Trepça nënshkruan kontrata mbi 20 milionë dollarëshe


Trepça nënshkruan kontrata mbi 20 milionë dollarëshe
Menaxhmenti i Ndërmarrjes Trepça ka përfunduar të premten procedurat e nënshkrimit të kontratave për shitjen e koncentratit të Plumbit (Pb) dhe Zinkut (Zn) me dy kompani prestigjioze, “KCM” nga Bullgaria dhe “Sara Group” nga India, vlera e të cilave do të jetë mbi 20 milionë dollarë.

Këtë e ka bërë të ditur për Kosovapress, menaxheri i Trepçës Ahmet Tmava, sipas të cilit, të dyja këto kompani janë të dëshmuara për aktivitetet e tyre në sektorin minerar.

“Është me rëndësi se për herë të parë kontratat e shitjes janë siguruar me arbitrazhe të ligjeve të Kosovës dhe jo ato ndërkombëtare siç ka ndodhur më parë”, ka thënë Tmava.

Sipas tij, problemet financiare të krijuara janë rezultat i mungesës së licencës për katër muaj dhe mos përcaktimit të statusit të Trepçës.

Ai ka kërkuar nga institucionet shtetërorë të jenë koherent me problemet me të cilat ballafaqohet Trepça dhe sa më shpejtë të sqarohet statusi zhvillimor i Trepçës.
Previous Post Next Post