Loading...

Aftësimi profesional si motor i zhvillimit të vendit

Aftësimi profesional si motor i zhvillimit të vendit
Nga Marion Mardodaj
 Në të vërtetë profesionet, kanë qenë dhe janë në themel të gjithçkaje që njerëzimi ka arritur deri tani. Zhvillimet teknologjike, civilizimi, arritjet e njeriut në çdo fushë të jetës, nuk do ekzistonin po të mos ishin profesionet. Në thelb, është puna e vazhdueshme që perfeksionohet vazhdimisht ajo që ka formësuar njeriun e sotëm, ashtu siç thotë në një mënyrë paksa ironike një shprehje urbane: “Thonë që njerëzit ishin majmunë, është puna e vazhdueshme ajo që i bëri njerëz.” Puna ndërtoi rrotën, varkat,  mjetet për gjueti, dhe më pas u ndërtuan grupimet, kombet, shtetet, raketat kozmike, lindën idetë dhe çdo gjë që ne shohim e shijojmë sot.

Platoni, i cili konsiderohet gjerësisht si figura boshtore e zhvillimit të filozofosë perëndimore, është njëkohësisht edhe themelues i akademisë së parë të edukimit. Në “Republikën” e shkruar prej tij rreth 2300 vjet më parë, ai thekson se origjina e një shteti konsiston në natyrën e pabarabartë të njerëzve e mishëruar kjo në ndarjen punës. Sipas tij, një shtet për të plotësuar nevojat e tij ka nevojë për një këpucar, një fermer, një endës...dhe sigurisht, një mendje. Platoni i vendos profesionet në plan të parë, nga ku më pas rrjedhin edhe aspektet e tjera të jetës shoqërore dhe ekonomike të një vendi. Ky koncept platonian përbën bazën e filozofisë së zhvillimit perëndimorë nga ku u bazuan filozofët dhe politikanët e kohëve pasuese.

Është e qartë që profesionet përbëjnë bazën e zhvillimit të shëndoshë të një shoqërie, dhe si të tilla imponojnë mbështjetje dhe prioritet nga çdo qeveri apo parti politike dhe respekt nga çdo aktor publik ose jo. Nuk është rastësi që në vendet perëndimore, punëtorët e çdo lloj profesioni gëzojnë respekt të veçantë nga qeveritë dhe çdo njeri - diçka lehtësisht e koknstatueshme për cilindo që ka udhëtuar në perëndim.

Po në Shqipëri çfarë është bërë me profesionet gjatë dekadave të fundit?

Përveç vëmendjes së kushtuar dhe mbështetjes që i është dhënë aftësimit profesional vitet e fundit nga mazhoranca aktuale, fatkeqësisht në të kaluarën politikanët apo qeveritë, nuk kanë bërë gjë tjetër veçse kanë vazhduar në të njëjtën linjë me politikat e regjimit të kaluar duke qëndruar tek mentaliteti i njeriut të ri. Në vend që me rënjen e komunizmit, qeveritë dhe politikanët pasues të bënin përpjekje për të hyrë në shinat e kapitalizmit perëndimorë duke u fokusuar tek bujqësia, blegtoria, peshkimi, zejtaria, industria e lehtë e të mbanin në këmbë ato industri të ndërtuara me djersën e njerëzve të thjeshtë dhe që ishin rentabël për kohën, në mënyrë që t’u krijonte natyrshëm spiralja e njohur e kapitalizmit siç ka ndodhur me vendet e zhvilluara perëndimore, nuk bënë gjë tjetër veçse qëndruan në mentalitetin e politikave marksiste të zhvillimit nga lart: Në fillim të viteve ‘90, çdo fabrikë, uzinë, apo subjekt prodhues eficient apo jo për kohën, që ishte ndërtuar nga regjimi kaluar, u shkatërrua totalisht; Politikat bujqësore ishin inekzistente. U bë një ligj për bujqësinë - 7051 - që e çoi vendin akoma më mbrapa duke agravuar edhe më tej situatën - një ligj i pa studiuar sipas shumë analistëve, që mbolli veçse konflikte dhe ngrënje kohe. Gjatë dhjetëvjeçarit të parë të demokracisë, prodhimet bujqësore, blegtorale, zejet dhe profesionet njohën vetëm tkurrje. Pushtetarët qëndruan në këmbë vetëm në sajë të remitancave, të cilat arritën deri rreth 60% të GDP-së. Asnjë politikë e mirëmenduar që mund të sillte zhvillim afatgjatë nuk u implementua - sikur të ishte bërë çdo gjë me qëllim. Pra, në këtë sens, politikanët apo qeveritë e kësaj periudhe nuk kanë asnjë meritë të veçantë në zhvillimin e vendit, veç menaxhimit në dobi të tyre të frikës së mbetur nga koha e diktaturës, dhe e miliona lekëve që kanë futur në xhepat e tyre - dhe për këtë duhet të falënderojnë diktatorin Enver Hoxha. Ato pak zhvillime të arritura, u realizuan kryesisht me djersën dhe gjakun e emigrantëve.

Edhe vitet 2000, të cilën po e quajmë si faza e dytë e tranzicionit, do të ishin po aq të dhimbshme për vendin. Njerëzit vazhdonin të iknin jashtë vendit. Sërish nuk u bë gjë për të hyrë me të vërtetë në linjat e kapitalizmit demokratik. Në vend që të fillonte zhvillimi nga poshtë, mentaliteti njeriut të ri mbizotërojë: Kësaj radhe jo me fabrika apo uzina të mëdha, por me lejimin e ndërtimit të universiteteve me shumicë - e, kjo i shkonte plotësisht përshtat mentalitetit të atij “njeriu”, që siç rezultojë më tej, vazhdojë të qëndronte “i ri”. Shqipëria u bë vendi i parë në Europë me numrin më të lartë të universiteteve për frymë. Njerëzit filluan të shisnin tokat dhe bagëtitë për të blerë diploma në universitetet, ndoshta më jo cilësore të Europës. Madje filluan edhe të huajtë e paaftë të blejnë diploma “Made in Albania”. Megjithëse u ndërtuan rrugë, siç rezulton, një mori e këtyre rrugëve rezultojnë jo cilësore dhe pa u bazuar në studime recionale; për shembull, Rruga e Kombit, e cila llogjikisht duhet të jetë në funksion të zhvillimit të vendit në fillim, me qëllim që pastaj të zhvillohet kombi si i tërë, është ndërtuar pa, ose me fare pak degëzime, nga ku fshatarët apo bujqit mund ta përdorin këtë rrugë në mënyrë eficiente e të leverdisshme që të ndërtonin si fillim kapitalin, e më pas, me ndihmën e qeverisë, të fillonin të ndërtonin industrinë e lehtë dhe kështu me rradhë duke krijuar vende pune për profesione të ndryshme.

Pra, po ta shohim problemin me gjakftohtësi, qeveritë e mëparshme nuk kanë bërë asgjë për profesionet, që në fakt janë baza e zhvillimit shoqërorë dhe ekonomik të një vendi demokratik.

Përse janë të rëndësishme profesionet?

Zejet dhe profesionet janë shumë të rëndësishme dhe jetike në zhvillimin dhe prosperitetin e një vendi. Profesionet ndërtojnë dhe forcojnë shresën e mesme të një popullsie, e cila nga njëra anë gjeneron vende pune duke i dhënë frymëmarrje shtresës së varfër, dhe nga ana tjetër i vë fre arrogancës së pushtetarëve dhe të pasurve që qëndrojnë lart. Është e qartë që varfëria, grykësia dhe ego për pushtet kanë lindur me njeriun dhe ka të ngjarë të vdesin me të, dhe në këtë kontekst, shtresa e mesme mban ekujlibrat duke mos lejuar shkarje nga asnjëra anë. Një shembull ilustrues  janë politikat e Napoleon Buonapartit gjatë sundimit të tij në Europë në shekullin e XVIII. Napoleoni u jepte vazhdimisht urdhëra oborreve vasalë të tij në mbarë Europën që të blenin me shumicë mallra të prodhuara nga industria franceze, në mënyrë që industria të mbijetonte. Këtë gjë ai e bënte për shkak se i druhej revolucionit të “barqeve bosh”, të cilin e kishte tmerrësisht frikë, sipas biografëve të tij dhe kronistëve të kohës. Pra, barqet bosh ishin shtresa e varfër e cila mbijetonte në sajë të industrisë franceze, e përbërë nga profesione dhe zeje të ndryshme si endës lëkure, specialistë tejzgjahu, punues druri, hekuri, etj. Ndërsa kupola e shtresës së lartë menaxhohej nga vetë perandori që qëndronte në krye.

Nga ana tjetër, universitetet na mësojnë të memorizojmë, përsërisim dhe të zbrazim. Na mësojnë aftësitë e duhura për të shpenzuar jetën duke punuar për ëndërrën e dikujt. Ndërsa profesionet ofrojnë hapësira të pamata lirie ku gjithkujt i jepet mundësia të ndërtojë jetën e ndjekë ëndërrën e tij. Çdo profesion është një lloj arti që ka hapësirë vazhdimisht për përmirësim. Kurse shkollimi universitarë, në thelb, është një mendim i strukturuar që nuk lejon apo lejon shumë pak hapësira për të kaluar caqe; orientohet tek nënshtrimi në një strukturë të parapërcaktuar. Kjo bën të lindin keqkuptimet për mënyrën e të parit të botës duke gjeneruar kështu shqetësime dhe probleme për ata individë që e kanë bazuar formimin universitarë vetëm në çfarë u kanë thënë të tjerët - kryesisht prindërit. Në këtë kontekst, është arti, e vetmja gjë qe rikthen besimin, sepse inkurajon të menduarit kritik, organizimin e mendimit dhe kreativitetin në mënyrë origjinale, - aftësi këto më të kërkuarat në tregun e sotëm dhe që sugjerohen nga OECD - duke bërë kështu që gjithkush të ndërtojë dhe zbulojë sipas mënyrës së vet kuptimin e jetës mbi tokë, duke u bërë shembull i gjallë, që mund të ndihmojë e ndriçojë edhe të tjerët. Në këtë mënyrë jeta vazhdon; kështu është ndërtuar bota e sotme - nga shembujt pozitiv, kurse shembujt negativ kanë shkaktuar vetëm vuajtje dhe stanjacion.

Për ta kuptuar më mirë këtë le të mbajmë parasyshë se, shumë miljarderë që kanë ndikuar në fatet e civilizimit dhe botën e sotme, nuk e kanë përfunduar universitetin. Stiv Xhops, themeluesi i Apple dhe një ndër miljarderët botërorë, e braktisi universitetin për të ndjekur ëndërrën e tij, e cila u bë realitet për miljarda njerëz në mbarë globin. Të njëjtën gjë bëri edhe themeluesi i Facebook, Mark Zukenberg, themeluesi i Mikrosoftit, Bill Geids dhe një sërë miljarderësh. Ndërsa një rast i freskët shqiptarë, është një individ në një fshat të Shqipërisë, i cili me vetëm 4 klasë shkollë të kryera, ndërtoi një hidrocentral të vogël që furnizon gjiithë banorët e fshatit, të shkolluar ose jo.
Rinia shqiptare gjatë këtyre vitete është nxitur të shkollohet në juridik, ekonomi, sociologji apo psikologji. Është  nxitur të shfletojë të njëjtat libra dhe mendojë në të njëjtën mënyrë të strukturuar. Kështu që aktualisht Shqipëria rezulton ndër vendet me numrin më të madh të juristëve dhe ekonomistëve për kilometër katrorë. Nga këtu lindin disa pyetje therëse për çdo prind dhe njeri normal: Ku do të punësohen këta të diplomuar në një popullsi prej 2.8 milion banorësh? Sa njerëz duhet të grabisin, vrasin, të degjenerohen, të kryjnë 1001 kondravajtje ligjore, sa njerëz duhet të luajnë mendsh me qëllim që këta psikologë, ekonomisë e juristë të gjejnë një vend punë?

Çfarë po bëhet aktualisht me arsimin profesional?

Fatmirësisht, vitet e fundit maxhoranca po i kushton një vëmendje gjithnjë e më të madhe arsimit profesional dhe bujqësisë. Arsimi profesional ka qenë një ndër prioritetet e saj, dhe kjo gjë ka bërë që interesi për aftësim profesional të rritet nga viti në vit. Gjithnjë e më shumë të rinj po tregohen praktik duke iu afruar një zanati që u rrit shpresat për punësim dhe një jetë normale në të ardhmen. Pak rëndësi ka nëse fokusi në arsimin profesional ka ardhur si rrjedhojë e presionit të BE-së apo e vetë vizionit për zhvillim të kësaj maxhorance, e rëndësishme është që më në fund Shqipëria ka hyrë në rrugën e vërtetë të zhvillimit. Padyshim që reformat për zhvillim janë paksa të dhimbshme në fillim, për një vend si Shqipëria ku korrupsioni qoftë nga brenda, por edhe nga jashtë, kryesisht përmes agjenturave të grupimeve ekstremiste të vendeve fqinj, ka mbizotëruar për shumë kohë në mendjen dhe veprimet e çdo shërbyesi publik.
Dy raste të freskëta janë nënshkrimit i një marrëveshje - e cila nuk është e vetmja - mes ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi me ambasadën gjermane dhe GIZ, e cila u jep mundësi të gjithë nxënësve të Qendrës Profesionale në Kamzë të marrin një profesion sipas modelit dhe standardit gjerman; dhe marrëveshja e nënshkruar në 2 Dhjetor të vitit të kaluar mes ministrit të Bujqësisë, Panariti dhe Organizatës për Bujqësi dhe Ushqim (FAO) për hapjen e zyrës së përfaqësisë së kësaj organizate në Tiranë, një marrëveshje kjo që garanton mbështetjen e Bujqësisë shqiptare.

Garantohet punësimi i të rinjëve po të kenë një profesion?

Shqipëria është një nga vendet ku do të kalojë projekti TAB, i cili u garanton punësim afatgjatë disa mijëra saldatorëve; veç burimeve të konsiderueshme të naftës që gjenden në Shqipëri, Kompania holandeze Royal Shell dhe ajo Petromanas zbuluan në vitin 2013 në pusin “Shpiragu 2” sasira të konsideruehsme nafte, kjo garanton mijëra vende pune dhe kontribuon në qëndrueshmërinë afatgjatë socio-ekonomike të vendit; Shqipëria është ndër vendet me nivelin e diellëzimit vjetorë (sasia e ditëve me diell për një vit) më të lartë në rajon, kjo jo vetëm që garanton energji dhe kontribuon në qëndrueshmëri, por garanton mijëra vende pune për specialistë të paneleve diellore dhe fotovoltaike; pallatet shumëkatësdhe që janë ndërtuar në Tiranë dhe zonat urbane, garantojnë mijëra vende pune për teknikë ashensorësh dhe antenash; Shqipëria posedon 28% të bimësisë së Europës ndërkohë që zë vetëm 0.028 % të territorit të saj, kjo garanton mijëra vende pune për specialistë të bujqësisë, të bimëve mjekësore dhe për një sërë profesionesh që lidhen me bimësinë; Shqipëria është ndër vendet e para në botë për sasinë e kromit për frymë, dhe e pasur me një sërë mineralesh të kërkuara në tregun e sotëm, kjo garanton dhjetëra mijëra vende pune në minjera dhe në industritë e përpunimit që mendohet të ndërtohen në të ardhmen; Pejsazhi i larmishëm i Shqipërisë ku deti, fusha dhe mali janë fare pranë, garanton dhjetëra mijëra vende pune në sektorin e turizmit; Bujqësia dhe blegtoria shqiptare gjithashtu garantojnë dhjetëra mijëra vende pune, dhe nëse zhvillohet më tej zinxhiri i përpunimit, është e garantuar që brenda shumë pak vitesh niveli i papunësisë do bjerë në nivele minimale.

Pra siç shihet, motori i zhvillimit të vendit janë dhe duhet të jenë profesionet, të cilat fatmirësisht vitet e fundit po gëzojnë vëmendje gjithnjë e më të madhe. 
Aftësimi profesional si motor i zhvillimit të vendit Aftësimi profesional si motor i zhvillimit të vendit Reviewed by Marion Mardodaj on 10/25/2015 01:09:00 PM Rating: 5
Loading...
Powered by Blogger.