Loading...

DASH jep arsyet e vizitës së John Kerry-t në Tiranë


 Departamenti amerikan i Shtetit lëshoi një deklaratë për vizitën e sekretarit John Kerry në Tiranë, vizitë e cila do të jetë 4 orëshe.

Sipas DASH, në axhentë është parashikuar takim me kryeministrin Edi Rama, ministrin e Jashtëm Bushati dhe kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, si dhe një tryezë me shoqërinë civile. Në deklaratë thuhet se Shqipëria është bashkëpunëtore në Afganistan si dhe po lufton kundër ISIS.

Departamenti i Shtetit thotë se vizita ishte parashikuar më herët në Shqipëri kur Kerry vizitoi në dhjetor Beogradin dhe Prishtinën.

“Siç e dini, Shqipëria është një aleate e NATO-s, ndërsa nuk është ende pjesë e BE-së, duke punuar shumë për hapin e ardhshëm të anëtarësimit të saj në Union. Gjithashtu Shqipëria është kontribuuese e fortë e koalicionit anti-ISIS. Ata janë duke dhënë kontribut për shkatërrimin e municioneve të tepërta si dhe janë duke kontribuar në Afganistan”, thekson DASH.

Gjithashtu, thuhet se Shqipëria po jep kontribut të rëndësishëm rajonal në luftë kundër ekstremizmit të dhunshëm si dhe është duke punuar mjaft për të forcuar kapacitetet e saj për ndalimin e luftëtarëve të huaj apo pjesëmarrjen e shqiptarëve në luftën e Sirisë.

“Ata kanë qenë mjaft të suksesshëm gjatë vitit të kaluar dhe janë duke u përpjekur për të krijuar disa strategji të reja për edukimin e të rinjve, si nëpërmjet prindërve, mësuesve apo imamëve lokalë për të penguar pjesëmarrjen e të rinjve në këto luftëra”, thekson më tej deklarata.

Sipas Departamentit të Shtetit, sfida më e madhe për Shqipërinë është procesi i integrimit, ndërsa problem i vazhdueshëm mbetet korrupsioni, krimi i organizuar dhe sundimi i ligjit.

“Ata tani janë në një moment të veçantë në adresimin e këtyre problemeve. Ata kanë arritur sukses në një problem mjaft të rëndë vitin e shkuar, siç është kriminaliteti në politikë. Kjo çështje ishte në fokus të dy partive të mëdha, duke kapërcyer problemet dhe duke miratuar ligjin”, thuhet gjithashtu.

Deklarata flet edhe për reformën në drejtësi.

“Tani, ata janë duke punuar për një paketë të madhe të reformës gjyqësore, për të forcuar sistemin e tyre ligjor. Ka një paketë në tavolinë e paraqitur nga partia e kryeministrit Rama. Janë në negociata me parti të mëdha opozitare, dhe ne jemi angazhuar në këtë drejtim.

Vizita e Sekretarit Kerry do të përforcojë imazhin e veçantë për një paketë të fortë legjislacioni për të “pastruar” Shqipërinë që do të sjellë integrimin e saj në BE dhe përmirësimin e klimës së investimeve”, thuhet më tej. Një temë tjetër sipas DASH është edhe siguria e energjisë dhe çështje të tjera.
DASH jep arsyet e vizitës së John Kerry-t në Tiranë DASH jep arsyet e vizitës së John Kerry-t në Tiranë Reviewed by Marion Mardodaj on 2/14/2016 11:50:00 AM Rating: 5
Loading...
Powered by Blogger.