Radio Vatikani ka publikuar në faqen e internetit një historik të Kishës në Shqipëri.
Shek IV Pothuajse i tërë vendi është i kthyer në fenë e krishterë; ka pesë seli ipeshkvnore, të përhapura në të gjitha trojet. Dioqeza e Shkodrës themelohet në vitin 385.
395 Me ndarjen e Perandorisë Romake, Shqipëria varet nga Bizanti.
Shek XIII Në Durrës ngrihet Metropolia latine, që pason atë të Epirit të Ri; thirren në ndihmë të Kishës latine, françeskanët e domenikanët. Ndërmjet viteve 1248 e 1370 pothuajse të gjithë ipeshkvijtë i përkasin këtyre dy urdhrave
1404 -1468 Lind, lufton, fiton e vdes Gjergj Kastrioti i njohur me emrin Skanderbeg, Hero Kombëtar e mbrojtës i Shqipërisë nga pushtimi otoman.
1479 Otomanët pushtojnë mbarë trojet e Shqipërisë. Nis islamizimi e ipeshkvijtë ndalohen të jetojnë në vend. Shumë të krishterë ikin e strehohen në Venedik ose në Jug të Italisë, ku bashkësitë arbëreshe ruajnë edhe sot e kësaj dite gjuhën e doket e të parëve.
1555 Botohet i pari libër në gjuhën shqipe, përkthim i Mesharit latin.
1703 Koncili kombëtar shqiptar u bën thirrje katolikëve ta shpallin haptas fenë e tyre, përballë fenomenit të laramanizmit, domethënë, kriptokatolikëve, që publikisht paraqiten si myslimanë.
1822 Austria zëvendëson Venedikun si fuqi e jashtme mbrojtëse e katolicizmit.
1856 Hapet Seminari i parë katolik në Shkodër, besuar etërve jezuitë venecianë.
1875-1910 Shoqëria e Jezusit hap, në Shkodër, një Tipografi (1870) dhe një shkollë të mesme, Kolegjen Saveriane (1877); jezuitët i kushtohen misioneve popullore, posaçërisht në malësi. Njëkohësisht, françeskanët themelojnë famulli, hapin shkolla fillore e të mesme si dhe një seminar(1882).
1910 Lind, në Shkup, në Maqedoninë e sotme (26 gusht) Ganxhe Bojaxhiu, Nënë Tereza e Kalkutës.
1921 Emërohet Delegati i parë apostolik për Shqipërinë.
1933 Mbyllen shkollat private e i jipet një goditje e rëndë Kishës katolike, ndërsa favorizohet propaganda komuniste, e hyrë në vend nga mësuesit shtetërorë, të formuar në Francë e në Itali.
1934 Jezuiti Pjetër Meshkalla themelon “Veprimin katolik të të rinjve”.
1937 Në fund të bisedimeve të shumta me Patriarkanën e Kostandinopojës, lind Kisha autoqefale ortodokse shqiptare.
1944 Enver Hoxha udhëheq luftën nacional-çlirimtare dhe i zhduk fizikisht të gjithë kundërshtarët e vet politikë. Nis periudha e persekutimit të kundërshtarëve politikë, intelektualëve dhe besimtarëve të të gjitha feve, posaçërisht, katolikëve. Mbyllen të trija tipografitë katolike (e jezuitëve, e françeskanëve dhe tipografia “Skënderbeg”) e revistat e ndryshme; nisin arrestimet e para të katolikëve, kontrollet në institutet katolike e, më pas, organizohen edhe zgjedhjet politike, që ‘fitohen’ nga komunistët me 95% të votave.
1945 Shpallet Republika Popullore e Shqipërisë. Nisin arrestimet në masë dhe dënimet e para me vdekje: pushkatohen 4 priftërinj katolikë; ndërmjet tyre, dom Ndre Zadeja, poet e dramaturg e Don Lazër Shantoja, prozator i mirënjohur. Nis shkatërrimi i institucioneve katolike në Shqipërinë jugore; mbyllen të gjitha shkollat katolike e dëbohet Delegati Apostolik, imzot Nigris; shkollat e mesme shndërrohen në qendra të rinisë antifashiste. Në Shkodër dy jezuitë, atë Gardin e atë Vata dënohen përkatësisht me 10 e 16 vjet punë të detyruar.
1946 Dënohen me vdekje dhe pushkatohen në Shkodër dy jezuitë, rektori i Seminarit Papnor, atë Daniel Dajani e atë Giovanni Fausti, zëvendës-provincial; me ta pushkatohet edhe filozofi françeskan, atë Gjon Shllaku e dhjetë katolikë të njohur: 3 seminaristë dënohen me burgim të përjetshëm, një me dhjetë vjet burgim; vdes në arrest shtëpiak Kryeipeshkvi i Shkodrës, Imzot Gaspër Thaçi. Bilanc tragjik për Kishën katolike: 32 priftërinj e rregulltarë të burgosur, 15, të pushkatuar.
1947 Dënohen 4 klerikë katolikë të Shkodrës me burgime nga 5 deri më 20 vjet, të akuzuar si “agjentë të Vatikanit”.
1948 Hjerarkia katolike rrafshohet: kryeipeshkvi i Durrësit, imzot Vinçenc Prennushi, arrestohet, toturohet, dënohet me 30 vjet punë të detyruar dhe vdes në burg (1952); pushkatohen ipeshkvijtë imzot Volaj e imzot Gjini; ipeshkvi 80-vjeçar, imzot Shllaku, është në arrest shtëpiak, mëkëmbësit e zgjedhur në mungesë të ipeshkvijve, arrestohen menjëherë pas zgjedhjes; varroset i gjallë në kënetën e Maliqit, meshtari katoliko-bizantin atë Sifi Papamihali, ndërsa i vëllai pushkatohet vetëm sepse farefis i afërt i priftit. Merret, me mashtrim, miratimi i klerikëve për krijimin e “Kishës kombëtare”, të ndarë nga Selia e Shenjtë.
1950 Arrestohen tre peshkopë ortodoksë, ndërmjet të cilëve, kryepeshkopi i Tiranës, i cili vdes në burg (1959).
1952 Ipeshkvi 80 vjeçar Imzot Shllaku, në arrest shtëpiak që nga viti 1948, para se të vdesë, shuguron fshehurazi ipeshkëv imzot Ernest Çobën.
1954 80 mijë vetë janë të mbyllur në burgje, ku praktikohet rregullisht tortura. Ndërmjet njerëzve të pushkatuar ose të vdekur në burg, janë edhe 137 klerikë, prej të cilëve, dhjetë seminaristë e 8 murgesha.
1955 Kisha katolike është gjysëm e paralizuar: mbeten në vend vetëm një ipeshkëv e 14 meshtarë, me liri të kufizuar; nga 200 rregulltare, 85 dëbohen, 43 internohen e të tjerat detyrohen t’i lënë kuvendet, që mbyllen.
1959 Imzot Ernest Çoba (i shuguruar në klandestinitet më 1952) shuguron një ipeshkëv tjetër, Imzot Nikollë Troshanin: shugurohen edhe dhjetë meshtarë katolikë e mblidhen seminaristët e shpërndarë.
1967-1976 Nën ndikimin e “Revolucionit Kulturor” kinez, kishat dhe vendet e kultit mbyllen “nga vetë populli”; disa, si Shenjtërorja mariane kombëtare dhe Katedralja ortodokse e Korçës, rrënohen; të tjerat shndërrohen në vatra kulture e palestra. Pakënaqësi e thellë në gjirin e hjerarkisë katolike e valë e re arrestimesh e dënimesh me vite të gjata burgimi; imzot Çoba vdes në burg, 6 mesharë pushkatohen për mbarshtimin e sakramenteve.
1985 Vdes në moshën 77 vjeçare diktatori Enver Hoxha (11 prill).
1988 Vdes në moshën 85 vjeçare jezuiti Pjetër Meshkalla, që kaloi 34 vjet në burg.
1990 Kremtohet Mesha e parë në varrezën katolike të Shkodrës (4 nënor), pa lejën e qeverisë e, menjëherë pas, Mesha e madhe, me pjesëmarrjen e 50 mijë vetëve, nga të gjitha krahinat e vendit e nga të trija fetë. E kremton dom Simon Jubani, që ka kaluar 26 vjet në burg. Më pas qeveria shpall lirinë e kultit. Televizioni i shtetit transmeton Meshën e Krishlindjes, që kremtohet në mesnatë në varrezën e Rrëmajit, në Shkodër.
1991 Shqipëria vizitohet nga një delegacion i Selisë së Shenjtë, i kryesuar nga zëvendës-sekretari për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Celli(20-23 mars); shugurohet në Shkodër, meshtari i parë katolik, pas 30 vjetëve (21 prill); vizita e dytë e një delegacioni të Selisë së Shenjtë, gjatë së cilës themelohen, në Tiranë e në Shkodër, “Veprimi Katolik” dhe “Karitasi shqiptar”. Vendosen marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë (7 shtator); Nunci i parë Apostolik është imzot Ivan Dias, emëruar edhe ipeshkëv për mbarë Shqipërinë, në pritje të riorganizimit kishtar të vendit; ambasadori i parë, Willy Kamsi. Rihapet Seminari i drejtuar nga etërit jezuitë në Shkodër; atë shpirtëror i seminarit është jezuiti Giacomo Gardin, që bëri dhjetë vjet burg. Shqipëria është në gjendje të mjeruar e kryeministri njofton në televizion se vendi ka rezerva drithi vetëm për 6 ditë. Ushtria merr urdhër të shtypë revoltat popullore. Bashkimi Evropian, Italia e Karitasi italian organizojnë veprimtari humanitare urgjente për dërgimin e mijëra tonelatave me drithëra.
1992 Natën e Krishtlindjes, Nunci, imzot Dias, jep njoftimin për emërimin e 4 ipeshkvijve katolikë (imzot Frano Illia, imzot Robert Ashta, imzot Rrok Mirdita e imzot Zef Simoni).
1993 Shtegtimi apostolik i Gjon Palit II në Shqipëri (25 prill), (Tiranë, Shkodër). Papa shuguron katër ipeshkvijtë e parë, pas rënies së diktaturës, gjatë Meshës, kremtuar në Shkodër.
1993 Përurohen qendra ketekistike dhe të përgatitjes profesionale “Don Bosko” për të rinjtë, në Shkodër e Tiranë, drejtuar nga selezianët italianë, të dërguar në Shqipëri.
1994 Gjon Pali II krijon kardinalin e parë shqiptar, Mikel Koliqin (Shkodër, 29 shtator 1902- Shkodër, 28 janar 1997).
1997 Protesta të fuqishme popullore pas krizës së rëndë financiare.
2000 Shugurimi i meshtarëve të parë katolikë, formuar në Seminarin e Shkodrës, rihapur më 1991.2002 Kushtimi i Katedrales së Tiranës; kremtimin e kryeson Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Anxhelo Sodano.
Tags
Histori