Punonjësit e Kazinosë: "Ardiani linte miliona lek në bixhoz në kazinonë tonë"


aa.jpg
Punonjësit e kazinosë në rrugën "Siri Kodra" në të cilën mendohet se punonjësi i Bankës së Shqipërisë, Ardian Bitraj ka luajtur bixhoz lekët që kishte vjedhur në institucionin ku punonte, tregojnë se si e kanë njohur punonjësin e bankës.

"Kishte më shumë se dy vjet që vinte në kazinonë tonë. Ai luante shumë bixhoz, linte lekë të madh duke luajtur. Kishte raste që hidhte 10 milionë lekë të vjetra dhe i humbiste. Është futur edhe 20 milionë borxh, por i lante lojë pas loje. Ai vinte vetëm në kazinonë tonë, sepse ngaqë e njihnim, ne e linim që të luante edhe pa lekë. Sa herë që humbiste, na thoshte se do t'i sillte lekët herën tjetër. Deri tani na ka borxh afro 45 milionë lekë", bëjnë me dije punonjësit e kazinosë ku Bitraj mendohet se ka lënë një pjesë të madhe të parave që ka vjedhur në institucionin e Bankës së Shqipërisë.

Ndërkohë, nga grupi hetimor i ngritur posaçërisht për këtë ngjarje bëhet me dije se punonjësja tjetër e bankës, Mimoza Bruzia, e cila është arrestuar para disa ditësh, deri tani nuk rezulton se ka gisht në vjedhjen e afro 600 milionë lekëve në bankë. Sipas hetuesve, i vetmi faj që bie mbi Bruzian është se ka mbajtur të fshehtë për një kohë të gjatë vjedhjen e parave, ndonëse ajo e kishte kuptuar.

Punonjësja e bankës e kishte parë mungesën e parave dhe mësohet se i ka kërkuar llogari Bitrajt për këtë, por ai i ka thënë se i ka marrë lekët për një hall familjar dhe se shumë shpejt do t'i zëvendësonte. Por ai nuk i ka kthyer më ato para, madje i ka zëvendësuar me tufa letrash, në mënyrë që askush të mos e kuptonte mungesën e parave./balkanweb/
Previous Post Next Post