Qveria 1 milion dollarë për punësimin për Fierin dhe Vlorën


Fondi i punësimit për vitin 2015 është dyfishuar, kështu që kompanitë e ndryshme private mund të aplikojnë për të përfituar duke punësuar persona në nevojë, ata me aftësi të kufizuara, gra dhe të rinj. Kjo deklaratë është bërë nga Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi në Fier e Vlorë ku ka deklaruar se vetëm për këto dy rrethe fondi shkon në 1 milion dollarë. Nga ky fond vitin e shkuar u nxit punësimi i mbi 4 mijë punëkërkuesve.


Kryeministri Rama dhe Ministri i Mirëqenies Sociale Erion Veliaj deklaruan se fondi i punësimit këtë vit është katërfishuar në krahasim me qeverisjen e kaluar. Kreu i qeverisë deklaroi se vetëm gjatë vitit të kaluar 361 subjekte kanë përfituar nga ky fond duke sjellë edhe një rritje të numrit të të punësuarve në vend. “Ka një fond të posaçëm për nxitjen e punësimit, i cili u vihet në dispozicion atyre që kërkojnë punë dhe kompanive të ndryshme. Kjo është qasja jonë, që të shohim si t’ia dalim, jo vetëm kur moti tërbohet, por edhe kur lind dielli.

Në 2014 nga programet e fondit të nxitjes së punësimit përfituan 361 subjekte dhe u punësuan 4 mijë punëkërkues. Këtë vit fondi është dyfish më i madh”, u shpreh Rama. Ndërkohë që ministri Veliaj ka pohuar se sot ky fond kap shifrën e 4.6 milion dollarëve për të gjithë vendin. "Përpara dy vitesh e filluam me një fond qesharak, nuk kishte kapur as një milion dollarë për 3 mln banorë që ka Shqipëria. E 4-fishuam, pastaj e 2 fishuam sërish dhe sot jemi te 4.6 mln dollarë", tha ministri Erion Veliaj.

Për nxitjen e punësimit në qytetin e Fierit pritet që të përurohet edhe një shkollë profesionale në mënyrë që të rinjtë të drejtohen tek zanatet. “Shumë shpejt do të përurohet edhe shkolla e re profesionale “Petro Sota” në Fier, ku nxënësit do të kenë mundësi të mësojnë një zanat, i cili do t’u krijojë më shumë mundësi punësimi. Ndërkohë që nuk dua të harroj edhe nismën e re që ne kemi ndërmarrë “Zanate për Shqipërinë”, e cila synon të sjellë në Shqipëri 52 administratorë të huaj për shkollat tona profesionale” ka pohuar Veliaj. Për vitin 2015, fondi i nxitjes së punësimit është rritur sërish duke shkuar në 450 milionë lekë dhe pritet që përmes tij të punësohen rreth 5,500-6000 të papunë.
Previous Post Next Post