Kujdes me pushimet në Greqi! Merrni edhe para kesh veç kartave

 “Unë i kam rezervuar tashmë pushimet e mia në Greqi. Sa i sigurt jam unë? Këtë dyshim kam edhe unë. Nuk e di çdo të bëhet me paketën turistike që e kam prenotuar prej 6 muajsh për në Santorini”, thotë një pushues i huaj.

Kjo është një pyetje që po ia bëjnë vetes shumë turistë, të cilët kanë zgjedhur Greqinë si destinacionin e pushimeve të tyre për këtë sezon veror. Arsyeja kryesore është një ndryshim i mundshëm i monedhës nga euro ne dhrahmi, çka do të ndryshonte çdo balancë të kostos financiare të udhëtimit turistik.

Sipas ekspertëve britanikë, pushuesit bëjnë mirë të kenë me vete para ‘kesh’, dhe jo vetëm karta krediti, për shkak se kriza e monedhës së euros po i vjen rrotull Greqisë. Një skenar i mundshëm nëse vendi del nga Eurozona është mbyllja e bankave dhe bllokimi automatikisht i bankomateve. “The Guardian” shkruan se, në çdo rast emergjent paratë ‘kesh’ do të ishin shpëtimi i turistëve.

Pushuesit britanikë janë të parët që po marrin këshillat e duhura para se të nisin sezonin turistik në ndonjë nga ishujt e Greqisë, të cilët janë të famshëm për bukuritë dhe shërbimin që ofrojnë. Edhe pse mbi qeverinë e Athinës rëndon laku i borxhit prej 1.6 miliardë euro, për vendin nuk mungojnë reklamat nëpër ‘site’ të mirënjohura turistike apo media ndërkombëtare, të cilat e promovojnë turizmin si pikë të fortë të Greqisë.

Sipas të dhënave të vitit 2014, Greqia mirëpriti 24 milionë turistë dhe sfida e vendit ishte që ky vit të thyente çdo rekord. Por sipas disa sondazheve, në Greqi ka një luhatje të vogël në numrin e pushuesve që, pritet të zbarkojnë në jug të vendit dhe kjo bën që të rritet ankthi.

Sektori i turizmit përveçse gjeneron miliona euro për ekonominë greke, hap edhe mijëra vende pune, kur në vitin 2014 u numëruan 50 mijë të punësuar gjatë 3 muajve të verës. Tashmë gjithçka mbetet për t’u parë se çdo të ndodhë me fatin e Greqisë./P. Shekulli/
Previous Post Next Post