2012 dhe ka raportuar para Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.
Kryeinspektorja e BSH-së vijon të qëndrojë në paraburgimin “Jordan Misja” (burgu 313). Sipas prokurorisë, Elivar Golemi, me funksion Inspektore e Përgjithshme e Bankës së Shqipërisë, ka kryer disa shkelje, pasi nuk ka ushtruar auditim konform ligjit për Bankën e Shqipërisë, nuk ka realizuar kontrolle periodike, nuk i ka dorëzuar Këshillit Mbikëqyrës raporte e rekomandime për llogaritë dhe regjistrat, si dhe për procedurat buxhetore kontabël dhe kontrollet e Bankës së Shqipërisë. Gjithashtu, arsyeton prokuroria, nuk ka ushtruar auditim financiar periodik në Departamentin e Emisionit për vitet 2012, 2013 dhe 2014, pikërisht në vendin dhe gjatë periudhës kohore kur dyshohet se është kryer vjedhja..
Tags
aktualitet