Prokuroria e Tiranës ka nxjerrë urdhër-ndalimi për disa punonjës të Bankës Shqipërisë, kryesisht të nivelit përgjegjës dhe specialistë, të akuzuar për “shpërdorim detyre”, pasi nëpërmjet veprimeve dhe mosveprimeve të tyre kanë krijuar mundësi për vjedhjen e një sasie të konsiderueshme parash në një ambjent të Bankës së Shqipërisë.
Në vijim të hetimeve, të cilat kanë filluar me arrestimin e dy punonjësve të Bankës së Shqipërisë ka rezultuar se vjedhja është kryer lehtësisht edhe për faktin se punonjës të tjerë që kanë pasur detyrë për të rakorduar kartmonedhat që hynin dhe dilnin nga sportelet përkatëse, nuk kanë kryer detyrën e tyre.
Të ndaluarit janë Petrit Ramohitaj, përgjegjës i arkës në departamentin e stokut, Liljana Tusha, Lavdim Cani dhe Myzejen Belba specialistë pranë emisionit të parave dhe Dhimitër Davidi, vëzhgues i kamerave të sigurisë.
Po ashtu mbrëmjen e së mërkurës policia ka ekzekutuar urdhërin e ndalimit të Prokurorisë së Tiranës për shtetasin Klevis Bejtaj, i afërm i shtetasit A. Bitraj, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Moskallëzim krimi”./klan/- Oculus News