Konfirmohet prania ushtarake ruse në Siri

Konfirmohet prania ushtarake ruse në Siri

 Rusia konfirmoi se pjesëtarë të forcave të saj ushtarake janë të pranishme në Siri, mes shqetësimeve në rritje në Perëndim se ushtria ruse po përfshihet gjithnjë e më shumë në mbështetjen e qeverisë së presidentit Bashar al-Asad.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova, tha në një deklaratë të mërkurën se "ekspertët ushtarakë rusë" ndodhen në Siri për të ndihmuar ushtrinë e saj të përvetësojë përdorimin e armatimit dhe pajisje të tjera ruse.

Ajo tha se Moska asnjëherë nuk e ka mbajtur të fshehtë "bashkëpunimin ushtarako-teknik" me Sirinë dhe "prej kohësh ka dhënë armë dhe pajisje ushtarake në pajtim me kontratat ekzistuese dypalëshe." Ajo vuri në dukje se marina ruse ka një objekt për "mbështetje materiale-teknike" në portin sirian Tartus.

Zonja Zakharova tha se pajisjet ruse që i janë dhënë ushtrisë së Sirisë synojnë "për t'iu kundërvënë kërcënimit terrorist që ka arritur nivele të papara në Siri dhe në Irakun fqinj."

Zyrtarët në Uashington janë të shqetësuar se ky aktivitet mund të jetë pjesë e një strategjie më të gjerë të Moskës për të shtrirë ndikimin e saj, ndërsa vepron si ekuilibër kundër Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme.

Të martën, një zyrtar i lartë amerikan i mbrojtjes i tha Zërit të Amerikës se veprimtari të tilla nuk ndihmojnë. Ai gjithashtu paralajmëroi se qëllimet e Rusisë, si në Siri dhe në rajon, mbeten të paqarta.

"Ka shumë gjëra për t'u shqetësuar," tha ai. "Përpjekjet ruse duhet të jenë për qëndrueshmëri dhe jo për ta minuar atë."

Zhvillime shqetësuese

Gjatë një konferencë të martën, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest, i shpjegoi kështu shqetësimet amerikane:

"Kjo është e gjitha në kontekstin e shtimit të pranisë ushtarake ruse brenda Sirisë që mund të përdoret për të mbështetur regjimin e Asadit. Dhe ne e kemi bërë të qartë se do të ishte e pafalshme për çdo palë, duke përfshirë edhe Rusinë, të sigurojë çdo lloj  mbështetje për regjimin e Asadit."

Ish-zyrtarë dhe analistë thonë se lëvizjet e Moskës në Siri kanë synime të caktuara.

"Gjendja e krijuar tregon se Moska dhe zoti Putin po përpiqen të tregojnë se janë të fortë jo vetëm me anë të agresionit në Ukrainë,  jo vetëm me anë të shitjes së pajisjeve ushtarake, por edhe me përdorimin e personelit ushtarak në Lindjen e Mesme", tha ish-ambasadori amerikan në Ukrainë John Herbst.

Drejtori i Qendrës së Euroazisë i Këshillit të Atlantikut, Herbst paralajmëron se përpjekjet e Rusisë në Siri gjithashtu duhet të shihen në dritën e përpjekjeve të saj të suksesshme për të rritur shitjet e armëve në të gjithë Lindjen e Mesme, duke kërkuar marrëveshje me aleatët amerikanë, si Egjipti, Arabia Saudite, dhe Iraku./voa/

"Moska i sheh gjërat në botë kryesisht si një lojë ku ka ose vetëm të fituar ose vetëm të humbur. Pra, synimi i rusëve për të fituar ndikim në Lindjen e Mesme është menduar të jetë në dëm të interesave dhe ndikimit amerikan në radhë të parë dhe në një masë më të vogël, në dëm të interesave më të gjera perëndimore."

Zyrtarët amerikanë të zbulimit nuk janë të gatshëm për të shkuar aq larg në përshkrimin e  motiveve ruse, por një zyrtar duke folur për Zërin e Amerikës në kushte anonimiteti tha se shtimi i pranisë ushtarake ruse në Siri ngre një sërë shqetësimesh, veçanërisht për shkak se veprimet ruse duken si të pakoordinuara me vendet e tjera që operojnë në rajon.

"Në fakt, nuk është e qartë se çfarë ka ndërmend të bëjë Rusia. Megjithatë, Rusia përgjithësisht ka treguar vetëpërmbajtje në konfrontime ushtarake", tha zyrtari.

Vëzhgimi nga NATO-ja

Zyrtarët amerikanë nuk janë të vetmit që shqetësohen.

Një zyrtar i NATO-s i tha Zërit të Amerikës se aleanca vazhdon të vëzhgojë nga afër gjendjen në rajon, duke vënë në dukje bashkëpunimin me partnerë në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut për të përmirësuar aftësitë mbrojtëse dhe kujdesur për qëndrueshmëri.

“Unë jam i shqetësuar nga njoftimet se Rusia mund të ketë vendosur personel ushtarak dhe avionë”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg gjatë një takimi nëpërmjet Facebookut të martën. "Ne jemi duke u përpjekur për të stabilizuar, për të ndihmuar këto vende, që të sigurojnë veten dhe rajonin e tyre.”

Por një analist thotë se edhe Rusia duhet të tregohet e kujdesshme, përndryshe rrezikon të dëmtojë reputacionin që është duke u përpjekur të krijojë.

"Rusët janë të shqetësuar se mos forcat e tyre kapen nga ekstremistët në rajon dhe pastaj mund të mos jenë në gjendje t’i shpëtojnë. Atëherë do të ngriheshin shumë pyetje në lidhje me rusët që humbin jetën apo kapen në Siri dhe kjo do ta vinte Rusinë në pozitë të vështirë”, thotë analisti ushtarak i grupit Stratfor, Omar Lamrani.

Zoti Lamrani shton se një arsye më praktike për Moskën për të ruajtur një distancë është shitja e armëve të saj vendeve që mbështesin elementet e opozitës siriane.

"Rusia në njërën anë dëshiron të jetë shumë e interesuar në forcimin aleancës së saj tradicionale me Sirinë, por në anën tjetër, dëshiron të ketë një marrëdhënie në rritje me Këshillin e Bashkëpunimit të Gjirit Persik, dhe me shtetet e tjera arabe. Pra, ata duhet të jenë shumë të kujdesshëm për të ruajtur një ekuilibër të caktuar”, thotë analisti Lamrani.
Previous Post Next Post