Absurditeti nuk ka fund në marrëdhëniet greko-shqiptare. Sikur të mos mjaftonte protesta e Athinës zyrtare për ndarjen e re administrative në Shqipëri, asaj i është shtuar edhe Kisha e Greqisë. Mitropoliti i Driniopolit, Pogonianis dhe Konicës, Andreas, ka lëshuar para dy ditësh një protestë ndaj shtetit shqiptar për reformën administrative. Sipas klerikut të lartë grek reforma është lëvizja e radhës e shqiptarëve për të zhdukur helenizmin në të ashtëquajturin “Vorioepir”.
“Shqipëria, e cila nuk ka pasur dhe nuk ka marrëdhënie realisht të mira me Greqinë, përderisa deri më tani nuk ia arriti që të çgreqizonte vorioepiriotët me mëyra të ndryshme, kërkon tani, me justifikimin e reformës administrative, që të zhdukë shpirtin grek nga Himara, nga greko-vllahët dhe nga shumë fshatra greke në kufi me shtetin e Greqisë”. Pasi bën një përmbledhje të asaj që ka ndodhur në këto ditë në Shqipëri me reformën administrative, duke nisur nga përfshirja e Vranishtit në Bashkinë e Himarës dhe duke përfunduar me Bashkinë Çame të Konispolit, Mitropoliti Andreas ka theksuar se kjo është arsyeja se pse ai proteston. “Për të gjitha këto gjëra të padrejta deri edhe armiqësore ndaj vorioepiriotëve dhe Greqisë unë protestoj fuqishëm”.
Në fund Mitropoliti i Konicës, i është drejtuar qeverisë së vendit të tij, duke i kërkuar që të ndërhyjë me vendosmëri kundër vendimit të qeverisë së Shqipërisë. “Qeveria e Greqisë e ka detyrim kombëtar, madje edhe Ministria e Jashtme, që të reagojë në mënyrë të vendosur dhe metodike, në mënyrë që të mos kalojë vendimi i fqinjëve, që është me urrejtje ndaj grekëve dhe i padurueshëm. Por, duhet kujdes se ngjarjet rrjedhin me shpejtësinë e ortekut dhe nuk i lejojnë askujt që të qetësohet, sepse kjo barazohet me tradhëti. Mbi çdo çështje ekonomike vjen ajo kombëtare dhe shpëtimi i helenizmit të Vorioepirit”./shqiptarja.com/- Oculus News
Tags
Ballkani