Loading...

Protesta mbarëpopullore masive antiqeveritare në Shkup

Shumë qytetarë nga qytetet tjera të Maqedonisë, janë nisur drejt Shkupit për të marrë pjesë në protestën e sotme, që pritet të mbahet në orën 14, organizuar nga opozita maqedonase për largimin e qeverisjes së kryeministrit Nikolla Gruevski.

Përpos simpatizantëve të partive opozitare maqedonase, pjesëmarrjen në protestat e sotme e kanë paralajmëruar dhe përfaqësues dhe përkrahës të shoqërisë civile maqedonase, shqiptare, qytetarë të komuniteteve të ndryshme, si dhe euro-deputetë.

Përderisa asnjë parti shqiptare nuk është shprehur publikisht se mbështet protestat e opozitës maqedonase, shqiptarët e Maqedonisë, në rrjetet sociale janë duke bërë thirrje që sa më shumë të dalin sot në rrugët e Shkupit për të kërkuar rrëzimin e Qeverisë së Gruevskit.

Protesta do të organizohet para Qeverisë, ndërsa lideri i opozitës, Zoran Zaev, ka theksuar se nuk do të tërhiqen nga protestat dhe bashkë me përkrahësit e tij do të qëndrojë para Qeverisë, deri në dorëheqjen e kryeministrit Nikola Gruevski.

“Nëse kryeministri nuk jep dorëheqje, ne do të qëndrojmë deri në fund. Nëse jam unë ai që e filloi këtë proces, unë do të jem tërë kohën aty me protestuesit, përpos në atë kohë kur do të duhet të jem i pranishëm në bisedime që dashtë Zoti të japin rezultat. E, ai rezultat është dorëheqja e kryeministrit Nikolla Gruevski, formimi i një qeverie kalimtare, normalizimi i Maqedonisë si shtet dhe organizimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Do të jem aty me qytetarët, krah për krah, deri në qëllimin e fundit, e ai është largimi i Nikolla Gruevskit nga skena politike”, është shprehur lideri i opozitës maqedonase, Zoran Zaev.

Ndërkohë, partia e kryeministrit Nikolla Gruevski, VMRO-DPMNE, për të hënën ka paralajmëruar një kundër-protestë, e cila ka në shënjestër opozitën dhe, siç thuhet, tentimin e saj për të destabilizuar vendin.

Kryeministri Nikolla Gruevski edhe një herë ka deklaruar se nuk do të japë dorëheqje, duke theksuar se bisedat e publikuara nga opozita maqedonase janë të montuara.

“Dorëheqje nuk do të jap, as Qeveri kalimtare nuk do të ketë. Unë kam një detyrim për të gjetur një zgjidhje. Nëse unë do të jepja dorëheqje, do të isha një frikacak”, ka deklaruar Gruevski për televizionin maqedonas Sitel.

Protesta e sotme, pos që ndiqet me shumë interes nga mediat e vendit, për të kanë shprehur interes edhe shumë media të rajonit dhe ndërkombëtare.

Dy orë para organizimit të protestave, vërehet prani e theksuar e forcave policore, të cilat kanë shtuar masat e sigurisë për protestën, ndërkohë që dje edhe lideri i opozitës maqedonase, Zoran Zaev, tha se partia e tij dhe aktivistë të shumtë janë të angazhuar për mbarëvajtjen e protestave për të kaluar ato në formë të qetë dhe demokratike./rel/
Protesta mbarëpopullore masive antiqeveritare në Shkup Protesta mbarëpopullore masive antiqeveritare në Shkup Reviewed by Marion Mardodaj on 5/17/2015 01:28:00 PM Rating: 5
Loading...
Powered by Blogger.