Në ambientet e bukura të Shalës, është përuruar sot projekti i cili promovon shërbimet e turizmit rural dhe të infrastrukturës në fshatrat e kësaj ane.
Ndërtimi i shtigjeve për ecje, i cili lidh fshatrat e kësaj ane, shpërndarja e biçikletave, si dhe restaurim i gjashtë odave si bujtina për turistët janë vetëm disa nga aktivitetet e projektit “Promovimi i shërbimeve rurale të turizmit dhe infrastrukturës në zonën e Shalës”.
Përveç odave, sot në kuadër të këtij projekti është bërë edhe përurimi i turbinës së ujit në fshatin Sllakovc të Vushtrrisë, e cila është një shembull i prodhimit të energjisë elektrike nga burimet e ripërtërishme.
Në projektin për promovimin e turizmit rural në zonën e Shalës janë investuar mbi 470 mijë euro, prej nga 90 për qind janë kontribut i Bashkimit Evropian.
Projekti për promovimin e zonës së Shalës synon fuqizimin ekonomik të familjeve të kësaj ane duke iu mundësuar atyre fillimin e bizneseve të reja për turizëm, rritjen e kualitetit të sasisë së prodhimit të ushqimeve tradicionale, avancimin e shërbimeve turistike në zonat rurale si, dhe promovimin e prodhimit dhe të shfrytëzimit të energjisë alternative.
Tags
Kulture