Policia e qytetit të Vlorës ka arrestuar ditën e sotme kryetaren e Zyrës së Përmbarimit dhe një avokate nën akuzën e korrupsionit pasiv.
Burime nga policia e këtij qyteti bëjnë me dije se në kuadër të operacionit policor të koduar "Përmbaruesi" arrestoi në flagrance për "Korrupsion pasiv" kreun e Zyrës së Përmbarimit të Vlorës Algerta Fejzulla dhe Dhurata Sulajn, Avokate për "Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike".
“Sot rreth oreve te drekes nga strukturat Kunder Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Vlore është bërë arrestimi ne flagrance ne ngarkim te shtetaseve: Algerta Malko Fejzulla, vjec 28, banuese ne Vlore me detyre Kryetare e Zyrës se Përmbarimit Shteteror Vlorë; Dhurata Adil Sulaj, vjec 46, banuese ne Vlore, me profesion Avokate”- thuhet në njoftimin e policisë.
Më tej theksohet se arrestimi i tyre u krye pasi shtetasja Algerta Fejzulla dyshohet se nuk ka kryer ekzekutimin e një titulli ekzekutiv në këmbim të shumë të konsiderueshme parash të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale gjatë momentit të ndërhyrjes së policisë në një qendër estetike në afërsi të Stadiumit “Flamurtari”, ku ishte dhe vendi i takimit dhe i dorëzimit të çekëve përmbarueses nga avokatja. Paratë janë siguruar nga shtetasja Dhurata Sulaj, e cila ka qenë ndërmjetësja midis Përmbarueses dhe një personi tjetër.
“ Arrestimi u krye fale hetimeve intensive 2 javore dhe një bashkëpunimi të ngushte me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë. Vijon dokumentimi ligjor i këtij rasti. “- sqaron policia..
Tags
aktualitet