1 milion $ Pasuri Gjyqtarja e Durrësit Shpëtime Pitaku, kallëzohet nga ILDK

1 milion $ Pasuri Gjyqtarja e Durrësit Shpëtime Pitaku, kallëzohet nga ILDK
 Në Shqipëri Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, ILDKPKI, njoftoi sot se ka bërë ndjekje penale në Prokurori ndaj gjyqtares së Gjykatës së Durrësit Shpëtime Pitaku pasi konsideron se pasuria e saj prej 1 milion dollarësh nuk justifikohet nga burime të ligjshme. Në njoftimin e tij, ILDKPKI shpjegon se “në përfundim të kontrollit të plotë rezultuan fshehje të pasurive, deklarime të rreme të interesave private, falsifikime dokumentash, mungesë burimesh të ligjshme financiare dhe dyshime për pastrim parash në shumën rreth 1 milion USD”.

ILDKPKI-ja thekson gjithashtu se i kërkon “Prokurorisë një hetim të plotë e të gjithanshëm” për gjyqtaren Pitaku, “pasi është kallëzuar edhe më parë nga ILDKPKI për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve zyrtare”. Inspektoriati bën të ditur gjithashtu se “do të njoftojë menjëherë Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe Ministrin e Drejtësisë me qëllim marrjen e masave disiplinore” ndaj gjyqtares.

Në shtator, për të njejtat arsye, Inspektoriati bëri kallzim edhe ndaj kryetarit të Gjykatës së Apelit në Tiranë, Alaudin Malaj, i cili ka deklaruar të ketë një pasuri prej 1,7 milion eurosh. Në vitin 2003, pasuria e deklaruar nga gjyqtari Malaj ishte 60 mijë euro. Por ajo pësoi një rritje të shpejtë ndër vite, ndërsa interesat e gjykatësit dhe bashkëshortes së tij u ndërthurrën me aktivitete private ku ishin të përfshirë dhe të afërmit e tyre. Sipas kallzimit të ILDKPKI-së, në prokurori, përgjatë 11 viteve, Malaj dyshohet te ketë bërë 24 deklarime të rreme për të mbuluar burimin e paqartë të pasurisë së tij. Inspektoriati vë në dukje se “të dhënat e institucioneve shtetërore ngrenë dyshime të forta për injektim parash të “pista” nëpërmjet skemës së krijimit të bizneseve të ndërtimit në emër të familjarëve të tij, kalimin e aseteve, vlerave monetare dhe aksioneve te Malaj, nëpërmjet kontratave fiktive të huave e të dhurimit, e më pas shitjen dhe riinvestimin e tyre prej tij në aktivitete brenda dhe jashtë vendit”, shpjegohet në kallzimin e bërë nga Inspektoriati.
Previous Post Next Post