Prokuroria e Tiranës përgatit listën e per sonave që do të merren në pyetje për supervjedhjen në Bankën e Shqipërisë. Burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se pjesë e kësaj liste do të jenë shumë persona, për shkak se vjedhja e qindra milionë lekëve në arkat e BSH-së është shtrirë në vite. Sipas të njëjtave burime, nëse vjedhja do kishte ndodhur muajt e fundit, do të kishte qenë më e lehtë për të përcaktuar përgjegjësit, por për faktin se supervjedhja është shtrirë në katër vjet, do duhet që në pyetje të merren të gjithë punonjësit që kanë punuar në Bankën e Shqipërisë për këta katër vjet.
AUDITI
Punonjësit e Auditit të brendshëm për kontrollin e Bankës së Shqipërisë, do të jenë personat kyç në listën që prokuroria ka përgatitur për hetimet e mëtejshme. Sipas organit të akuzës, punonjësit e Auditit do jenë personat që do pyeten të parët, pasi një pjesë e madhe e përgjegjësisë bie mbi këtë sektor, i cili mendohet se, ose nuk e ka bërë punën ashtu siç duhej, pasi në këtë rast do e kishte kuptuar se në arkën e Bankës së Shqipërisë mungonin më shumë se 700 milionë lekë, ose mundësia tjetër është që punonjësit e Auditit e kanë ditur për vjedhjen dhe nuk kanë treguar. Por, sipas organit të prokurorisë, pjesë e listës që do të merren në pyetje do të jenë edhe shumë persona të tjerë, punonjës aktualë të bankës, por edhe ish-punonjës të këtij institucioni.
Kjo, pasi vjedhja ka ndodhur që para 4 vitesh dhe gjatë kësaj kohe një pjesë e punonjësve janë larguar nga puna. Për këtë arsye, do të merren në pyetje të gjithë punonjësit që kanë qenë në kushte pune në bankë para katër vitesh. Ndërkohë, pjesë e hetimeve do të jenë edhe anëtarët e komisionit të asgjësimit të parave të tërhequra nga qarkullimi. Bëhet fjalë për dy të arrestuarit, specialistin Ardian Bitraj dhe përgjegjësen Mimoza Bruzia, si dhe për Drejtorin e Qendrës së Emisionit, D. Çollaku, dhe dy persona të tjerë, emrat e të cilëve nuk bëhen publikë nga organi i akuzës. Sipas prokurorisë, këta persona janë njerëzit që kishin në monitorim dhe që ngarkoheshin për shkatërrimin e parave stok, që ndodheshin në repartin sekret të koduar me germën "X" në Linzë./balkanweb/
Tags
aktualitet