Si ndikojnë lajmet Pozitive dhe Negative në Shëndet; Po e Sëmurin shoqërinë mediat shqiptare?

cift duke parë televizor mbi divan

 Në përditshmëri ndodhin me mijëra ngjarje, por vetëm disa prej tyre mund të konsiderohen të dobishme për interesin e shoqërisë.

Ka shumë të ngjarë që shumica e ngjarjeve dhe lajmeve që publikohen nga media të jenë të mërzitshme, depresive dhe paralajmëruese e diçkaje negative që do ndodhë. Në këtë kuptim një sërë studimesh kanë konkluduar se këto lloj lajmesh ndikojnë ashpër në shëndetin tonë mendorë dhe fizik.

Nga ana tjetër lajmet pozitive kanë një impakt tepër të mirë në gjendjen shpirtërore, dhe ky është fakt shkencorë. Prandaj kemi më shumë nevojë për lajme pozitive. Asnjëherë më parë truri ynë nuk është influencuar kaq shumë nga lajmet, pasur parasyshë që jetojmë në një shoqëri të bazuar tek informacioni virtual.

Psikologu Charlie Booker sugjeron se lajmet negative janë më të rrezikshme se drogërat. Ndëra autori i librit "Antidote" mbështet studimet psikologjike që theksojnë se një numër gjithnjë e më i madh njerëzish janë të prirur të largohen gjithnjë e më shumë nga të gjitha llojet e lajmeve, duke i konsideruar tejet depresive dhe shkak i një sërë sëmundjeve.

Jodie Jackson, Msc. në psikologji, në një studim të saj për Constructive Journalism Project, që do botohet së shpejti, konkludon se leximi i lajmeve që fokusohen në zgjidhje, arritje dhe ndërtimin e paqes mund të rrisë ndjeshëm nivelin e optimizmit, shpresës dhe dobishmërisë për veten, në këtë mënyrë njerëzit mund të besojnë se bota mund të bëhet vërtetë më e mirë dhe ndjejnë obligimin se duhet të kontribuojnë. Gjithashtu është provuar se lajmet pozitive kanë zhvilluar nivelin e gjendjes shpirtërore të njerëzve, kanë rikthyer besimin dhe ka rritur nivelin e angazhimit të shoqërisë në përmirësimin e jetës në përgjithësi.

Profesori i Harvardit, Steven Pinker sugjeron prej kohësh që pavarësisht faktit se çfarë lexojmë në lajme, bota është në vetvete një spirale në lartësim.

Gjithsesi është e rëndësishme të theksojmë se të raportuarit e lajmeve pozitive nuk do të thotë që të injorohen lajmet negative, por në fakt do të thotë që të mos injorohen lajmet pozitive, dhe nëse është e mundur të përfshihen në një narrativë më të gjerë. Nga ana tjetër lajmet negative shërbejnë për të ndriçuar shumë aspekte të errëta të shoqërisë duke i vendosur në njëfarë mënyre në axhendën e publikut. Gjithsesi është tepër e rëndësishme që efektet e dëmshme psikologjike të lajmeve negative të adresohen, kryesisht kur lajmet negative nuk i shërbejnë qëllimeve fisnike, por qëllimeve të përfitimit financiarë për të tërhequr vëmendjen, në vend që të informojnë në mënyrë të vërtetë.

Në këtë sens, është për të ardhur keq por shumica e mediave dhe portaleve shqiptare fokusohen në lajmet negative, të cilat në fakt kanë efekte tejet të dëmshme në shëndetin mendorë dhe fizik tonin.

Gjithsesi mbetet një debat i hapur nëse shoqëria shqiptare është "lënduar" apo po "sëmuret" nga mediat shqiptare, të cilat parapëlqejnë më tepër të zgjerohen në narrativë dhe në artikuj të detajuar që lidhen me krimet dhe ngjarjet negative./Oculus News
Previous Post Next Post